Instituti i Studimeve Politike (ISP) në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranë dhe me mbështetje të Këshillit të Europës, po aplikon projektin që lidhet me mbrojtjen e të drejtave të pronësisë dhe çështjet e rihapjen e procedurave penale bazuar në vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian janë angazhuar në kuadër të programit “Horizontal Facility for the Western Balkans and Turkey” për të zbatuar projektin “Action “Supporting effective domestic remedies and facilitating the execution of European Court of Human Rights judgments” in Albania, kuadër brenda të cilit është edhe përfshirja e ISP dhe e FD.
Qëllimi i projektit është thellimi i njohurive të studentëve të Fakultetit Juridik me vendimet dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht lidhur me problematikën e pronësisë, procedurat penale dhe praktikat gjyqësore. Studentët janë të ftuar të marrin pjesë në takime të veçanta me ekspertë të fushës dhe të debatojnë me ta, të testojnë njohuritë dhe ekspertizën e tyre dhe kështu, të krijojnë një panoramë të plotë të problematikës. Zhvillimi i kurseve merr në konsideratë edhe synimin që çështje të tilla me rëndësi për shtetin e së drejtës dhe të demokracisë të jenë pjesë integrale e proceseve të ardhshme mësimore për studentët e fakulteteve juridike në Shqipëri.
Gjatë ditëve të fundit u zhvilluan debatet lidhur me reformën në drejtësi dhe ndikimet e saj në garantimin e së drejtës së pronës, si dhe reformën në procesin penal dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, me të ftuar ekspertin e njohur Prof. Artan Hoxha, njëherësh edhe dekan i Fakultetit Juridik.