Bazuar në Kodin Zgjedhor vendimmarrjet lidhur me procesin elektoral merren nga Komisioneri Shtetëror, si dhe mund të konfirmohen ose jo nga KAS (Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve) dhe Kolegji Zgjedhor. Tri strukturat drejtohen nga juristë të njohur dhe me përvojë, ndërkohë që bazë ligjore referuese janë dispozitat e Kodit Zgjedhor.
Nga të dhënat e deritanishme të monitorimit nga ISP, sidomos gjatë regjistrimit të subjekteve zgjedhore, rezulton se këto struktura kanë pasur vlerësime dhe për pasojë edhe vendimmarrje të ndryshme për të njëjtin rast. Disa vendime të rëndësishme me interes publik të Komisionerit janë rrëzuar në KAS dhe vendime të dy palëve janë rrëzuar edhe nga Kolegji Zgjedhor.
Duke respektuar të drejtën legjitime dhe pavarësinë e secilit institucion në zbatimin e ligjit, Instituti i Studimeve Politike (ISP) shpreh shqetësimin se diskordancat midis tyre në leximin, interpretimin dhe jetësimin e Kodit Zgjedhor kanë sjellë deklarata politike kontestuese, dhe në tërësi kanë pasur impakt jo vetëm në vonesat procedurale lidhur me procesin zgjedhor, por edhe në perceptimin publik lidhur me besimin tek institucioni dhe standardet e zgjedhjeve.
Diskordancat në interpretime dhe vendime kanë pasur kosto politike dhe financiare për subjekte të veçanta zgjedhore dhe natyrisht kanë ndikuar edhe në krijimin e rrethanave të njëjta për secilin subjekt për tu fokusuar tek konkurrimi elektoral dhe zbatimi i detyrimeve ligjore që burojnë nga qenia ose jo subjekt i miratuar në procesin zgjedhor. Ato meritojnë të shoqërohen edhe me përgjegjësi dhe më shumë maturi për palët që kanë rezultuar se me interpretime të gabuara ligjore janë përgjegjëse për pasojat në proces.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se institucionet, Komisioneri, KAS dhe Kolegji Zgjedhor, do të duhet të dëshmojnë shumë më tepër integritet dhe profesionalizëm, për të njësuar standardet e gjykimit dhe të vlerësimit si nevojë jetike për t’i dhënë legjitimitet, integritet dhe besueshmëri të gjithë procesit zgjedhor në Shqipëri. I njëjti ligj, të njëjtat dispozita dhe të njëjtat parime ligjore meritojnë të lexohen në të njëjtën frymë dhe përmbajtje, për të evituar krijimin e dyshimit të arsyeshëm se vendimmarrjet ndikohen nga faktorë dhe motive të tjera përveç atyre ligjore.
Vendimet përfundimtare janë të detyrueshme, por ato duhet të vlejnë edhe si reflektim për institucionet administruese të procesit zgjedhor, për subjektet zgjedhore dhe për parlamentin në projeksionin e ardhshëm për reformën zgjedhore.
Zgjedhjet bëhen për qytetarët, ato duhet të jenë konkurruese dhe të besueshme, ndaj dhe përgjegjësia e institucioneve është të sigurojnë barazi, paanësi, standarde më të larta, legjitimitet dhe integritet, transparencë dhe llogaridhënie.