Kuvendi vendosi të refuzojë kërkesën për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore. Vendimi erdhi pasi afati i këtij komisioni ishte shtyrë disa herë, por pa pasur produkte konkrete të tij. Zgjedhjet vendore të vitit 2023 u zhvilluan pa pasur reformë të re zgjedhore dhe as përmirësime në legjislacion.
Suksesi i Komisionit të Reformës Zgjedhore arrihet në përmbushjen e disa kritereve:
- Kriteri i vullnetit politik (nevoja për konsensus midis mazhorancës dhe opozitës legjitime dhe përfaqësuese);
- Kriteri i gjithëpërfshirjes (partitë politike, shoqëria civile, institucionet, organizata ndërkombëtare, sidomos rekomandimet e ODIHR/OSBE-së);
- Kriteri i transparencës (nevoja për transparencë, informim dhe konsultim të aktivitetit dhe vendimeve);
Në praktikat e mëparshme, sidomos në dy praktikat e fundit (2020-2021 dhe 2021-2023), ky komision nuk i ka përmbushur asnjërin prej këtyre kritereve. Për pasojë, në rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 nuk kemi pasur reformë gjithëpërfshirëse, transparente dhe të plotë, si dhe në rastin e zgjedhjeve vendore 2023 nuk kemi pasur reformë.
Sesioni aktual parlamentar duhet të shërbejë për të krijuar një komision legjitim, përfaqësues dhe funksional, i cili të përmbushë në kohë dhe me cilësi detyrimet parlamentare dhe pritshmëritë publike, për një reformë sa më të plotë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kuvendi ka rol thelbësor në ushtrimin e këtyre përgjegjësive dhe udhëheqjen e procesit të reformës zgjedhore.
Koha për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, transparente dhe funksionale!
Kjo video bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA. Përmbajtja e dokumentit është përgjegjësi vetëm e autorit dhe e Institutit të Studimeve Politike.