Qeverisja e mirë dhe standardet e shtetit të së drejtës i japin rëndësi thelbësore miratimit dhe zbatimit të ligjeve të mira, reformatore dhe funksionale. Ligjet sjellin impakt pozitiv kur, krahas legjitimitetit, shoqërohen me aktet nënligjore që mundësojnë jetësimin e tyre.
Realizimi në kohë i ligjeve dhe akteve nënligjore të parashikuara në VKM mbi projektaktet e vitit 2020 është detyrim ligjor dhe përgjegjësi institucionale. Mungesa e akteve nënligjore e bën ligjin të pazbatueshëm dhe ka si impakt kryesor cenimin e parimit dhe funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Mungesa ose vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore krijon hapësirë për abuzim dhe korrupsion, si dhe dobëson besimin e qytetarëve tek demokracia dhe ligji.
Të dhënat e monitorimit nga ISP tregojnë se:
a) ka ligje të suksesshme edhe për shkak se janë shoqëruar me akte nënligjore
b) ka ligje të miratuara, për të cilat ende nuk janë nxjerrë aktet nënligjore.
c) ka akte nënligjore, të cilat krijojnë konflikte ligjore midis tyre dhe me vetë ligjin
d) ka ligje dhe akte nënligjore, për të cilat nuk ka mekanizëm funksional zbatimi
Kuvendi miraton ligjet, qeveria i zbaton ato, por Kuvendi dhe qeveria nuk kanë një mekanizëm efektiv kontrolli, monitorimi dhe zgjidhjeje të qëndrueshme të kësaj problematike. Paraqitja e nismave ligjore bashkë me aktet nënligjore mund të jetë një zgjidhje efektive për të ardhmen. Koha për ligje të plota dhe funksionale, për rritje të kulturës ligjore transparencës, për standarde më të larta dhe forcim të shtetit të së drejtës.
Praktika e monitorimit në legjislacionin që lidhet me punësimin, strehimin, ndihmën ekonomike, çështjet e pronësisë, arsimin, pakicat kombëtare, pushtetin vendor, trajtimin e shpresave sociale, etj, tregojnë se pjesa më e madhe e ligjeve përkatëse nuk janë shoqëruar me aktet nënligjore ose ka pasur vonesa e mangësi në nxjerrjen dhe zbatimin e tyre.
ISP është duke monitoruar matricën ligjore dhe impaktin e akteve të munguara ligjore me qëllim sensibilizimin dhe nxitjen e institucioneve për nxjerrjen e tyre në kohë dhe rritjen e standardeve të zbatimit të ligjit. Projekti po jetësohet me mbështetjen financiare nga Programi i Komisionit për Demokracinë i administruar nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë.