Referuar të dhënave të komisionerëve (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit – KPK) rezulton se në vendimmarrjet e vitit 2018, komisionerët kanë pasur raporte të ndryshme vendimmarrëse midis rasteve të konfirmimit dhe të shkarkimit nga funksioni. Kuotat e konfirmimit në detyrë variojnë nga 50% në 64% të rasteve për secilin komisioner, kurse kuotat e shkarkimit nga funksioni variojnë nga 36% në 65% për listën e komisionerëve. Në total përqindja e vlerësimeve pozitive dhe negative për subjektet e rivlerësimit ka diferencë 10% në favor të vendimmarrjeve konfirmuese, 55% me 45%.
Lidhur me vendimmarrjen e secilit komisioner, rezulton se dy komisionerë nuk kanë diferencë në vlerësimet për konfirmim ose shkarkim, (Bekteshi dhe Sanxhaktari). Diferencën më të lartë e ka komisionerja Çiftja me 30% më shumë shkarkime sesa konfirmime në detyrë, ndjekur nga Suela Zhegu, Pamela Qirko e Genta Tafa (Bungo) me nga 2%, etj. Referuar komisionerëve më “liberalë” për subjektet e rivlerësimit, komisioneri Roland Ilia kryeson me 64% të vendimeve konfirmuese, si dhe Suela Zhegu, Pamela Qirko e Genta Tafa (Bungo) me nga 63% vendime konfirmuese në detyrë. Dy komisionerë, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli kanë 59% vendime konfirmuese ndaj 41 vendimeve për shkarkim.
Nga ana tjetër, komisionerët më “të ashpër” ndaj subjekteve të rivlerësimit janë Etleda Çiftja 35% konfirmime dhe 65% shkarkime, Alma Faskaj me 60% shkarkime (ka numër minimal rastesh të gjykimit), si dhe Lulzim Hamitaj me 56% shkarkime ndaj 44% konfirmime. Këta janë tre komisionerët e vetëm me mbi 50% vendimmarrje për shkarkimin e subjekteve të rivlerësimit.
Tabela ilustron të dhënat për secilin komisioner, përqindjet e vendimeve për konfirmim në detyrë dhe për shkarkime. Në vendime nuk janë reflektuar rastet e votës në minorancë, e cila duhet konfirmuar më tek në saktësinë e saj përmes vendimeve në KPA. Tabela aktuale vjetore ka diferencë me tabelën e njëjtë të publikuar për ecurinë e procesit të rivlerësimit deri në gusht 2018. Në tërësi tabela reflekton vetëm të dhënat formale dhe jo përmbajtësore, pasi një analizë e detajuar e treguesve dhe e rasteve mund të nxjerrë në pah cilësi e tregues të tjerë identifikues për secilin komisionerë.
Për më shumë të dhëna dhe analizë, mund të lexoni / shkarkoni raportin e plotë të Institutit të Studimeve Politike mbi reformën në drejtësi, bilancin 2018 dhe sfidat 2019 në linkun
http://isp.com.al/index.php/2019/01/02/reforma-ne-drejtesi-2018-bilanci-problematikat-sfidat/