Gjithë fushata bëhet në mediat sociale, kemi ERTV dhe kemi miliona reklama në faqet e dedikuara sociale. Por për KAS, KRR dhe AMA media sociale nuk është media, madje as media print nuk është media, ndaj ato nuk monitorohen.
Detyrimi ligjor
Kodi Zgjedhor, nenet 78-84, përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore gjatë fushatës, hapësirën për propagandë elektorale dhe mekanizmit e monitorimit të raportimeve të mediave vizive dhe audio nga AMA.
Problemi
Vendimi 2/2021 i Komisionit Rregullator ka lënë jashtë monitorimit mediat e reja sociale, kryesisht rrjetet sociale, të cilat po mbajnë peshën kryesore të raportimeve në fushatën elektorale. Çdo aktivitet i kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë transmetohet në ERTV, një rrjet social, i cili nuk është pjesë e monitorimit, por që de facto përbën median më të madhe zyrtare në vend. E njëjta situatë është edhe me aktorë të tjerë politikë dhe kandidatë të veçantë në nivel lokal apo kombëtar.
Zgjidhja
Lënia jashtë monitorimit të raportimeve në mediat sociale, de facto përbën lënien e pjesës më të madhe të raportimeve mediatike jashtë monitorimit. KQZ, KRR dhe KAS duhet të rishikojnë aktet e tyre të brendshme për të mundësuar bazë ligjore solide që bën monitorimin e çdo medie në vend, si rruga e vetme për më shumë transparencë e barazi informuese në zgjedhje.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ dhe fushatën elektorale, si pjesë të angazhimit në projektin “Monitoring the 2021 Parliamentary Elections in Albania” mbështetur financiarisht nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes ambasadës britanike në Tiranë.