Reforma në drejtësi filloi me synimin që sistemi i drejtësisë të ndryshonte totalisht, për të krijuar një sistem sa më efiçent dhe rikthimin e besimit të publikut tek ky sistem. Për këtë arsye u krijua një sistem rivlerësimi kalimtar që do të kontrollonte të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, si edhe u ngritën organe të reja për administrimin e sistemit të drejtësisë si, KED, KLGJ, KLP dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ky i fundit u krijua me një qëllim të qartë, që nëpërmjet kompetencave që ai do të ushtronte ta bënte sistemin e drejtësisë më të përgjegjshëm dhe të pengonte që sistemi i ri të kthehej në formën e mëparshme. Për këtë arsye përgjegjësitë e këtij institucioni janë të mëdha.
Emërimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë bëhet nga Kuvendi, në bazë të kandidaturave të sjella nga KED. Pra, në këtë rast pozita dhe prestigji barazohet më atë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por KED e viteve 2017 dhe 2018 nuk funksionuan, duke sjellë dhe vonesa në fillimin dhe funksionimin e ILD. Vetëm KED i 2019 arriti të sjellë kandidaturat në Kuvend, i cili në muajin janar 2020 arriti të zgjedhë Inspektorin e parë të Lartë të Drejtësisë.
Këtij funksionari i ngarkohej detyra për ngritjen e këtij institucioni. Është e kuptueshme që një detyrë e tillë nuk ishte e lehtë, e komplikuar kjo edhe më ngjarje të tjera jashtë kontrollit të tij, si pandemia Covid-19. Gradualisht, struktura institucionale filloi të ngrihej, por sfidat për këtë institucion janë të shumta si shqyrtimi i ankesave të mbartura në vite, ashtu edhe trajtimi i ankesave të reja që vinin në këtë institucion. Kësaj i shtohet edhe barra e realizimit të inspektimeve tematike. Këto detyra duhet që të realizohen ndërkohë që nuk kemi një administratë të konsoliduar dhe të plotësuar në të gjitha nivelet e saj.
Qëllimi i këtij raporti është që të japë një pasqyrë të veprimtarisë së këtij institucioni, gjatë tre viteve të para të funksionimit të tij, sfidat me të cilat është përballur, sukseset që ka arritur, problematikat e hasura, si edhe mënyrën e përmbushjes së kompetencave të tij. Në fund raporti përmbyllet me pjesën e konkluzioneve dhe të rekomandimeve.
Dokumenti është pjesë e angazhimit të Institutit të Studimeve Politike (ISP) në kuadër të projektit “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien në përmbushje të kritereve të Grupit të Parë të Kapitujve Negociues”. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe po jetësohet nga një grupim organizatash ku bën pjesë ISP, nën drejtimin e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), në partneritet me Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti i Shkencës. Objektivi i projektit është të mbështesë negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE lidhur me Grupin e Parë të Kapitujve Negociues (Cluster 1), përmes përmirësimit të debatit të politikave, forcimit të llogaridhënies dhe rolit të OSHC-ve në proces. Cluster 1 përmban kapitujt e mëposhtëm: (23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore, 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria, 5 – Prokurimi publik, 18 – Statistikat, 32 – Kontrolli financiar dhe kriteret ekonomike, funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike).
Raporti i plotë mund të lexohet & shkarkohet këtu:
Albanian: ISP – Reforma ne drejtesi – Roli i Inspektorit te Larte te Drejtesise 2023
English: IPS – Justice reform – The role of the High Inspector of Justice (HIJ)