Zgjedhjet parlamentare 2021 u zhvilluan mbi një bazë të re ligjore lidhur me hierarkinë e hetimeve për krimet zgjedhore. Për herë të parë SPAK ishte pjesë e hetimeve duke kryer hetime për 40 çështje që lidhen me krimet zgjedhore.
Prokurori i Përgjithshëm ka informuar se në të gjithë sistemin e prokuroritë janë adresuar numër rekord me njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve.
• Në SPAK 40 raste
• Në sistemin e prokurorisë 125 raste
Në sistemin e prokurorisë, nga këto:
• 82 kallëzime nga subjektet politike / kandidatët/ shtetasit
• 20 referime nga policia gjyqësore
• 23 referime të ardhura me transferim nga SPAK
Hetimi i krimeve zgjedhore kërkon kohë dhe bashkëpunim të disa institucioneve, megjithatë mbetet një nevojë e madhe, një premtim, por edhe sfida më e rëndësishme e institucioneve në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor të vitit 2021. Qytetarët presin që cilido individ përgjegjës për vepra penale në fushën e zgjedhjeve, pavarësisht pozitës dhe përkatësisë politike, të përballet me drejtësinë.
ISP vlerëson se hetimi i krimeve zgjedhore është edhe një test i rëndësishëm për institucionet e reja të drejtësisë dhe sidomos për SPAK. Premtimi se reforma në drejtësi do të ofrojë standarde më të larta drejtësie dhe fund të pandëshkueshmërisë është në sprovë.
ISP nxit SPAK dhe Prokurorinë të hetojnë me seriozitetin e duhur dhe brenda një afati kohor të arsyeshëm çdo denoncim lidhur me krimet zgjedhore. ISP nxit partitë dhe kandidatët të kenë qëndrime konstruktive në deklarimet e tyre lidhur me organet e drejtësisë dhe të bashkëpunojnë me to në këtë mision.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Drejtësia e munguar minon bazën e besimit në një shtet demokratik.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ dhe fushatën elektorale, si pjesë të angazhimit në projektin “Monitoring the 2021 Parliamentary Elections in Albania” mbështetur financiarisht nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes ambasadës britanike në Tiranë.