Kushtetuta e RSH përcakton se qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike dhe se sovraniteti i përket popullit, i ushtruar nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Shqipëria nisi negociatat e anëtarësimit në BE, por kriteri i demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës ka në themel të tij pjesëmarrjen politike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Gjeneratat e deritanishme nuk e kanë arritur ende këtë standard, kjo mbetet sfida kryesore për brezin e ri të sotëm dhe Shqipërinë e ardhshme në BE.
Cili është roli dhe interesi i të rinjve për pjesëmarrje politike? Sa dëgjohet dhe përfaqësohet zëri i tyre? Sa besojnë të rinjtë tek sistemi përfaqësues dhe integriteti i votës? Rëndësia e votës dhe e procesit zgjedhor, vlera e programeve politike dhe integritetit në zgjedhje, tiparet e kandidatëve që duhen dhe cilësia e ofertave politike. Risitë e sistemit të ri zgjedhor dhe fushatës së pritshme parlamentare të zgjedhjeve 2025. Sukseset, dështimet dhe aftësia për reflektim dhe standarde. Vota dhe integriteti, përgjegjësitë e të zgjedhurve dhe zgjedhësve, roli i zërave/grupeve civile dhe nevoja jetike për informim, sensibilizim, formim demokratik dhe ndarje nga praktikat e gabuara të së kaluarës.
Këto ishin disa prej temave që u diskutuan në bashkëbisedimin me të rinjtë në Fier, organizuar nga Instituti i Studimeve Politike / Institute for Political Studies (ISP) dhe Akademia e Studimeve Politike (APS). Me pjesëmarrjen e ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulta Reinout Vos, deputetëve Ermonela Felaj Valikaj (PS) dhe @Saimir Korreshi (PD), përfaqësuesve të shoqërisë civile Nevila Jahaj, Erjon Tase dhe Afrim Krasniqi, të rinjtë nxënës në shkolla të mesme dhe votues për herë të parë më 2025, zhvilluan një diskutim të hapur, interaktiv dhe inkurajues për përfshirjen sa më të gjerë të tyre në proceset politike dhe vendimmarrëse në vend.
Aktiviteti ishte pjesë e projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Embassy of the Netherlands in Albania përmes programit MATRA.