Vonesa në nxjerrjen akteve të sipërcituara, shkakton rrjedhimisht edhe vonesa në aplikueshmërinë e ligjit, duke bërë që ligji de jure të ekzistojë, por de facto të mos aplikohet. Ky eshte vleresimi i eksperteve te ISP ne monitorimin e matrices ligjore dhe te impaktit te mungeses se akteve nenligjore ne Shqiperi, – projekt i mbeshtetur nga programi per demokracine i zyres per marredheniet publike ne Ambasaden Amerikane ne Tirane.
Nje shembull ilustrues? Po. Më datën 18.12.2019, është miratuar Ligji Nr.87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare Nr.3, datë 20.01.2020 dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë pas botimit. Në nenin 47 të këtij ligji, parashikohet shprehimisht se ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për financat për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e tij. Ndërkaq, përjashtimisht këtij përcaktimi, për disa apekte të këtij ligji, e më konkretisht për platformën qendrore të faturave (neni 26), për procedurën e thjeshtuar për lëshimin, pranimin e faturave elektronike dhe për fiskalizimin (neni 27), për rregullat e përdorimit të faturave elektronike (neni 28), lidhur me subjektet që ofrojnë shërbime të pagesave dhe procedurat për regjistrimin e pagesave pa para në dorë (neni 37), etj., aktet nënligjore duhet të nxirreshin jo më vonë se data 1 qershor 2020. Fillimisht theksojmë, se ligji Nr.87/2019 konsiderohet si një ligj i një rëndësie të veçantë pasi pritet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e operimit në treg nga shoqëritë dhe individët, sa i përket transaksioneve dhe faturave që përdoren, aspektit të tyre elektronik, deklarimit online, etj.
Në rastin konkret, nëse do t’i referoheshim akteve nënligjore të publikuara në kohë, vihet re se kryesisht aktet nënligjore për tu miratuar përpara datës 01.06.2020 janë nxjerrë tashmë nga organet përkatëse në pjesën më të madhe të tyre. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, sërish edhe në këtë drejtim Këshilli i Ministrave është vonuar në nxjerrën e VKM-ve të përcaktuara në ligj, duke tejkaluar afatin e parashikuar për nxjerrjen e tyre. Nëse i referohemi Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 431, datë 3.6.2020, “Për platformën qendrore të faturave”, lehtësisht vihet re, se kjo VKM, jo vetëm që është miratuar përtej afatit të përcaktuar në ligj, por nga ana tjetër është botuar në Fletoren Zyrtare Nr.107, më datë 08.06.2020, duke e vonuar publikimin e saj edhe me 5 ditë të tjera. Vlen të theksohet, se kjo VKM specifikon se hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Pra, vonesa e mëtejshme në publikimin e aktit, përtej vonesës ekzistuese në miratimin e tij, shkaktojnë një situate kaotike në drejtim të zbatimit të një ligji të rëndësishëm, siç është ligji Nr.87/2019, lidhur me mbarëvajtjen ekonomike të vendit. Edhe Udhëzimi Nr.20, datë 01.06.2020 “Për elementet bazë dhe teknike, lëshimin dhe shkëmbimin e faturave elektronike dhe faturave shoqëruese”, i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është miratuar vetëm më datë 01.06.2020, pra në limitet e përcaktimit të afatit ligjor.
Nga ana tjetër, sikur të mos mjaftonte kjo vonesë e një akti nënligjor kaq të rëndësishëm për zbatimin në praktikë të ligjit, publikimi i Udhëzimit ka ndodhur më datën 04.06.2020, në Fletoren Zyrtare Nr.103, pra rreth 3 ditë me vonesë, kur theksojmë sërish, se Udhëzimi parashikon shprehimisht se ky i fundit hyn në fuqi vetëm pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Të tilla vonesa në miratimin dhe më pas publikimin e akteve nënligjore nuk bëjnë tjetër veçse vonojnë të drejtën e subjekteve për tu njohur me aspektet praktike të ligjit dhe e bëjnë këtë të fundit të pazbatueshëm. Për më tepër, theksojmë se një ligj i tillë i cili prek një aspekt shumë të rëndësishëm të ekonomisë dhe mbarëvajtjes së kësaj të fundit, siç është fatura elektronike, do të kishte nevojë idealisht edhe për konsultime paraprake me subjektet të cilëve i kundrejtohet.