Ligjet, monitorimi dhe impakti i mungesës së akteve nënligjore ishte tema e debatit të zhvilluar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me studentë aktivë pjesë të ELSA Albania në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Gjetjet paraprake të monitorimit të matricës ligjore 2019 tregojnë se rreth gjysma e akteve ligjore të parashikuara nuk janë miratuar, si dhe për një sërë ligjesh të rëndësishme, siç janë ligjet të viteve të fundit mbi arsimin e lartë, pakicat kombëtare, ndihmën juridike, çështjet e pronësisë, falimentimin, punësimin, sportin, mbështetjen e shtesave në nevojë, etj, mungojnë ende aktet nënligjore për jetësimin e tyre.
Gjatë takimit u evidentuan problematika të ndryshme në lidhje me mungesën e një sistemi vlerësimi për nevojat e ligjit dhe efektivitetin e tyre të pritshëm, për raportet e brishta midis institucioneve ligjvënëse dhe ligjzbatuese, për kurbën e procesit të hartimit të ligjeve dhe akteve nënligjore, si dhe për impaktin që këto fenomene kanë pasur në ecurinë e standardeve të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Në bashkëbisedim me studentët ishin Prof. Artan Hoxha ekspert i njohur i procedurës penale dhe reformës në drejtësi, si dhe Afrim Krasniqi, drejtues i projektit monitorues të ISP. Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Ambasada Amerikane në Tiranë, studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë. Aktiviteti u bë në kuadër të projektit të monitorimit të impaktit të mungesës së akteve nënligjore në Shqipëri, të cilin ISP po zbaton mbështetur nga Programi për Demokracinë, Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë.