E dini? 12 qytetarë u ekzekutuan gjatë vitit 1990 në Shkodër në përpjekjet e tyre për tu arratisur nga vendi? Ekzekutimet vijuan edhe pasi regjimi ndryshoi Kodin Penal duke hequr cilësimin “tradhti ndaj atdheut” që shoqërohej me dënim me vdekje. Një pjesë e trupave u përdorën për demonstrim force në publik, të tjerët u varrosën pa dijeninë e familjeve apo nuk janë gjetur ende.
Historia e vrasjeve në kufi në periudhën e fundit të regjimit komunist është një prej historive më të dokumentuara të krimit shtetëror, si dhe një prej rasteve ende të pa trajtuara nga institucionet dhe shteti ligjor. Shteti e shoqëria shqiptare kanë detyrim moral e ligjor të veprojnë për të mundësuar rivendosje të drejtësisë, zbulim të së vërtetave dhe qasje institucionale mbi kujtesën, memorien dhe nderimin e viktimave politike të periudhës së vrasjeve në kufi. Krahas institucioneve përgjegjëse rol të rëndësishëm ka edhe informimi publik cilësor, sidomos i brezave të rinj, për të promovuar vlerat e dialogut mbi të kaluarën, të reflektimit dhe të drejtave të njeriut.
Bazuar në gjetjet, trajtimin, rekomandimet dhe nevojën për informim se sensibilizim Instituti i Studimeve Politike (ISP) organizoi një forum diskutimi me studentë nga Universiteti i Shkodrës “ Luigj Gurakuqi” në ambientet e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Nisma e ISP mbështetet financiarisht nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) përmes grandit nga Bashkimi Evropian.
Debatit i kontribuuan ekspertët e të drejtës, profesorët Roland Dodani dhe Entela Hoxhaj, drejtuesi i Muzeut VDK Pjerin Mirdita, përfaqësuesi i ICMP në Shqipëri Luigj Ndou dhe në Kosovë Moratina Ylber Morina, si dhe drejtuesit e shoqatës së ish- të përndjekurve politik / “16 qershori 1990” Zenel Drangu dhe Filip Guraziu. Pjesë aktive ishin edhe të rinjtë pjesëmarrës dhe përfaqësuesit e ISP-së.



