Cilat janë të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve? Si mund të identifikohet një deputet i suksesshëm? Cilat janë standardet dhe praktikat e mira parlamentare në Shqipëri dhe vende të tjera? Çfarë duhet të bëjë një deputet që të jetë cilësor në përfaqësim dhe jetën politikë? Cilët janë mekanizmat parlamentarë dhe ligjorë që kanë deputetët në dispozicion për ta kryer sa më mirë funksionin e tyre? Si krijohen raporte të mira publike dhe si është perceptimi publik mbi deputetët? Standardet e Kodit të Sjelljes dhe të aktivitetit parlamentar, brenda e jashtë parlamentit.
Të gjitha këto pyetje e tematika, të trajtuara me detaje nga stafi i ekspertëve të ISP realizues të broshurës informative mbi deputetët dhe Kuvendin.
Aktiviteti parlamentar është veprimtari me rëndësi për deputetët, për qytetarët dhe për demokracinë përfaqësuese. Parlamenti mbetet institucioni kryesor, vendi kryesor i politikës, synimi kryesor i të gjithë aktorëve politikë dhe referimi kryesor në media. Çdo ngjarje në parlament është ngjarje publike dhe politike pasi: çdo vendim përfshin shtetin dhe qytetarët, çdo sukses parlamentar është investim për demokracinë funksionale, çdo krizë parlamentare kthehet në kosto për qytetarët dhe vendin.
Gjatë legjislaturave të tranzicionit ka pasur modele të ndryshme parlamentare, me kuota të larta ose minimale besimi, modele pozitive dhe negative, kriza dhe stabilitet, parlamente të dominuara me një ose dy parti, parti me shumë grupe parlamentare, etj. Pozita kushtetuese e Kuvendit nuk ka ndryshuar, por pozita ligjore e deputetëve, të drejtat dhe detyrimet, kanë ndryshuar në varësi nga sfidat dhe nevojat drejt një demokracie më funksionale. Vitet e fundit, sondazhe të ndryshme periodike nga institucione të besueshme vendore dhe ndërkombëtare dëshmojnë se niveli i perceptimit dhe besueshmërisë mbetet kritik.
Broshura është hartuar në kuadër të projektit për monitorimin e parlamentit 2021-2023, projekt i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Mendimet dhe pikëpamjet e shprehura në këtë raport janë përgjegjësi e ISP dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pozicionin zyrtar të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Pjesët e botimit nuk mund të riprodhohen pa pëlqim paraprak nga ISP.
Broshura informative mund të lexohet & shkarkohet këtu:
ISP – Broshurë informative për deputetët, Kuvendin dhe aktivitetin parlamentar