Kuvendi i Shqipërisë ka nisur konsultimet publike lidhur me Planin Strategjik 2025-2030. Qasja strategjike e bazuar në identifikimin e standardeve dhe mekanizmat e qëndrueshëm të jetësimit të tyre është zgjidhja e duhur për një parlament sa më efektiv, transparent dhe llogaridhënës.
Përfshirja e disa elementeve lidhur me procesin raportues dhe mbikëqyrës, transparencën dhe llogaridhënien, cilësinë e legjislacionit dhe vendimmarrjes, si dhe koordinimin institucional përputhet me sugjerimet e ofruara dhe pritshmëritë e ISP dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile. Rrugëzgjidhjet e ofruara në qasjen strategjike dhe planin e veprimit janë dhe mbeten objekt monitorimi e diskutimi.
Duke iu referuar qasjes reflektuese dhe vendimmarrëse të Kuvendit për vitin 2025, ISP vlerëson:
- Vendimi i Kuvendit për të reaguar në mënyrë konsensuale për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së është praktikë unike, pozitive dhe model referimi për situata të ngjashme në të ardhmen.
- Vendimi i Kuvendit për miratimin e Metodologjisë së Vlerësimit Parandalues të Korrupsionit përbën gjithashtu një zhvillim pozitiv për sistemin e transparencës dhe llogaridhënies parlamentare.
- Vendimet e Kuvendit për procedurën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe në disa borde në institucione të pavarura janë gjithashtu pozitive në ushtrimin e funksionit zgjedhor.
Në të njëjtën kohë, nisur edhe nga vendimmarrje të tilla, ISP sugjeron se:
- Reformimi i bazës ligjore të funksionimit, përfshirë Rregulloren e Kuvendit, unifikon standardet dhe forcon komponentin e një parlamenti reagues e funksional.
- Konsolidimi cilësor i praktikave në zgjedhjen/emërimet në institucionet e pavarura do të mund të krijonte klimë për vendime më konsensuale dhe të qëndrueshme.
- Monitorimi dhe mbikëqyrja aktive parlamentare ndikon në rritjen e parandalimit të rasteve të konfliktit të interesit, abuzimit apo ushtrimit të ndikimeve informale.
- Konsultimi publik i akteve të Kuvendit mund dhe duhet të jetë më i plotë, më përfshirës, më transparent dhe më konstruktiv për rezultate afatgjata dhe funksionale.
Ky infografik është përgatitur në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”, i cili realizohet nga Fondacioni Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë. Informacioni dhe pikëpamjet e shprehura në këtë infografik janë ato të ISP-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionin zyrtar të WFD-së, financuesve të saj apo Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. As WFD dhe as ndonjë person që vepron në emër të saj, nuk mund të mbahet përgjegjës për përdorimin që mund t’i jetë bërë informacionit që ai përmban.