Mëngjesin e së Dielës së 30 Prillit një grua deklaronte para kamerave se ishte gati të vetësakrifikohej në mbrojtje të pronës së saj. E ulur në mes të rrugës nacionale, Qafë Kashër-Rinas, gjithë sa kërkonte 60-të vjeçarja ishte të bisedonte me krerët e shtetit ndërkohë që ca efektivë policie rrekeshin ta tërhiqni zvarrë për të zhbllokuar qarkullimin rrugor. E veshur me të zeza, me flokë të pakrehura, gati në zgrip të mjerimit, gruaja tregonte para kamerave sagën e saj për të mbrojtur gjithë sa kishte pas shpirtit. Pronën, që ajo pretendon se po i uzurpohej nga qeveria për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashër, një marrëveshje koncesionare kjo që do t’i kushtojë Shqipërisë, plot 1.3 miliardë euro për 35 vite.
Ngjarja zhvillohej në Bërxullë, 14 kilometra larg kryeqytetit, ku prej 7 muajsh si kjo grua, qindra banorë të këtij fshati kërkojnë një vlerësim të drejtë të pronave të cilat duhet se do të rrënohen nga ky projekt. Përveç kostove tepër të larta të ndërtimit, prej 225.8 milionë euro për 21 km, koncesionari do të vendos një tra, për faturimin e çdo automjeti që do të kalojë në këtë aks rrugor. Faturimi do bëhet mbi një formulë komplekse ku parashikohet të jetë 2.1 euro për automjetet, ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë me më pak se katër akse 6.3 euro dhe për ato me mbi katër akse arrin deri në 9 euro. Gjithashtu në kontratën e bërë publike shteti vendos edhe 22.8 milion euro garanci për 8 vite nëse privati nuk mbledh të ardhurat e planifikuara, por ngurron të bëj në dëmshpërblim të drejtë të banorëve prona e të cilët preket nga ky ndërtim.
Deri më tani, asnjë zyrtarë i lartë i shtetit nuk ka gjetur kohë për të takuar këto banorë. Dhe pse jemi në fushatë zgjedhore, çështjes së Bërxullit dhe marrëveshjes koncesionare i qëndron larg çdo kandidat që garon për qeverisur Baskinë e Vorës. Të vetmit me të cilën përballen janë efektivat e policisë të cilët veç sigurisë së rendit duhet të zhbllokojnë dhe rrugën nacionale që të çon drejtë aeroportit të Rinasit. E kjo ndodh prej 7 muajsh.
E ndërsa në protestën e radhës gruaja përpiqej të rezistonte duzinës së policave, 119 larg saj, kryeministri i vendit Edi Rama përshëndeste nja dy punëtorë që po mbillnin pemë në shëtitoren e shtruar me kalldrëm të Koplikut. Nga pamjet e transmetuara nga ERTV dukej qendra administrative e Malësisë së Madhe. Nuk kishte forca policie përqark e të pranishmit ishin veshur e kuruar si e do adeti. Ca syresh edhe me kostume tradicionale të zonës, për të pritur kryeministrin. Në sfond dëgjoheshin tingujt tallava, që është dhe kënga zyrtare e fushatës së Partisë Socialiste, “Ça po meno, hajde festo”. Sheshi ishte mbushur me fletushka ku orientohej vota e malësorëve me diçiturën “Kurrë pas, përpara!”.
Kaq mjaftonte që Malësia e Madhe të ishte në festë. Në këtë atmosferë të krijuar Kryeministri duhet ta ketë pasur shumë më të lehtë kur i foli malësorëve për sukseset e arritura nga qeveria e tij, siç ishte përballimi i pandemisë, Covid 19. Ndau shqetësimin me ta për sfidat e hasura në tërmetin e Dhjetorit të 2019 dhe procesit të rindërtimit. U foli dhe për sfidat, duke nisur nga rritja e pagës së sektorit publik në 900 euro deri tek shndërrimi i vendit në një superfuqi energjetike të rajonit.
Ndau me malësorët ndjenjat e dashurisë së tij për Veriun që i buron nga vetat e gjakut por aman nuk harroi t’i kujtonte se çfarë e pret vendin nëse nuk votohej për Partinë Socialiste. Në Shqipëri nuk do të vijnë investitorët e huaj dhe se qeveria e tij e ka të vështirë të bashkëpunojë me kryebashkiak që nuk janë krahu i tij polik. Të njëjtin fjalim suksesesh dhe arritje të qeverisë, por duke shtuar tonet denigruese ndaj opozitës, kryeministri Rama mbajti po në të njëjtën ditë edhe në Shkodër.
Pothuajse e njëjta skenë. E njëjta muzikë tallava, njerëz po aq të kuruar, fjalime që ndryshime kryesore kanë koordinatat gjeografike, vihet re në çdo takim që Kryeministri Rama ka mbajtur në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Krujë, Maliq, Shijak, Gjirokastër, Memaliaj, Këlcyrë, e me gjasë do të vijoj deri në përfundim të fushatës elektorale, që ligja thotë se merr fund 24 orë para zgjedhjeve.
Askund prezantime projektesh, apo plane të pushtetit vendor se si do i përmirësohet jeta e atij qytetarit në Vermosh apo në Konispol. Se si do të përdoren taksat e tij, apo se kush janë vizionet e kandidatëve për qeverisjen vendore, paçka se,pjesa më e madhe e tyre kërkojnë mandatin e dyte pas një fitoreje të “dhuruar” nga partitë opozitare që refuzuan pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore 2019.
Gjuha e përdorur në këtë fushatë elektorale nuk është ajo ku tregohet se si do të qeveriset pushteti vendor, cilat janë projektet që mund të pengonin shpopullimin e fshatrave , si do të shtrohen rrugët e lagjeve apo se si do të sigurohet uji i pijshëm 24 orë.
Shqipëria sot është një vend kur kryeministri premton Shqipërinë e 2028 si superfuqi energjike por, përvec Shkodrës, vendi ende nuk ka ujë të pijshëm. Flitet për projekte që do ta kthejnë Veriun në një Zvicër të vogël, por nuk tregohet se si do të zgjidhjet çështja e pronësisë nga Veriu në Jug të vendit. Në malësi shumica e banorëve nuk kanë tapinë e shtëpisë, ndërsa në bregdet ka vjedhje masive të pronave nëpërmjet vendimeve të kontestueshme. Flitet për projekte të mëdha në 3D, por nuk tregohen çfarë do të bëj pushtit vendor për një shpronësim të drejtë për banorët kur këto projekte bien në tokat e tyre.
Shqipëria hyn në zgjedhje lokale për herë të parë me një kryeministër që ka fituar tre mandate të njëpasnjëshme dhe një qeverisje ku të gjitha raportet tregojnë se korrupsioni dhe krimi kanë pasur progres të dukshëm. Me një qeverisje që ka larguar nga Shqipëria 700 mijë shqiptarë dhe përvec tingujve të tallavas asnjë risi tjetër nuk ka. E vetmja alternativë e kryeministrit Rama dhe kandidatëve socialistë është e shkruara kjo e simbolizuar edhe në sloganin e tyre elektoral.
Nga ana tjetër edhe kandidatët e opozitës dhe pse nuk kanë mbi shpinë kusuret katërvjeçare të qeverisjes, dukshëm nuk po krijojnë një frymë tek elektoralit, për të sjellë ndryshimin.
Sipas shumicës së sondazheve rezulton se shqiptarët kanë pakënaqësi të tepruara ndaj ekonomisë, situatës me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Mirëpo papëlqyeshmëria e liderëve politikë të opozitës ku Berisha sipas sondazhit të Euronews ka një papëlqyeshmëri mesatare tek 66% ndërsa Meta tek 70% , nuk ngjallin shpresë për ndryshim. Ndonëse shqiptarët janë të pakënaqur ndaj ekonomisë ato shohin Ramën më pozitivisht se sa Berisha, Meta dhe çdo opozitar tjetër.
Si kurrë ndonjë herë opozita është e fragmentarizuar si pasojë e lëvizjes së ish kryetarit Partisë Demokratike Sali Berisha, që çau në dysh këtë parti duke sjellë dëme të mëdha në unitetin e opozitës.
Rivalët e opozitës janë përçarë në disa grupe; Berisha dhe Meta që kanë krijuar një front të përbashkët opozitar në aleancën e kryesuar nga Meta, Bashkimi për Fitore. Ato kandidojnë në 61 bashki me anëtarë për këshillin bashkiak dhe me kryebashkiakë.
Më vete garon Partia Demokratike e cila në vitin 2015 mundi të fitonte 15 bashki dhe mbi 650 mijë vota megjithëse nuk ishte në koalicion me LSI. Ajo aktualisht kandidon me 10 kandidatë në po aq bashki, përfshirë dhe Bashkinë e Tiranës. Kryetari i zgjedhur i PD, Lulzim Basha, u largua në 2022 duke lënë një hendek të madh në drejtimin e partisë; ndërsa elita drejtuese e PD nuk mundi të gjejë gjuhën e përbashkët për të dalë me kandidatë apo pa të tillë në zgjedhjet e 14 majit. Një pjesë e madhe e kryesisë, sidomos deputetë përfshirë dhe sekretarin e përgjithshëm Gazmend Bardhi dhe nënkryetaren Tabaku, kërkuan që nëse nuk ka 61 kandidatë atëherë PD të dalë me anëtarë të Këshillit Bashkiak. Kjo nuk do i jepte mundësinë Berishës të krijonte alibinë e një humbje eventuale. Kryetari i emëruar i PD, Alibeaj, bën fushatë duke akuzuar se Berisha-Meta po marrin peng opozitën për problemet e tyre personale. Ai nënvizon se SPAK dhe presioni ndërkombëtar janë të tillë që kanë frikësuar politikanët e vjetër që po përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga emri i mirë i PD-së dhe situata në vend për të përfituar imunitet ndaj çështjeve penale.
Në këto zgjedhje vendore askund nuk flitet për qytetarin. Asnjë fjalë për atë gruan nga Bërxulli, e shumë të ngjashmeve të saj, ku rrugë të vetme për mbrojtjen e pronës kanë vetësakrifikimin. Takimet me elektoratin o bëhen për “tallava” ose foltore ku kryefjala e diskutimeve është anatemimi i kundërshtarit polik.
Opozita më shumë se sa të ofrojë shpresë duket se është në hallin e vet politik ndërsa mazhoranca, përdor po të njëjtën hall si alternativë të vetme për të qeverisur edhe 61 Bashkitë e vendit.
Ndaj zgjedhjet lokale të 14 Majit 2013 nuk janë zgjedhje vendore, por dukshëm një betejë zgjedhore më shumë për hallin politik të liderëve të partive politike se sa për shqetësimet e shqiptarëve. Vetë posteri i PS në fushatë (Rama që thotë përpara dhe Berisha+Meta që janë e shkuara) e demonstron, ndërsa tingujt tallava një tregues më shumë, se si e shkuara dhe e ardhmja, janë gjirizi jonë politik.
Artikulli bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.