Cili është kuptimi kushtetues dhe ligjor mbi partitë politike?
Kushtetuta e Shqipërisë, neni 9, përcakton se organizimi i partive politike duhet të përputhet me parimet demokratike. Krahas nevojës për program politik, identitet dhe pjesëmarrje konkurruese në procese zgjedhore, partitë kanë ndikim të madh në formimin dhe përfaqësimin politik. Për të prodhuar mirëqeverisje dhe demokraci funksionale partitë duhet t’i kenë këto cilësi në jetën dhe organizimin e tyre të brendshëm.
Cili është problemi ynë me partitë politike?
Në Shqipëri janë regjistruar mbi 130 parti politike, por shumica absolute e tyre nuk respektojnë nenin 9 të Kushtetutës dhe as legjislacionin bazë: vendimet më të rëndësishme nuk merren nga anëtarët apo në struktura, nuk ka garë të brendshme dhe llogaridhënie, nuk ka zgjedhje periodike dhe as Regjistër të anëtarëve, financimi mbetet burim abuzimi dhe partitë janë njësuar me liderit e tyre. Kriteret e integritetit, dekriminalizimit dhe sjelljeve etike, sistemi i meritës, karrierës dhe transparencës janë përfshirë në dokumentet rregullatore të partive, por ato shumë rrallë zbatohen.
Çfarë duan qytetarët mbi partitë politike?
Qytetarët duan cilësi në përfaqësim, politikë me integritet, transparencë dhe llogaridhënie. Ata nuk duan mbipushtet të partive, por ndarje të partive nga shteti; nuk duan kontroll abuziv nga partitë, por kontroll ligjor mbi partitë; nuk duan parti që veprojnë mbi ligjin, por modele politike në standardet e vendeve të BE-së, nuk duan të jenë numra në llogaritë elektorale të partive, por të kenë zë, të dëgjohen dhe të respektohen në partitë politike, nga partitë politike dhe në çdo formë të proceseve zgjedhore.
Cila është zgjidhja e problemit?
Vetëm partitë që kanë demokraci brenda tyre mund të sjellin demokraci edhe për shoqërinë, jashtë tyre. Sfidë prioritare e demokracisë përfaqësuese në Shqipëri mbetet demokratizimi i vetë partive politike, njësimi i tyre me parimet kushtetuese, si dhe reformimi i legjislacionit mbi partitë dhe i financimit të tyre.
Koha është tani!
Published in the framework of the project “I participate! My voice, my vote counts,” which is being implemented by the Albanian Helsinki Committee (AHC) in partnership with the Institute for Political Studies (IPS) and Civil Rights Defeders (CRD). Financially supported by the European Union.
The content of this document are the sole responsibility of the implementing team at the Institute for Political Studies, and as such do not necessarily reflected the views of the European Union