Me datë 22 qershor 2023 Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e fondacionit “Konrad Adenauer” zhvilloi tryezen lidhur me gjetjet e projektit “Për monitorimin e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën për zgjedhjet vendore 2023: rasti i bashkive Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Korçë”. Pjesëmarrës në tryezë ishin përfaqësues nga partitë kryesore politike, nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ne KQZ, nga shoqëria civile dhe media. Tryeza u përshendet nga drejtuesi i KAS në Tiranë Tobias Rüttershoff.
E konceptuar si tryezë diskutimi midis ekspertëve dhe institucioneve që lidhen me zgjedhjet, gjatë diskutimeve dhanë kontribute e rekomandime të vlefshme përfaqësuesit politikë Eridian Salianji (PS), Indrit Sefa (PD), Oerd Bylykbashi (PD), Erisa Xhixho (PL), anëtarët e KAS Elvis Çefa dhe Ledio Braho, përfaqësuesit e shoqërisë civile Erjon Tase (Akademia e Studimeve Politike ASP), Aranita Brahaj (AIS Open Data), Rigels Xhemollari (Qendresa Qytetare), Aleksandra Bogdani (BIRN), Arben Cejku (Qendra e Qeverisjes se Mire, ACGG), Gerta Meta (Shoqata per Kulture Demokratike, SHKD), Anduela Male (Koalicioni KRIIK Albania). Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues nga Instituti Republikan Amerikan (IRI), Instituti Demokratik Amerikan (NDI), Westmister Foundation for Democracy (WFD), etj.
Siç theksohet në materialin përmbledhës të diskutimit, institucioni i zgjedhjeve pluraliste dhe konkurruese ka histori të brishtë në Shqipëri, rruga për të pasur standarde të plota të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta është ende e gjatë. Prej vitit 1991 Shqipëria zhvillon zgjedhjet parlamentare konkurruese dhe prej vitit 1992 zhvillohen zgjedhje vendore konkurruese. Procesi i fundit zgjedhor (2019) përbën një përjashtim në natyrën konkurruese të zgjedhjeve, për shkak të bojkotimit të partive kryesore opozitare dhe procesit formal që e shoqëroi atë. Zgjedhjet e vitit 2021 ishin një test politik për aftësinë e Shqipërisë për të reflektuar nga gabimet e të kaluarës, zgjedhjet vendore të vitit 2023 ishin test për të dëshmuar se Shqipëria, tashmë në bisedime për anëtarësim në BE ka maturinë dhe kapacitetet për të jetësuar standarde shumë më të larta zgjedhore, sesa praktikat eksperimentale dhe problematike të tranzicionit.
Pjesë thelbësore e vlerësimit të standardeve të zgjedhjeve është edhe treguesi i rolit të shtetit në fushatë, roli i burimeve shtetërore dhe publike, roli i institucioneve ekzekutive qendrore dhe vendore, roli i administratës civile dhe enteve publike. Sipas praktikave ndërkombëtare, pyetja themelore mbtetet nëse autoritetet ekzekutive veprojnë “në mënyrë të paanshme, të kufizuar, profesionale dhe të përshtatshme gjatë fushatës”[3]. Partitë dhe kandidatët kanë nevojë për burime njerëzore, materiale dhe financiare, akses sa më të madh në publik, lehtësim në aktivitetet partiake, mbështetje dhe informacion. Ato kanë nevojë që këto burime t’i sigurojnë në masë më të madhe sesa pala tjetër rivale, në mënyrë që të dominojnë fushatën. Në një konkurrencë të tillë është e kuptueshme se pala që është në pushtet dhe që administron më shumë burime njerëzore, struktura, burime buxhetore, akses në informacion, etj, është edhe më e privilegjuar sesa palët e tjera. Në një demokraci solide midis tyre nuk ka diferenca të theksuara dhe qenia në pushtet nuk passjell privilegje të dukshme elektorale, por në një demokraci të brishtë apo model hibrid, ku konkurrenca midis palëve politike është vetëm disa mijëra vota, përdorimi i burimeve shtetërore mund të passjell impakt elektoral dhe ndikim në rezultatin e votimit.
Një sërë pyetjesh të rëndësishme marrin vlerë lidhur me burimet shtetërore në fushata elektorale:
A mbulohet keqpërdorimi i burimeve shtetërore (ambienteve shtetërore/lokaleve, infrastrukturës, mjeteve dhe punonjësve) për fushatat zgjedhore? Nëse po, një sjellje e tillë a është qartë dhe mjaftueshëm e kufizuar ose e ndaluar me ligj? A përdoren burimet e shtetit për të detyruar ose për të ndikuar mbi një ose më shumë subjekte garuese politike? Çfarë lloje burimesh administrative përdoren? Burimet shtetërore e publike në fushata mund të jenë institucionale (zyra, staf, pajisje, automjete, etj.), buxhetore (përdorimi i drejtpërdrejtë i buxheteve publike), ose të lidhura me median (përdorimi i organizatave shtetërore/të medias publike). A përdoren ambientet, infrastruktura apo automjetet e institucioneve publike për qëllime të fushatës zgjedhore të partive politike ose kandidatëve të veçantë në mënyra të ndaluara ose të parashikuara nga dispozitat ligjore për rolin shtetëror? A marrin pjesë punonjës të administratës publike në aktivitete të fushatës gjatë orarit të punës? Nëse janë keqpërdorur burimet administrative, cili është përfitimi financiar i vlerësuar i këtyre burimeve për partitë ose kandidatët?
Në rastin shqiptar, pyetja e përhershme është, – sa përputhet dhe mbivendosen agjenda ekzekutive dhe normale e funksionimit të institucioneve me agjendën elektorale? Cila merr prioritet para dhe gjatë fushatës elektoral? Sa të pavarura dhe me integritet janë institucionet dhe sa vetë partitë zotërojnë kulturën demokratike të ndarjes së burimeve shtetërore nga aktivitetet politike elektorale? Gjithashtu, merr vlerë të veçantë edhe roli i institucioneve të garancisë, nëse KQZ duhet të jetë “polici” zgjedhor apo përgjegjës për një kuadër rregullator monitorimi e vlerësimi? Nëse politika penale ndaj shkeljeve që bëjnë partitë dhe kandidatët është proporcionale apo disproporcionale me shkeljet ligjore të të njëjtës masë, por pa lidhje me zgjedhjet që bëjnë qytetarët?
Bazuar në këto vlerësime dhe rëndësinë e integritetit të zgjedhjeve vendore 2023, Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e fondacionit “Konrad Adenauer” realizoi projektin “Për monitorimin e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën për zgjedhjet vendore 2023: rasti i bashkive Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Korçë”. Prej disa vitesh Instituti i Studimeve Politike (ISP) harton raporte periodike jopublike lidhur me progresin e shënuar nga Shqipëria në lidhje me kushtet e përcaktuara nga Bundestag-u gjerman, midis të cilave bëjnë pjesë edhe ecuria e reformës zgjedhore, ecuria e hetimeve ndaj krimeve zgjedhore dhe elementë të tjerë që lidhen me integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri.
ISP ka pasur dhe ka përvoja monitorimi të njëjta, nisur me projektin me USAID mbi “Për zgjedhje të ndershme: Të ndalojmë shpërdorimin e burimeve shtetërore” (2019-2020), si dhe aktualisht ISP së bashku me ASP (Akademinë e Studimeve Politike), mbështetur nga qeveria e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, po jetëson projektin “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme: forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave për zgjedhje të lira dhe të ndershme” (2022-2025), një komponent i të cilit është monitorimi i vazhdueshëm i rolit të shtetit dhe burimeve shtetërore në fushata dhe procese elektorale, si dhe ecuria e reformës zgjedhore.
Projekti me KAS shtrihet vetëm gjatë periudhës janar – maj 2023 dhe ka për synim jo vetëm monitorimin, por edhe sensibilizimin mbi standardet zgjedhore, nxitjen e pjesëmarrjes, adresim rekomandimesh për reformën zgjedhore, si dhe monitorim të thelluar në 5 bashki.
Monitorimi i kryer nga ISP është bazuar në një metodologji mikse, në mbledhjen e të dhënave sasiore nga burimet shtetërore dhe publike, si dhe në mbledhjen e të dhënave civile nga monitorimet dhe analizat në terren të ekspertëve. Stafi ka pasur takime me të gjitha palët politike konkurruese në këto bashki, me aktorë të shoqërisë civile, me stafet e monitorimit të KQZ dhe me vetë KQZ, me median lokale, si dhe me ekspertë të zgjedhjeve të përfshirë në monitorimin ose analizimin e procesit.
Zgjedhja e pesë bashkive është bërë për të harmonizuar përvoja të ndryshme dhe kurba të ndryshme politike: pesë bashkitë zënë peshë të madhe specifike në burime njerëzore, materiale, financiare, elektorale, ato paraqesin potenciale të ndryshme konkurrimi, – nga bashki me diferencë të thellë votash midis palëve politike tek ato me diferencë minimale, – si dhe janë pjesë e bashkive të mëdha në krye të hartës së riskut zgjedhor, të hartuar periodikisht nga ISP në secilin proces zgjedhor prej vitit 2015.
ISP falënderon KAS për mbështetjen, KQZ për bashkëpunimin dhe stafin realizues, bashkëpunëtorët, ekspertët, monitoruesit, gazetarët dhe aktivistët që kontribuan.
Raporti me gjetjet dhe rekomandimet kryesore mund te lexohet & shkarkohet ketu:
ISP – Gjetje dhe rekomandime – Integriteti dhe burimet shteterore ne zgjedhjet 2023