Mund të ketë mbështetje absolute, mund të ketë kritika, mund të jetë zgjidhje afatgjatë, por mund edhe të shihet si një eksperiment tranzicioni: por në çdo rast reforma në drejtësi mbetet ndryshimi më i rëndësishëm strukturor dhe institucional në Shqipëri prej Kushtetutës së vitit 1998. Për këtë arsye ajo duhet njohur, duhet lexuar e kuptuar, përpara se të monitorohet e komentohet në jetësimin e saj.
Brezi i ri studentor, sidomos studentët e drejtësisë, kanë rastin të jetë brezi i parë i një sistemi të ri drejtësie, ndaj edhe njohja me reformën dhe institucionet e reja të saj, ndryshimet kushtetuese 2016 dhe ecurinë e procesit të vetingut, sfidat aktuale dhe pritshmëritë për të ardhmen, – janë e mbeten nevojë jetike, standard profesional dhe një prej angazhimeve kryesore të Institutit të Studimeve Politike.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e OSFA ka organizuar seanca informimi e debati me të rinjtë studentë të drejtësisë në Universitetin “Aleksander Moisiu” në Durrës dhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Në ditët e ardhshme do jetë edhe në Korçë, Elbasan, Vlorë, etj. Një network funksional për studentët e drejtësisë lidhur me monitorimin e reformës mbetet opsion i duhur. Studentët janë anketuar paraprakisht mbi njohuritë e reformës dhe perceptimet mbi të, më pas ka pasur debate prezantuese dhe shpërndarje ilustruese të botimit special të ISP mbi reformën në drejtësi.
Falënderim studentëve pjesëmarrës dhe sidomos ekspertët e drejtësisë, prof. Arben Cara drejtues departamenti në UAMD, Entela Hoxhaj drejtuese departamenti në USH dhe prof. Ervin Karamuço, ekspert ligjor pranë ISP .