Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni kryesor vendimmarrës lidhur me organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Shqipëri. Me reformën e re në drejtësi ky institucion është një nga dy institucionet me rol të vecantë në sigurimin e integritetit, pavarësisë dhe efektivitetit të sistemit të prokurorisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka premtuar gjithnjë se do të aplikojë standarde të larta në vendimmarrje, por së fundmi, ka emëruar si drejtues të Prokurorive në rrethet gjyqësore disa individë që nuk kanë kaluar procesin e vettingut. Por cilat janë efektet e kësaj procedure të zbatuar nga KLP?
KLP e argumentoi këtë akt me vonesat në rivlerësimin kalimtar të prokurorëve. Në këtë mënyrë, ky institucion bëri një interpretim të ri duke ndryshuar standardin e vendosur nga po prej tij një vit me parë. Pavarësisht rrethanave të ngutshme të shkaktuara nga vakancat në drejtimin e institucioneve të prokurorisë në rrethe, ndryshimi i procedurave, nëpërmjet një interpretimi të ri nga ana e KLP mund të cenojë sigurinë juridike, sidomos në rastet kur organet e vetting-ut vendosin shkarkimin e prokurorëve të emëruar nga KLP sipas këtij standardi.
Unifikimi i kësaj praktike duhet të respektojë parimin e sigurisë juridike midis magjistratëve që kandidonin për pozicione në institucionet e reja të drejtësisë, ku kalimi i procesit të vetingut ishte dhe mbetet parakusht për të qenë anëtar i KLP, KLGJ, SPAK etj.
Vendimmarrja e KLP duhet të respektojë standardet e reja të parashikuara nga reforma në drejtësi në brendinë e kushtetutës dhe kritereve për promovimin e funksionarëve të drejtësisë. Çdo zyrtar i emëruar apo i zgjedhur në sistemin gjyqësor dhe në prokurori do të duhet të ketë marrë vlerësimin paraprak pozitiv nga procesi i vettingut. Ky standard i shërben mbrojtjes së integritetit të reformës, si dhe përmirësimit të besimit të publikut tek sistemi i ri dhe aftësia e tij për të ndjekur e aplikuar standarde të reja vendimmarrëse.
Projekti “Reforma: për një ritëm cilësor. Monitorim, sensibilizim dhe asistencë” është duke u zbatuar nga ISP me mbështetjen e programit të shtetit të së drejtës të fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.