Në kuadër të nismës së Institutit të Studimeve Politike (ISP) “Kujtesë përmes memories dhe dialogut mbi të kaluarën”, e cila mbështetet nga programi Transition, financim i Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë, – u organizua aktiviteti i parë me rininë në Pallatin e Kulturës në bashkinë Kavajë.
ISP prezantoi një ekspozitë dedikuar memories mbi të kaluarën, të bazuar në pyetje e përgjigje mbi jetën, shoqërinë dhe shtetin gjatë periudhës 1945-1990. Pas ndjekjes së ekspozitës të rinjtë pjesëmarrës patën rastin të diskutojnë aspekte të ndryshme të memories dhe reflektime mbi të me intelektualin e njohur, shkrimtarin dhe ish Ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj, si dhe kuratorin e projektit, arkitektin Migen Qiraxhi. Aktivitetin e mbështeti dhe e përshëndeti edhe kryetari i bashkisë Kavajë, Isa Sakja.
Në fjalën e tij hyrëse Qiraxhi foli për rëndësinë e nismës dhe përvojën e ISP në promovimin e formave të reja online të takimit të brezave të sotëm me të kaluarën, vlerësimin që nisma e Muzeut të Memories ka marrë ndër vite dhe nevojën e madhe që ka rinia e sotme për të njohur më shumë dhe më në përmbajtje të kaluarën e përbashkët.
Shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj, bëri një pasqyrim dhe krahasim të jetesës së atyre viteve dhe kohëve të sotme duke nxjerrë në pah raportin me lirinë dhe të drejtat si dhe vlerën e madhe që merr kujtesa përmes dialogut dhe reflektimit mbi të kaluarën. Mustafaj evokoi brezin studentor që solli ndryshimin politik, kurajën dhe përballjen e tyre me sistemin e frikës, si dhe duke komentuar mungesën e akteve të tilla nën regjim nga brezat e tjerë, ai perifrazoi simbolikisht shprehjen e një poeti të njohur “edhe ne e dinim që toka ishte e rrumbullakët, por ne kishim familje”. Mustafaj iu përgjigj më tej pyetjeve dhe komenteve të të rinjve, duke vënë në pah se liria dhe demokracia janë vlerë për të cilat është sakrifikuar shumë dhe për të cilat ia vlen të kujdesemi në çdo kohë, në mënyrë që historia jonë tragjike si shoqëri të mos harrohet dhe të mos përsëritet as në elementë të pjesshëm të saj.
Edhe kryetari i bashkisë Sakja në fjalën e tij mbështeti nismën duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe të njohjes me realitetin e të kaluarës, me pasojat dhe me mësimet prej saj, në mënyrë që brezat e sotëm të jenë jo vetëm përfitues të lirisë, por edhe kontribuues për vlerat e saj.