Shqipëria ka nevojë për standarde më të larta të zbatimit të ligjit dhe për investim më të madh në rritjen e kulturës ligjore. Një pjesë e akteve ligjore ndeshen me vështirësi në zbatim për shkak të problemeve në fazën e hartimit të tyre, mungesës së akteve nënligjore apo mungesës së një mekanizmi efektiv që ndjek në vijueshmëri afatet dhe të gjithë elementët e jetësimit të ligjit. Këto ishin disa nga vlerësimet e dhëna nga ekspertët dhe studentët e përzgjedhur të drejtësisë dhe të shkencave politike në Albanian University në Tiranë debatin mbi impaktin e mungesës së akteve ligjore dhe progresin e Shqipërisë.
Ekspertët, pedagogë në shkencat juridike e politike Dr.Armela Kromiçi dhe Prof.Ervin Karamuço, dekania Prof. Kaliopi Naska si dhe dy drejtuesit e departamenteve, Dr.Doriana Pano dhe Dr.Ismail Tafani, cituan problematika të ndryshme që lidhen me impaktin e mungesës së akteve ligjore apo të zbatimit të ligjit. Në debat u sollën shembuj nga gjetjet nga raportet vjetore të institucioneve të KLSH, Avokatit të Popullit, Komisionerit Anti Diskriminim, si dhe intervistat me grupe të ndryshme interesi, etj, në të cilat analizohen raste flagrante të mungesës së akteve nënligjore dhe të moszbatimit të ligjit. Konkretisht, të pranishmit u njohën me dispozita të tilla ligjore ende të munguara si ligji 80/2015 për arsimin e lartë, ligji 110/2016 për falimentimin, ligji 15/2019 për nxjetien e punësimit, ligji 34/2019 për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, ligji 8/2019 për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, ligji 111/2017 për ndihmën juridike falas, etj, deri edhe mungesa e një akti nënligjor të parashikuar prej vitit 1998 lidhur me trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve. Për secilin nga këto ligje dhe raste të tjera të ngjashme të evidentuara ekspertët e ISP kanë adresuar e vijojnë të adresojnë probleme e rekomandime tek institucionet përkatëse për trahjtim dhe rrugëzgjidhje ligjore.
Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim midis Institutit të Studimeve Politike dhe Fakultetit të Shkencave Shoqërore në AU, si pjesë e një projekti monitorues dhe sensibilizues të ISP me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Aktivitete të tilla do të vijojnë gjatë muajit janar me një tryezë tjetër debati në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe në universitete të tjera me profil juridik në vend.