Në sondazhin mbi besimin në qeverisje 2022 parlamenti është institucioni me besimin më të ulët publik (33%) ndjekur nga prokuroria (35.2%) dhe gjykatat (36.2%), duke u krahasuar me partitë politike, të cilat duke mos qenë institucion shtetëror dhe i identifikueshëm ka edhe perceptim më kompleks (29%). Ky është një prej anketimeve më të qëndrueshme në metodologji dhe në periodicitet, ndërkohë që në sondazhe të tjera profesionale që lidhen me problematika të përfaqësimit rezultojnë të dhëna kritike për cilësinë parlamentare, nivelin e korrupsionit, integritetin e deputetëve dhe hendekun e thellë midis mandatit, pritshmërive publike dhe rezultateve konkrete të aktivitetit të tyre ligjvënës dhe politik. Megjithëse sondazhet dhe anketimet janë perceptime dhe si të tilla, tregojnë trende jo 100% matje faktike të gjetjes dhe problematikave, sondazhet dhe anketimet ofrojnë të dhëna serioze për të kuptuar trendet e zhvillimit dhe për të korrektuar politika vendimmarrëse.
Ky nivel kritik i besimit tek parlamenti nuk është një trend kritik vetëm për Shqipërinë, por në tërësi, një trend kritik për parlamentarizmin në tërësi, përfshirë vendet e rajonit. Kriza e demokracisë dhe e përfaqësimit reflektohet së pari tek parlamenti dhe partitë politike dhe më pas në institucionet e tjera, tipari i rritjes së natyrës autoritariste të regjimeve në disa vende, përfshirë rajonin dhe Shqipërinë, ndikon në dobësimin e parlamentarizmit dhe rivalitetin midis mbështetjes për udhëheqësin kryesor politik (president ose kryeministër, në varësi nga sistemi qeverisës) dhe parlamentit, si produkt indirekt institucional i tij/tyre.
Kurba e besimit te parlamenti 2015-2002 në vetvete përputhet me dy zhvillime, kuotën më të ulët të besimit në legjislaturën e dominuar nga debati mbi disa deputetë të inkriminuar, shkak që çoi më 2015 në miratimin e ligjit të dekriminalizimit, si dhe kuota e dytë më kritike kur opozita dorëzoi mandatet parlamentare dhe bojkotoi sistemin përfaqësues më 2019-2020. Vitet e fundit ka pasur edhe praktika të deklarimeve “non grata”, hetime për korrupsion e dorëheqje të zyrtarëve të lartë, përfshirë deputetë, si dhe fenomene të tjera, të ndryshme nga praktika e deritanishme e tranzicionit. Impakti i tyre do kohë të matet, por në tërësi ekziston një presion e konsensus publik mbi nevojën e reformimit të politikës, duke nënkuptuar, reformimin e mënyrës së bërjes së politikës, të vendimmarrjes, të sjelljes së aktorëve politikë, të transparencës dhe të llogaridhënies së tyre. Premtimi për dhënie fund të pandëshkueshmërisë mbetet slogan përderisa reformat antikorrupsion nuk do të sigurojnë standarde të njëjta hetimi edhe për zyrtarët e lartë me imunitet politik, siç janë deputetët, ministrat dhe zyrtarët e zgjedhur ose të emëruar edhe nga parlamenti.
Të dhënat e tabelës dhe në tërësi raportet kritike për nivelin e parlamentarizmit, cilësinë e përfaqësimit, korrupsionin me natyrë politike, dekriminalizimin, konfliktualitetin politik, etikën e munguar parlamentare, ligjërimin denigrues, etj, lidhen me standardet e integritetit, të cilat ndonëse nuk janë standarde 100% ligjore, janë baza e standardeve etike, e kodeve të sjelljes dhe të integritetit në përfaqësim e vendimmarrje.
Nevoja për një parlament të hapur dhe llogaridhënës, me standarde të larta integriteti dhe që zbaton praktikat e mira të Kodit të Sjelljes nxiti Institutin e Studimeve Politike (ISP) të angazhohet në promovimin e këtyre parimeve, monitorimin e praktikave dhe aktivitetit parlamentar dhe investimin publik e profesional në projektin “A parliament with integrity: Code of Conduct, transparency and accountability” të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Kjo broshurë informative është produkti i parë i projektit. Synimi kryesor është sensibilizimi i deputetëve, grupeve parlamentare dhe strukturave të Kuvendit mbi rëndësinë e standardeve të etikës, të Kodit të Sjelljes dhe të integritetit në përfaqësim dhe vendimmarrje. Broshura është hartuar nga ekipi i ekspertëve të ISP-së, me përvojë
të gjatë në monitorimin dhe ndjekjen e problematikave që lidhen me jetën parlamentare në Shqipëri. Një numër botimesh profesionale, – raporte periodike apo anketime, broshura dhe studime, gjenden në aneksin përmbyllës të broshurës dhe janë me akses të lirë për çdo të interesuar.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) falënderon ambasadën e SHBA në Tiranë për besimin dhe mbështetjen, si dhe të gjithë ekspertët e angazhuar në kuadër të projektit. ISP falënderon edhe Kuvendin, i cili përmes zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm ka shprehur vullnetin për bashkëpunim në jetësimin e projektit.
Broshurën e plotë mund ta lexoni ose shkarkoni në linkun:
Broshure informative – Kodi i Sjelljes, praktikat, modelet dhe standardet e integritetit parlamentar