Organizata kryesore që mat Indeksin e Perceptimit e Korrupsionit, Transparency International (TI). Shqipëria rezulton se ka rënie nga 2024 dhe mbetet në renditje larg zonës së vendeve të BE-së. Ky vlerësim i ardhur në 10 vjetorin e reformës në drejtësi dhe kur arritja e vetme e rëndësishme e viteve të fundit është SPAK, tregon se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë nuk janë të mjaftueshme, nëse kjo nuk kthehet si normalitet dhe standard i shtetit të së drejtës në demokraci dhe nëse i gjithë procesi vendimmarrës, zgjedhor dhe ushtrues i pushtetit nuk shoqërohet me transparencë, llogaridhënie, meritokraci dhe vullnet të qartë politik.
Raporti vetëm sa konfirmon realitetin që qytetarët shqiptarë njohin e jetojnë. Në një vend ku një zv/kryeministër është ende në kërkim, një tjetër zv/kryeministër merret në mbrojtje të fortë politike e institucionale nga parlamenti dhe qeveria duke penguar drejtësinë, dhe ku liderit politikë kryesorë përfshirë kryeministri sulmojnë, denigrojnë dhe pengojnë organet e drejtësisë, përfshirë SPAK dhe GJKKO në ushtrimin e funksionit të tyre ligjor, – është e mbetet një vend ku demokracia është e brishtë, mungojnë garancitë e shtetit të së drejtës dhe ku nuk është jetësuar parimi “të gjithë të barabartë përpara ligjit”.
Zgjidhja? ISP sugjeron dhe rekomandon një proces reflektimi, reagimi dhe reformimi, i cili përfshin:
1. Një rol aktiv të Kuvendit në qasje antikorrupsion, kontroll ndaj ekzekutivit dhe transparencë. Kuvendi duhet t’i jap fund ligjeve të personalizuara e klienteliste, si dhe keqpërdorimit dhe akteve minuese ndaj hetimit të zyrtarëve të lartë dhe drejtësisë funksionale.
2. Një reformim i strukturës antikorrupsion në nivel ekzekutiv. Pushteti ekzekutiv duhet bazuar në parimin e kolegjialitetit, funksionalitetit, llogaridhënies, transparencës, meritokracisë dhe integritetit. Kontrolli personal dhe refuzimi i këtyre standardeve përbën devijim nga parimet kushtetuese të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës.
3. Një reformë thelbësore në legjislacionin mbi partitë politike, financimin elektoral, lobimin, demokracinë e brendshme dhe raportin e partive me shtetin. Partitë duhet të jenë institucione demokratike, mbështetëse për reforma, llogaridhënëse dhe përfaqësuese.
4. Institucionet e drejtësisë kanë përgjegjësi të ofrojnë drejtësi cilësorë, vendimmarrje profesionale, besueshmëri dhe funksionalitet me integritet. Nevoja për qasje të tillë i adresohet sidomos GJK, GJL, si dhe dy strukturave përgjegjëse, KLGJ dhe KLP.
5. Shqipëria ka nevojë për reformim thelbësor të sistemit social, arsimor, shëndetësor, për zgjidhjen e çështjeve të pronësisë dhe për ndryshim cilësor në fushën e medias dhe informimit publik. Reformat nga lart nuk mund të jenë të suksesshme nëse nuk kanë bazë mbështetëse dhe nuk japin rezultate në të gjitha nivelet.



