Një dokument i thjeshtë, i titulluar “Personi përgjegjës” poshtë së cilës renditet një listë bosh që duhet mbushur me emra personash konkretë, i është dorëzuar shumicës së punonjësve të administratës publike. Në shembullin konkret, ky person i punësuar në administratën publike, deklaron përmes këtij dokumenti se garanton deri në 13 vota për Partinë Socialiste nga familjarët e tij, të afërm dhe miq. Kështu nisi disa muaj para ditës së votimit fushata e detyruar e çdo punonjësi të administratës publike në funksion të partisë në pushtet. Në Republikën e Shqipërisë janë rreth 184 mijë punonjës të Administratës publike, shumica e të cilëve gjenden nën presion, ashtu siç ka ndodhur edhe në procese të mëparshme zgjedhore. Në raportin e fundit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, si problematika kryesore e procesit zgjedhor u rendit pikërisht presioni i pushtetit ndaj administratës publike. Drejtuesit e misionit të OSBE-ODIHR theksuan se është e vështirë të gjendet kufiri mes partisë dhe administratës, një konstatim ky, që do të ishte i zakonshëm para më shumë se 3 dekadave, në kohën e partisë-shtet. Keqpërdorja e administratës nga politika u rendit si shqetësim më serioz se sa shitblerja e votës. “Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit”, tha Gacek gjatë prezantimit të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021″.
Administrata Publike është “punëdhënësi” më i madh në Shqipëri. Numri i punonjësve në administratë sa vjen e rritet, pavarësisht se qeveria krenohet me shtimin e numrit të shërbimeve online për qytetarët, dhe kjo rritje ndodh kryesisht në prag zgjedhjesh parlamentare apo vendore. Në vitin 2013, numri i administratës publike ishte 164 mijë të punësuar, sipas INSTAT. Në vitin 2020 numri i punonjësve të administratës shkoi në 173 mijë persona të punësuar. Ndërsa në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, numri i administratës publike arriti në 185 mijë persona të punësuar. Media ka raportuar në disa raste, se gjatë fushatës aktuale ka punësime masive në administratë. Të dhënat do të qartësohen gjatë muajve në vijim, në raportin e radhës nga INSTAT, por deri atëherë zgjedhjet do të jenë zhvilluar. Para zgjedhjeve, e gjithë kjo armatë punonjësish janë nën presion për të qenë pjesë e aktiviteteve politike dhe për të votuar partinë në pushtet. Ata nuk janë nën presion vetëm për votën e tyre, por duhet të garantojnë një numër të caktuar votash nga rrethi familjar a miqësor për të plotësuar një kuotë të caktuar prej 13 personash, në të kundërt kërcënohen me largim nga vendi i punës.
Presioni ndaj Administratës publike është vetëm një prej elementeve të strategjisë së Partisë Socialiste për të garantuar maksimumin e votave në zgjedhjet për pushtetin vendor më 14 maj 2023. Pjesës tjetër të elektoratit, që nuk janë të punësuar në administratë i ofrohet një shumë e caktuar për një votë, e cila rritet gjithnjë e më shumë me afrimin e datës së zgjedhjeve. Në zonat rurale vazhdon metoda klasike e blerjes me kosto të ulët që simbolizohet nga “thesi i miellit”. Pak ditë më parë, gazetari Osman Stafa, publikoi fotografinë e pakos së fushatës që ka mbërritur në çdo shtëpi të banorëve të fshatit Kokrevë në Hotolisht. Në fotografi shfaqen dy pako sheqer, tri shishe vaj, tri pako makarona, pesë kg miell dhe dy detergjentë. Kostoja për pakon e blerjes së votës në zonat rurale është shumë më e ulët se sa në zonat urbane. Çmimi i votës, tregon në një farë mënyrë edhe shkallën e varfërisë mes votuesve.
Pa marrë parasysh bindjet politike, çdo individ, qoftë ky punonjës i administratës publike, banor i zonave urbane apo rurale, gjendet nën presion për të votuar një parti të caktuar në kundërshtim të plotë me bindjen e tij. Kjo është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe një cënim i rëndë i standardeve të zgjedhjeve.
“Grupi i gatshëm“ pranë partive politike që realizon pazarin e votës, nuk është i interesuar aspak për të drejtat e njeriut, e aq më pak për standardin e zgjedhjeve. Ata janë të interesuar të plotësojnë kuotën që iu është ngarkuar për të sjellë x vota në zonën elektorale, ku angazhohen në kundërshtim të plotë me kodin zgjedhor. Këto vota shpesh shkojnë në favor të një kandidati me të shkuar të dyshimtë kriminale, që mund të zbulohet si i tillë disa ditë pas procesit zgjedhor, siç ndodhi me kandidatin e Partisë Socialiste për bashkinë Shkodër në vitin 2019, Valdrin Pjetri. Ai ishte kandidati i vetëm në garë për të fituar Bashkinë e Shkodrës dhe e kishte të sigurt fitoren, për shkak se opozita e bojkotoi procesin e zgjedhjeve lokale të atij viti. Pjetri rezultoi fitues, por shpejt u detyrua të tërhiqej nga mandati për shkak të publikimit të disa dokumenteve që hidhnin hije dyshimi për të shkuarën e tij kriminale.
Para këtij rasti, në sallën e kuvendit të Shqipërisë kishin zënë vend dhjetëra deputetë me të shkuar kriminale. Pati prej tyre që u detyruan të largohen nga ajo sallë për të shkuar në burg. Për shkak të rasteve të përsëritura të deputetëve me të shkuar kriminale, por dhe një numri të madh drejtuesish në nivele të larta të administratës publike, më 17 dhjetor 2015 u votua me 130 vota pro ligji për dekriminalizimin. Ky është një ndër ligjet më të veçantë në historinë e shtetit shqiptar, që ka për qëllim të përjashtojë nga politika dhe qeverisja njerëz me të shkuar kriminale. Është një ligj që na veçon nga të gjitha shtetet demokratike ku sundon ligji, madje është një ligj që nuk e gjen as në vendet e botës së tretë.
Sipas studimit të realizuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) vetëm gjatë periudhës 2015-2018, u shkarkuan nga detyra të paktën 110 zyrtarë të strukturave drejtuese të administratës së lartë shtetërore, u shkarkuan 35 Këshilltarë bashkiakë; dhanë dorëheqje 21 këshilltarë bashkiakë; u tërhoqën 18 kandidatë për deputetë; janë nën hetim 12 deputetë, u larguan nga salla e kuvendit 6 deputetë, tre të tjerë dhanë dorëheqje; tre kryebashkiakë u vënë nën hetim, një kryetar bashkie u shkarkua. Lista është shtuar ndjeshëm në pesë vitet që pasuan, pasi vetëm pak muaj më herët hynë në burg dy ish-kryetarë bashkie.
Ish-zyrtarët që përbëjnë listën e gjatë të të larguarve nga salla e kuvendit, administrata publike qendrore dhe lokale, nuk u penalizuan e as u hodhën në rrugë si të papunë. Përkundrazi ata u angazhuan në organizimin e partisë në zona të ndryshme elektorale në Shqipëri dhe sot janë kontingjent i rëndësishëm i stafeve drejtuese për të bërë pazarin e radhës për votën në zgjedhjet e 14 majit. Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, i cili është shpallur non grata nga SHBA, u kthye në strukturat e Partisë Socialiste në Durrës dhe merr pjesë në fushatën aktive për të garantuar votën për Partinë Socialiste në këtë bashki.
Krimi zgjedhor në Shqipëri është në shifra të larta në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kodi penal në Republikën e Shqipërisë, parashikon për krimin zgjedhor, dënimin nga 6 muaj deri në 8 vite burg, ndonëse janë shumë të pakta rastet kur drejtësia ka vepruar ndaj personave që kanë kryer krim zgjedhor.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, prokurori i Përgjithshëm Olsion Çela deklaroi publikisht angazhimin maksimal të institucionit hetimor për të ndjekur e hetuar çdo rast të cenimit të votës. Ai tha gjithashtu se gjatë asaj fushate prokuroria do të ishte e angazhuar veçanërisht në ndjekje të krimit të organizuar, që mund të bëhej pjesë e procesit duke tentuar shit-blerjen e votës për llogari të partive politike. “Duhet të jemi konsekuent në mënyrën sesi ne ndërveprojmë dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe ka nevojë për perfeksionim dhe në këtë rast, por aktualitet i ditës është krimi zgjedhor dhe pastrimi i produktit të veprës penale”, tha ndër të tjera Çela.
Pas mbylljes së procesit zgjedhor u shënua një numër rekord kallëzimesh për krime zgjedhore. Organizatat që monitoruan zgjedhjet deklaruan 291 njoftime apo kallëzime penale për dyshime të cenimit të votës, por më pak se gjysma e tyre u regjistruan si procedime penale nga Prokuroria e Përgjithshme, prokuroritë e rretheve apo edhe SPAK. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve paraqiti kallëzim pranë organit të prokurorisë për shkeljet e konstatuara nga 20 shtetas në 35 qendra votimi. Në finale morën dënime minimale vetëm dy persona. Këto shifra dëshmojnë se organet ligjzbatuese në Shqipëri nuk e kryejnë rolin e tyre në ruajtje të proceseve zgjedhore. Arsyet mund të jenë të ndryshme, për shkak të mungesës së kapaciteteve, logjistikës etj., por gazetarë e studiues faktojnë presionin e politikës mbi drejtësinë. Skandalet e cenimit të lirisë së votës në Dibër, Durrës e vende të tjera, dëshmuan publikisht se figura të rëndësishme politike dhe zyrtarë të niveleve më të larta në administratën publike, u angazhuan drejtpërdrejt në presionin e hapur ndaj punonjës të administratës publike për të votuar partinë në pushtet. Megjithatë, asnjëri prej tyre, qofshin deputetë, ministra, drejtues të policisë në nivel qendror dhe lokal, nuk u përballën me drejtësinë. Imuniteti që iu jep detyra, duket se është pengesa kryesorë për drejtësinë që ti ndëshkonte ligjërisht për krimin zgjedhor.
Përdorimi i fondeve publike në fushatë është një tjetër fenomen i vërejtur gjerësisht në prag të zgjedhjeve të 14 majit. Kryeministri dhe ministrat e kabinetit shfaqen thuajse çdo ditë në qytete e fshatra për të kërkuar votën dhe në këmbim të saj prezantojnë projekte zhvillimi. Kryeministri nuk heziton aspak të shprehet edhe më gjuhë kërcënuese ndaj votuesve, se këto projekte zhvillimi do të zbatohen vetëm nëse fiton Partia Socialiste. KQZ ka sanksionuar me gjoba një numër të konsiderueshëm kandidatësh të mazhorancës për shkelje të kodit zgjedhor për përdorim të fondeve publike në funksion të fushatës. Por gjobat 10 mijë lekëshe duket se janë të pamjaftueshme për të ndalur shkeljen e Kodit Zgjedhor.
Lista e problematikave të këtij procesi zgjedhor është më e gjatë. Ajo mund të shtohet edhe më shumë deri ditën e zgjedhjeve, duke paralajmëruar një proces zgjedhor si të mëparshmit ose edhe më keq, pa minimumin e standardeve të zgjedhjeve që zhvillohen në demokraci.
Më 14 maj zhvillohet procesi i 19 zgjedhor në Shqipëri që pas shpalljes së pluralizmit. Gjatë kësaj periudhe janë mbajtur 8 procese zgjedhjesh vendore dhe 10 procese zgjedhjesh parlamentare. Janë me dhjetëra komisionet bipartizane të organizuara në 30 vite për reformën zgjedhore bazuar në marrëveshje ndërmjet partive politike, por asgjë nuk ka ndryshuar. Pas çdo procesi zgjedhor, raportet ndërkombëtare publikojnë listën e gjatë të standardeve të cenuara dhe fjalinë rutinë: “U bënë hapa përpara, por ende Shqipëria është larg standarteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Nuk priten surpriza as pas 14 majit.
Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA.