Integriteti i partive politike dhe kandidatëve është thelbësor për integritetin e zgjedhjeve. Shqipëria inicioi dekriminalizimin, SPAK dhe sistemi i drejtësisë po hetojnë edhe politikanë e zyrtarë të lartë, por ndryshimi cilësor kërkon reagim reflektues e reformues nga vetë aktorët politikë, angazhim nga shoqëria civile dhe raportime kurajoze nga media, pjesëmarrje qytetare dhe investim të së gjithë shoqërisë në rritjen e kulturës demokratike.
- Cili është perceptimi qytetar mbi problematikat/pritshmëritë?
- Cili është roli që mund të luajnë institucionet dhe partitë?
- Cilat janë përgjegjësitë dhe sfidat e KQZ dhe organeve ligjzbatuese?
- Integriteti si standard, nevojë dhe sfidë për Shqipërinë drejt BE?
Për të diskutuar mbi këto tematika Institutit i Studimeve Politike (ISP) organizoi në Pogradec një forum debati me ekspertë të fushës, përfaqësues nga shoqëria civile e media lokale, aktivistë lokalë dhe përfaqësues nga institucionet. Ekspertët Ervin Karamuço, Afroviti Gusho, Dorjana Pano dhe Juliana Bilbilaj paraqitën pikëpamjet e tyre dhe ofruan rekomandime në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Diskutimi konstruktiv i pjesëmarrësve përbën edhe një tregues të rolit dhe rëndësisë së aktorëve civilë lokalë në adresimin e standardeve të integritetit tek partitë, kandidatët dhe vetë procesi zgjedhor 2025.
Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.