Gjatë vitit 2024 janë krijuar disa parti të reja politike, ndërkohë që ka pasur ndryshime në përbërjen e qeverisë, të parlamentit dhe në nivele të administrimit të enteve kryesore publike. Zhvillime të tilla janë të pritshme sidomos në kalkulimet që lidhen me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) po monitoron standardet e integritetit te partitë politike, partitë tradicionale dhe ato të reja, si dhe tek institucionet me natyrë politike.
Elemente pozitive lidhur me integritetin në nivelet politike/partiake:
- Procesi i zëvendësimit të mandateve parlamentare po kalon pa kontestime;
- Figura të rëndësishme politike dhe vendimmarrëse po përballen me drejtësinë;
- Partitë politike po reformojnë aktet e tyre të brendshme rregullatore;
- Partitë e reja politike po nxisin nevojën për llogaridhënie dhe transparencë;
- Sondazhet periodike po ushtrojnë presion pozitiv drejt qasjes së partive;
- Entet kryesore publike janë nën presion në rritje për paanësi në zgjedhje;
- Hapja e bisedimeve me BE krijon akses për forcim të shtetit të së drejtës;
- Gjetjet monitoruese të shoqërisë civile janë dokumente referimi publik;
- SPAK mbetet institucioni më i besuar, në perceptimin e luftës antikorrupsion.
Elementë shqetësues lidhur me integritetin në nivelet politike/partiake:
- Ministrat, deputetët dhe partiakët e rinj imitojnë retorikë konfliktuale;
- Parlamenti po shfaq dobësi dhe standarde kritike në funksionim;
- Konflikti politik qëndror po reflektohet në institucione dhe jetë publike;
- Nuk ka garanci se institucionet do të kenë qasje integriteti në zgjedhje;
- Partitë politike kanë shuar zërat kritikë, moderatorë dhe konstruktivë;
- Partitë tradicionale dhe të reja vijojnë identifikimin me kryetarin/liderin;
- Mungesa e reformës zgjedhore pamundëson transparencën e partive;
- Hetimet e SPAK ndaj politikanëve interpretohen si akte politike e jo drejtësie;
- Mungon dukshëm roli konstruktiv i PES/EPP në reformimin e PS/PD.
Ky factsheet është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.