Kushtetuta e RSH-së (1998) përcakton se organizimi i partive politike duhet të përputhet me parimet demokratike. Partitë, të vetme ose në koalicion, janë subjektet dominuese elektorale në Shqipëri. Qytetarët duhet të zgjedhin, por zgjedhja kushtëzohet nga oferta e partive dhe aftësia e tyre për të ofruar alternativa zhvillimi, mobilizim qytetar dhe optimizëm e besim te sistemi përfaqësues.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) po monitoron standardet e integritetit te partitë politike, procesi zgjedhor dhe demokracia përfaqësuese në Shqipëri.
Elementë kritikë lidhur me integritetin e partive politike:
- Partitë nuk kanë krijuar sistem transparent vendimmarrjeje;
- Partitë refuzojnë mendimin kritik, fraksionet apo rivalitetin;
- Partitë nuk kanë zhvilluar / projektuar primare për kandidatët;
- Partitë nuk kanë verifikuar rekordet e strukturave drejtuese;
- Partitë pranojnë evitimin e kandidatëve me rekorde kriminale;
- Partitë nuk kanë bërë publike burimet e sakta të financimit;
- Partitë riciklojnë brenda tyre zyrtarët e akuzuar për korrupsion;
- Partitë nuk kanë programe të shkruara, as kontrata sociale;
- Sistemi ynë partiak nuk e njeh konceptin e llogaridhënies.
Elementë pozitivë lidhur me integritetin e partive politike:
- Partitë politike veprojnë brenda kuadrit kushtetues e ligjor;
- Partitë pranojnë de facto devijimet nga organizimi demokratik;
- Spektrit politik i janë shtuar parti dhe lëvizje të reja politike;
- Partitë pranojnë në ligjërim defektet e sistemit përfaqësues;
- Partitë pranojnë se kanë nevojë për prurje të reja, imazh të ri;
- Partitë janë të interesuara për pjesëmarrje të lartë në zgjedhje;
- Partitë po nxisin pjesëmarrjen e madhe të diasporës në votime;
- Partitë pranojnë nevojën e hetimeve aktive kundër korrupsionit;
- Partitë kanë nxitur pjesëmarrjen në debate televizive.
Ky factsheet është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.