ISP në kuadër të projektit “Parlament i pastër: llogaridhënie dhe transparencë” hartoi dhe iu shperndau të gjithë deputetëve broshurën informative mbi Konfliktin e Interesit dhe Kodin e Sjelljes në Kuvend dhe në aktivitetin parlamentar.
Institucionet publike krijohen për t’i shërbyer interesave publike. Për Kuvendin e Shqipërisë është detyrë parësore e institucionit dhe e deputetëve, që si përfaqësues të drejtpërdrejtë të preferencave politike të zgjedhësve të tyre, t’u shërbejnë interesave të qytetarëve dhe të vendit. Në sistemin tonë qeverisës parlamenti është institucioni kryesor vendimmarrës dhe burim për një numër të madh institucionesh të tjera: ekzistenca e një parlamenti transparent, llogaridhënës, jashtë konfliktit të interesit në vendimmarrje dhe ushtrues i standardeve të larta etike, përbën një kontribut e vlerë të madhe për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. E anasjellta, reflektimi në aktivitetin parlamentar i praktikave abuzuese vendimmarrëse në konflikt interesi apo jashtë standardeve etike, sjell rënien e besimit publik tek parlamenti dhe cënim të vlerave të demokracisë funksionale dhe përfaqësuese.
Parlamenti përbëhet nga 140 deputetë dhe secili prej tyre ka rol të rëndësishëm në sukseset apo dështimet e institucionit. Në një sistem demokratik dhe të vlerave europiane, ku Shqipëria synon të jetë e integruar, pritet nga deputetët që interesat e tyre private të mos ndikojnë apo komprometojnë ushtrimin e detyrave që ndërmarrin. Po kështu, pritet që deputetët të jenë përfaqësuesit më të denjë e të drejtë të popullit, sepse janë udhërrëfyes dhe përcaktues të jetës në vend përmes vendimeve që ato marrin. Në këtë këndvështrim, çështjet e parandalimit të korrupsionit, transparencës, ruajtjes dhe reflektimit të standardeve të larta të sjelljes në publik marrin rëndësi të veçantë.
BROSHURA MUND TË LEXOHET & SHKARKOHET KËTU:
ISP – BROSHURE MBI KONFLIKTIN E INTERESIT DHE KODIN E SJELLJES


