Deputetët vendosën unanimisht të dyfishojnë rrogën e tyre mujore në kuadër të rritjeve që u bënë për piramidën e lartë shtetërore dhe punonjësit e administratës publike. Vendimi erdhi menjëherë pas zgjedhjeve vendore, ku u shënua numër rekord qytetarësh që refuzuan pjesëmarrjen, pra refuzuan edhe ofertat politike të diktuara nga partitë tradicionale politike. Për ISP mbetet e qartë se rroga e mëparshme, sidomos për deputetët që nuk përfitonin benefice të tjera mbështetjeje, rroga ishte e vogël në raport me parlamentet e rajonit dhe në angazhimin që mbart aktiviteti parlamentar, por vendimi për të rritur ndjeshëm rrogën vjen në kontrast të thellë me trendin rajonal e më gjerë, si dhe me rënien ekonomike në vend, sidomos më rënien e standardeve ekonomike dhe të jetesës së qytetarëve .
Gjithsesi, raportet periodike të Institutit të Studimeve Politike (ISP) kanë treguar se një pakicë deputetësh janë shumë aktivë, shfrytëzojnë të drejtat dhe përgjegjësitë parlamentare në mënyrën më maksimale, kanë produkt parlamentar, iniciojnë ligje dhe ndërmarrin akte serioze dhe të denja për pozitën që kanë. Por, paralelisht, ekziston një pjesë tjetër deputetësh që nuk kanë lënë gjurmë parlamentare përveç në raste skandalesh ose incidentesh, nuk flasin, nuk propozojnë, nuk kanë mendim, nuk kanë ide politike dhe nuk dëshmojnë dhe as përmbushin pothuajse asnjë prej kritereve thelbësore të të qenit parlamentar. Ata janë aty kryesisht për shkak të lidhjeve personale me liderit politikë, ndikimit klienteliste në zonën zgjedhore, aftësinë ne menaxhimin e votës lokale apo për shkak të sistemit të shkëmbimit të ndereve dhe privilegjeve me oligarkë apo politikanë të lartë.
Sa përfitojnë deputetët? Tabela ilustron pagën e deputetëve më të paguar për muajin maj 2023, pra në muajin kur Shqipëria ishte në fushatë elektorale dhe supozohet se nuk do të kishte aktivitet normal parlamentar (siç edhe nuk pati). Ndonëse muaj thuajse pushim për parlamentin, pagesat e kryera drejt tyre janë ndër më të lartat në historinë e parlamentarizmit prej vitit 1991. Kolona e parë paraqet rrogën mujore standarde të deputetëve, kolona e dytë pagesat shtesë që deputetët përfitojnë (bonusi i karburantit, i telefonit, dietat brenda dhe jashtë vendit, honorarët për pjesëmarrje në komisione, bonus strehimi, etj). Tek kategoria e dytë përfitues kryesorë janë kryesisht deputetët e zonave të largëta, ndryshe nga ata të Tiranës, të cilët kanë kuota më të ulta bonusi dhe përfitimi. Ndaj tek tabela dominojnë deputetët e zonave të largëta, Shkodër, Korçë apo Vlorë.
Siç shihet nga tabela, ndër deputetët më të paguar për muajin maj 2023 nga taksat tona bëjnë pjesë vetëm disa nga deputetët aktivë në vlerësimet periodike të ISP, dhe në shumicë kryesojnë deputetët që nuk kanë “gjurmë” legjislative dhe parlamentarizmi. I njihni? Nuk ka rëndësi, ata ju njohin juve sepse vijnë tek ju kur ka fushata elektorale. Për simbolikë, dy deputetët e heshtur të PSD janë në 5 vendet e para, deputeti që bëri ligj për mikun e tij dhe deputeti që i thuri lavde diktatorit Hoxha janë gjithashtu në 10 vendet e më të paguarve. Po ashtu tabelës i janë shtuar deputeti që dha dorëheqjen për skandalin e dhunës në Krujë me “vetëm” 4.5 milionë ALL në muaj (të vjetra) ashtu si edhe deputeti që është në kërkim nga Policia e SPAK me “vetëm” 3.5 milionë ALL në muaj (të vjetra)!
Vlen të theksohet se parlamenti tashmë aplikon një standard pozitiv transparencë duke bërë publike të dhënat financiare të përfitimeve nga deputetët. Kjo përvojë duhet të shoqërohet me transparencë më të madhe edhe në aspektet e tjera të aktivitetit parlamentar, përfshire hetime administrative në rastet e abuzimit me detyrën dhe krijimin e mekanizmave matës të lidhjes midis përfitimit, produktit dhe pritshmërive ndaj deputetëve. Imagjinoni një deputet që përfiton rrogë e bonuse mujore 5 milionë lekë pa pasur asnjë angazhim parlamentar, përveçse pjesëmarrjen formale në mbledhje, ku voton gjithnjë sipas vendimit politik të partisë që i përket! Imagjinoni standardet e jetesës që kanë zgjedhësit e tyre atje në zonë, ku sipas INSTAT treguesit e varfërisë janë në rritje dhe pamundësia ekonomike për të përballuar kostot e larta të jetesës është bërë edhe më kritike!
Ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP), që monitorojnë aktivitetin parlamentar prej vitit 2016 dhe në vijim, vlerësojnë se rritja e dukshme e rrogës dhe përfitimeve financiare të deputetëve do të duhej të kthehej në të mirë publike përmes rritjes së dukshme të aftësisë, integritetit dhe profesionalizmit të parlamentit, gjë që nuk ka ndodhur, përkundrazi. Në sondazhin e fundit mbi besimin mbi qeverisjen, parlamenti renditet nga fundi, rreth dy herë më poshtë sesa institucionet fetare, ushtria, sistemi arsimor, shoqëria civile, etj, duke qenë prej vitesh institucioni politik me besimin më të ulët publik. Po ashtu, ISP vlerëson se ky kontrast i thellë midis trajtimit financiar dhe produktit parlamentar do të duhet të nxisë debate për sistemin aktual përfaqësues, numrin e deputetëve, mënyrën e organizimit të grupeve parlamentare, hetime shteruese dhe të vazhdueshme për konfliktet e interesit dhe mënyrës sesi deputetët e përdorin mandatin e tyre në raport me Kodin e Etikës dhe legjislacionin mbi transparencën e llogaridhënien, si dhe elementë të tjera që mund të ndikojnë ta bëjnë parlamentin më të pranueshëm dhe ta largojnë nga lista fundore e institucioneve me besim publik minimal në Shqipëri.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)