Ky raport analizon disa dimensione kyçe të integritetit politik dhe institucional në Shqipëri, me fokus të veçantë në marrëdhënien midis sistemit politik, institucioneve demokratike dhe sistemit të drejtësisë. I hartuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, të zbatuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED), raporti mbështetet në monitorimin e realizuar gjatë fundit të vitit 2025 dhe fillim vitit 2026.
Analiza përqendrohet në tre fusha të ndërlidhura. Së pari, ajo vlerëson ndikimin e ligjit të dekriminalizimit, intensifikimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë (“VIP cases”) dhe dobësitë e vazhdueshme të partive politike në përzgjedhjen e kandidatëve. Së dyti, shqyrton vakancën e zgjatur dhe procesin e debatueshëm të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, si provë e përgjegjësisë parlamentare dhe e kredibilitetit institucional. Së treti, analizon përpjekjen për rishikimin e Rregullores së Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me theks te transparenca, balanca institucionale dhe llogaridhënia parlamentare.
Raporti evidenton një problem më të gjerë strukturor: ndërsa në Shqipëri është shënuar progres në rritjen e llogaridhënies penale dhe në aktivizimin e sistemit të drejtësisë, sistemi politik nuk ka reflektuar një përmirësim të krahasueshëm në përgjegjësinë politike, në përzgjedhjen meritokratike dhe në aftësinë për vetëkorrigjim institucional. Në disa raste, reformat dhe procedurat rezultojnë formalisht në përputhje me ligjin, por mbeten të dobëta në përmbajtje, duke i lënë hapësirë diskrecionit politik të mbizotërojë mbi standardet kushtetuese dhe besimin publik.
Në këtë kuptim, sfida e integritetit në Shqipëri nuk është më vetëm juridike. Ajo është po aq politike, institucionale dhe kulturore. Pa reformim më të thellë të partive politike, pa standarde më të forta parlamentare dhe pa mbrojtje më të madhe të institucioneve të pavarura, përparimi në llogaridhënie rrezikon të mbetet i pjesshëm, i fragmentuar dhe i vështirë për t’u konsoliduar.
REKOMANDIME
- Partitë politike duhet të zhvillojnë mekanizma të detyrueshëm dhe transparentë për verifikimin paraprak të kandidatëve, duke e kthyer integritetin në kriter themelor të përzgjedhjes.
- Kuadri ligjor i dekriminalizimit duhet të rishikohet për të adresuar jo vetëm precedentët penalë, por edhe lidhjet e papërshtatshme, konfliktet e interesit dhe format informale të ndikimit kriminal në politikë.
- Kuvendi duhet të garantojë respektimin e afateve kushtetuese dhe ligjore për plotësimin e vakancave në institucionet e pavarura, duke shmangur zgjatjen e pajustifikuar të tyre.
- Procedurat për zgjedhjen e institucioneve të pavarura duhet të orientohen më shumë nga meritokracia, transparenca dhe besimi publik, dhe më pak nga kompromisi politik.
- Rishikimi i Rregullores së Kuvendit duhet të bëhet mbi bazën e një pakete të plotë reformuese, që forcon kontrollin parlamentar, konsultimin publik, rolin e komisioneve dhe transparencën e vendimmarrjes.
- Duhet të shmangen formulimet evazive që lejojnë diskrecion të gjerë politik dhe të zëvendësohen me standarde të qarta, të njësuara dhe të verifikueshme.
- Shoqëria civile, media dhe komuniteti akademik duhet të kenë rol më të fortë në monitorimin e integritetit të jetës publike dhe të proceseve parlamentare.
Raporti i plotë i monitorimit mund të lexohet këtu:
Raport monitorimi – Hetimet VIP dhe integriteti tek institucionet dhe partitë politike


