Katër vjet pas reformës së re territoriale është koha për të bërë bilancin e punës së bashkive dhe këshillave bashkiakë. Treguesit e perceptimit qytetar ndaj reformës dhe shërbimeve janë një prej faktorëve kryesorë vlerësues të bilancit. Me këtë fokus, Instituti i Studimeve Politike, me mbështetjen e Lëviz Albania po realizon projektin “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia”. Aktiviteti i radhës ishte debati me të rinjtë që vijnë nga këto bashki, studentë në universitetin UAMD.
Të rinjtë studentë u njohën me gjetjet kryesore të monitorimeve të kryera nga ISP me këshilltarët bashkiakë dhe institucionet e tjera të qeverisjes vendore në pesë bashkitë e qarkut Tiranë, si dhe me problematikat e konstatuara në aspektin ligjor, organizativ dhe përfaqësues. Eksperti i ISP, profesor Ervin Karamuço bashkëbisedoi me studentët mbi mekanizmat e ndryshëm të pjesëmarrjes së të rinjve dhe grupeve të tjera komunitare në vendimmarrjen vendore, si dhe me sfidat e qeverisjes lokale në aspektet e transparencës, llogaridhënies dhe përfaqësimit. Studentët ngritën probleme të ndryshme të konstatuara prej tyre dhe vlerësuan sfidat e rrugëzgjidhjet më optimale nga këndvështrimi i gjeneratës së tyre, shumica e të cilëve ishin votues për herë të parë në zgjedhjet e fundit lokale ose parlamentare.
Aktivitetet e ISP në kuadër të projektit do të vijojnë me bashkëbisedime, fokus grupe dhe debate me shkolla të mesme, universitete publike e private, si dhe grupime komunitare në secilën prej pesë bashkive të qarkut Tiranë.