Më 9 shtator do të hapet legjislatura e re parlamentare. Për herë të parë prej vitit 1997 kemi një parti politike, e cila i ka fituar zgjedhjet e vetme. Më 1997 ishte PS fituese e vetme, por ajo preferoi qeverisjen me aletë, madje iu dha atyre edhe kryetarin e Kuvendit dhe Ministrin e Jashtëm. Njëzet vjet më vonë partitë dhe gjendja ka ndryshuar, – nuk ka më aleatë potencialë dhe se PS preferon qeverisjen e vetme me 74 mandate. Për pasojë, kryetari i Kuvendit do të jetë i saj, – i treti në 27 vjet, pas Islamit, Dokles dhe Pëllumbit.
Sipas Rregullores së Kuvendit mbledhja e parë e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Referuar të dhënave statistikore të deputetëve aktualë, deputeti më i vjetër është Sali Berisha (73), ndjekur nga Tritan Shehu (68) dhe Gramoz Ruci (66). Sipas rregullores, në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë. Kështu ndodhi më 2013, kur vendin e Berishës e pasoi Namik Dokle, në atë kohë 67 vjec. Në vite seancat janë hapur nga deputetët më të moshuar, përkatësisht Carcani, Arbnori, Godo, Agolli, Pellumbi, Xhuveli, Beja e Dokle. Kuvendi do të ketë edhe sekretarinë e tij, kryesisht të përbërë nga tre deputetët më të rinj (aktualisht janë Lala, Kërpaci, Mehmetaj), por që mund me rregullin e përfaqësimit politik mund të përfshihet në vend të dy emrave edhe Ulqinaku (PD) apo Xhindi (PS).
Drejtimi i mbledhjes e sekretaria nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë, përveç anës ceremoniale dhe memories parlamentare, kurse drejtimi i Kuvendit merr vlerë kryesore. Sipas të dhënave të Instituti të Studimeve Politike, kryetarë në vite kanë qenë Islami, Arbnori, Gjinushi, Dokle, Pellumbi, Topalli dhe Meta. Islami, Arbnori e Dokle kanë pasur mandate gjysmake (1991 dhe 1997 për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, kurse më 2002 për shkak të dorëheqjes), kurse të tjerët kanë drejtuar me mandat të plotë.
Këtë herë pritet të jetë drejtues Gramoz Ruci, deputeti aktual më me shumë mandate se bashku me zotin Berisha, – ish ministër i brendshëm më 1991, në të njëjtin kabinet me dy politikanët e tjerë Islami e Xhuveli, të cilët ishin më vonë ministra apo deputetë majtas dhe djathtas. Ndër deputetët aktualë zoti Ruci ka pasur postin më të lartë në regjimin komunist, (përpara 1990) duke qenë kandidat i Komitetit Qendror të PPSH dhe Sekretar i Parë për Tepelenën.
Interesant është fakti se nga nëntë legjislatura, shumica e tyre (5) janë bojkotuar në seancat e hapjes, (3 herë PD dhe 2 herë PS). Kjo do të thotë se në pesë raste deputetët nuk kanë bërë betimin së bashku, por të ndarë sipas dy blloqeve politike. Po ashtu, në tre raste ka pasur votim me garë për kryetar parlamenti (1992, 1997, 2005), kurse në rastet e tjera ka pasur votim formal me një kandidat. Vetëm më 1991 ka ndodhur që pas votimit për emrin e parë nuk u vijua me votim për emër tjetër pasues (Agolli) dhe se është i vetmi rast kur votimi për kryetarin ishte i hapur. Viti 1991 ishte ndofta i vetmi ku lejohej dhe u zhvillua debat për emrin e kryetarit, kurse me Rregulloren e re të Kuvendit, zgjedhja e tij bëhet pa debat.
Mbledhja e parlamentit me 9 shtator përputhet 100% me përcaktimin kushtetues të mandatit të parlamentit të vjetër (4 vjet, në të njëjtën ditë). Pas 1997 më 2017 është hera e dytë që parlamenti mblidhet në një ditë pushimi (dita e shtunë), kurse në pesë raste të tjera është mbledhur ditën e hënë, pra në fillim të javës.
Si rregull, për shkak se më 2017 do të kemi parlament të ri me një President të ri, mund të kemi në seancën vijuese edhe një mesazh zyrtar të Presidentit drejtuar parlamentit. Është aplikuar në disa raste, por jo nga dy presidentët e fundit. E drejta e mesazhit është e drejtë kushtetues e Presidentit, kurse axhenda parlamentare deri në zgjedhjen e strukturave të parlamentit vijon të jetë jopolitike. Tradicionalisht, parlamentet e reja në shtator nxitojnë të votojnë kryeministrin, programin dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar përpara javës së tretë të shtatorit, kur kryeministri zakonisht udhëton për në mbledhjet e Asamblesë e Kombeve të Bashkuara (OKB), duke pasur kështu një legjitimitet të qartë për bisedime të ndryshme politike të nivelit të lartë.