5 vjet nga reforma në drejtësi janë shtuar kërkesat dhe rekomandimet për rishikim të disa prej ligjeve thelbësore të reformës. Kriteret e forta dhe mënyra e vlerësimit të tyre, ishin një ndër shkaqet që sollën vonesa për më shumë se dy vjet në formimin e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Procesi i vettingut me largimin e individëve të korruptuar e të papërshtatshëm është shoqëruar me mungesa në burimet njerëzore në gjykata dhe prokurori. Secila prej thirrjeve për aplikime për vendet e reja në sistem është përsëritur së paku një herë për shkak të numrit minimal të kandidimeve apo mungesës së kandidatëve.
Gjatë 2020 Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi rishikimin e ligjit organik për lehtësimin e kritereve për inspektor. Gjykata e Lartë shpalli se më 2021 prioritet do të jenë edhe ndryshimet në legjislacionin procedural, të cilat e bëjnë më efektiv gjykimin në këtë gjykatë. Ministria e Drejtësisë ka nisur procesin e rishikimit. Deputetë në Komisionin e Ligjeve në Kuvend kërkuan disa herë ndërhyrje të reja ligjore në legjislacionin e reformës në drejtësi. Faktorë të rëndësishëm ndërkombëtar sugjeruan që pas përvojës 3 vjeçare kriteret e vettingut duhen riparë. Gjithashtu, shoqëria civile ka theksuar se reforma të sigurojë vazhdimësinë e saj duhet rishikuar dhe përmirësuar vazhdimisht me synim për t’i shërbyer qëllimit të saj.
Aktualisht asnjë institucion nuk ka rol koordinues për ecurinë e reformës në drejtësi dhe standardeve të saj. Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtar të reformës në drejtësi, mund e duhet të marrë një rol më aktiv në vlerësimin për nevojat ose jo për ndërhyrje në zgjidhjen e problematikave ligjore dhe institucionale. Institucionet e krijuara nga reforma në drejtësi duhet të japin rezultate konkrete, të justifikojnë besimin publik dhe pritshmëritë e vendit, të jenë aktive në luftën ndaj korrupsionit dhe model për shtetin e së drejtës.
Projekti “Reforma: për një ritëm cilësor. Monitorim, sensibilizim dhe asistencë” është duke u zbatuar nga ISP me mbështetjen e programit të shtetit të së drejtës të fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.