ISP ka vijuar të monitorojë ecurinë e jetësimit të standardeve të integritetit në përfaqësimin politik në Shqipëri. Integriteti i partive politike dhe i kandidatëve, i administrimit zgjedhor dhe i stafeve elektorale është pjesë e rëndësishme e fokusit monitorues, si dhe një kriter thelbësor për standardin e zgjedhjeve dhe integritetin e tyre.
Në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike” të mbështetur nga Ambasada Britanike në Tiranë, ISP ka hartuar edhe raportin “Integriteti dhe institucionet në Shqipëri” për periudhën mars-qershor 2025. Eksperti i ISP ka analizuar të dhënat mbi integritetin, disa prej gjetjeve të të cilave janë:
1. Institucionet e drejtësisë dhe strukturat ligjzbatuese kanë ndërmarrë akte konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SPAK ka proceduar rreth 84 raste ndërsa Prokuroria e Përgjithshme 26 raste. Policia e Shtetit dhe AMP kanë trajtuar dhjetëra raste të shkeljeve ligjore, përgjithësisht vepra penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv. Akte të tilla i paraprijnë veprimit të ligjit të dekriminalizimit dhe kontribuojnë në ndarjen e shtetit nga individë me rekorde kriminale dhe korruptive.
2. Gjatë periudhës në analizë, ka një rënie të numrit të hetimeve të reja të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa është vijuar me çështjet ekzistuese duke i dërguar për gjykim. SPAK në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese evropiane ka goditur disa grupe kriminale me shtrirje dhe veprim ndërshtetëror. Megjithatë, ekzekutimi i masave të sigurimit pas zgjedhjeve ngre shqetësim për kohën e veprimit dhe mundësinë e ndikimit të këtyre strukturave kriminale në procesin elektoral të 11 Majit 2025.
3. Partitë politike vijojnë t’i kundërvihen frymës së ligjit të dekriminalizimit dhe standardeve të integritetit. Individë nën hetim, në procese gjyqësore ose nën sanksione ndërkombëtare për përfshirje në korrupsion kandiduan dhe siguruan mandatin e deputetit në zgjedhjet e 11 Majit duke cenuar parimet dekriminalizimit dhe kriteret evropiane për zgjedhje të drejta, të barabarta dhe me politikanë me integritet.
4.Lidhjet klienteliste të biznesit dhe krimit po depërtojnë në institucionet përfaqësuese si Kuvendi apo strukturat e tjera shtetërore nëpërmjet fuqisë ekonomike dhe elektorale. Mungesa e një dispozite në ligjin e dekriminalizimit për sanksionimin e kontakteve të papërshtatshme me botën e krimit ka krijuar një boshllëk ligjor që po shfrytëzohet për ndërtimin e lidhjeve informale mes politikës dhe krimit të organizuar. Kjo sjellje minon demokracinë funksionale, parimet e llogaridhënies dhe standardet e integritet, duke e kthyer ligjin e dekriminalizimit në një mekanizëm pa fuqi vepruese gjithëpërfshirëse dhe transformuese të jetës politike dhe institucionale të vendit.
Raporti i plotë me një permbledhje anglisht gjendet këtu:
Integriteti dhe Institucionet 2025 (Raport mars -qershor)