Sa përfaqësues është Këshilli Bashkiak Tiranë? E dini që 99% e këshilltarëve të Tiranës banojnë në qytet duke lënë pa përfaqësim real 13 ish komunat që iu bashkëngjitën bashkisë së re më 2015? Cilat janë problematikat në raportet midis të zgjedhurve e zgjedhësve? Cili është impakti i reformës së re territoriale në përfaqësimin politik, në standardet e shërbimeve, në rritjen e transparencës dhe të konsultimit publik dhe në pjesëmarrjen e vetë qytetarëve në vendimmarrje?
Këto e të tjera tema u diskutuan sot në takimin “Qeverisja vendore: Bilanci, sfidat dhe problematikat“ organizuar sot nga Instituti i Studimeve Politike në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Politike dhe ato Juridike në AU. Ekspertet Mirela Bogdani njëherësh këshilltare në Bashkinë Tiranë dhe aktiviste e Aleancës së Këshilltarëve Lokalë, si dhe Edlira Gjoni, eksperte komunikimi dhe drejtuese e McCain Institute (Albania) me fokus edhe trajnimin e këshilltarëve lokale, sollën vlerësime profesionale mbi bilancin e qeverisjes vendore, problematikat dhe sfidat për të ardhmen.
Prej disa muajsh Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Lëviz Albania (LA) është duke realizuar projektin “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” mbi matjen e nivelit komponentëve që lidhen me transparencën dhe llogaridhënien në nivel lokal. Takime të njëjta janë zhvilluar edhe në pesë bashkitë e qarkut Tiranë dhe në disa universitete e shkolla publike.