Instituti i Studimeve Politike (ISP), me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED), po zbaton projektin “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” në periudhën tetor 2023 – shtator 2025. Ky projekt përbën një angazhim të vazhdueshëm të ISP-së në ndjekjen e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit dhe sigurinë e integritetit të individëve që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë detyra publike në Shqipëri.
Ky raport është realizuar nga ISP për të ofruar një vlerësim të thelluar mbi procesin e dekriminalizimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri. Raporti thekson se, pavarësisht disa përparimeve, Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të arritur një proces të plotë dhe të suksesshëm dekriminalizimi, duke u fokusuar në nevojën për një forcim të mëtejshëm të institucioneve dhe demokratizimit të shtetit.
Për mbledhjen e të dhënave, ky raport ka përdorur dy metoda kryesore: anketat dhe intervistave cilësore. ISP ka realizuar një anketim kombëtar online gjatë muajit Tetor 2024.
- Perceptim negativ mbi ndikimin e Ligjit të Dekriminalizimit: mbi 60% e të anketuarve kanë perceptim mbi impaktin e ligjit të dekriminalizimit dhe pastrimin e institucioneve publike nga individët me precedentë kriminalë. Trend që sugjeron nevojë për rishikim të masave për forcimin e ligjit dhe përmirësimin e rezultateve të deritanishme.
- Perceptim negativ mbi nivelet e transparencës: Mesatarisht, 70% e të anketuarve vlerësuan negativisht transparencën për personat që kandidojnë ose emërohen në poste publike si drejtorët e tatimeve, doganave, policisë dhe bashkive, ndërsa vlerësim pozitiv për rektorët dhe dekanët. Trend që sugjeron ndikime ende të larta të politikës dhe grupeve kriminale në këto të institucione.
- Perceptim i ulët deri në mesatar për integritetin profesional dhe personal: Të anketuarit vlerësuan jo sipas pritmërive integritetin profesional dhe personal të individëve që janë emëruar në poste në polici, tatime, dogana, ndërsa vlerësim të lartë për prokuroritë dhe gjykatat, si institucione me figura më të pastra. Trend i cili tregon nevojën për përforcimin e reformave dhe kontrolllit për të ulur nivelin e ndikimeve politike dhe kriminale.
- “Blerja” e posteve dhe ndikimi i individëve me rekorde kriminale / “të fortë”: Perceptimi i qytetarëve për ndikimin e individëve të inkriminuar në emërimet ose zgjedhjet në poste publike rezulton të perceptohet në shifra të larta për postet drejtorë të bashkive, policisë, tatimeve dhe doganave. Fenomeni është tregues i ndikimeve të padukshme të lidhjeve kriminale ose politike, të cilat dëmtojnë objektivitetin dhe profesionalizmin në emërimet e drejtorëve të institucioneve të caktuara. Vlerësimi më i lartë për parandalimin e ndikimeve të individëve të inkriminuar është për drejtuesit e gjykatave, me 60%, duke reflektuar një perceptim pozitiv për procesin e emërimeve në këto institucione.
- Skepticizëm i lartë lidhur me përmirësimet që nga viti 2016: 63.3% e të anketuarve besojnë se nuk ka pasur përmirësim në procesin e dekriminalizimit. Ky rezultat sugjeron që institucionet nuk kanë arritur të krijojnë besueshmëri te qytetarët dhe vetë ata kanë shqetësime lidhur me efektivitetin e ligjit të dekriminalizimit.
- Besim i lartë në transparencën e proceseve të kandidatëve dhe emërimeve: Ka besim të lartë në transparencën e proceseve të kandidaturave dhe emërimeve në postet drejtuese në institucione si Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Avokati i Popullit, Instituti i Statistikave, Autoriteti i Mediave Audiovizive, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit, por qytetarët e shohin ende të pamjaftueshëm informacionin nga institucione të tjera si Banka e Shqipërisë dhe Komisioni i Prokurimit Publik, etj. Sidomos në institucionet që menaxhojnë burimet financiare dhe njerëzore të shtetit, qytetarët janë të ndërgjegjshëm për nevojën e një transparence më të madhe.
- Perceptimi më i lartë për individët e inkriminuar në pozita drejtuese: Prania e individëve me rekorde kriminale në pozita drejtuese dhe nëpunësve të tjerë publik është perceptuar më shpesh në sektorët si policia, tatimet dhe bashkitë ndërsa media, universitet, forca të armatosura kanë perceptim të ulët. Ky perceptim tregon një mungesë të dukshme besimi në administratën shtetërore, e cila mund të shërbejë si një pengesë për zhvillimin dhe forcimin e institucioneve publike, si dhe për realizimin e reformave të thella në sistem.
- Mbështetje në masë të lartë të mekanizmave të përmirësimit të zgjedhjes/emërimit të zyrtarëve të pastër dhe me integritet: Qytetarët kërkojnë transparencë më të madhe në procesin e emërimit të zyrtarëve, duke mbështetur plotësisht masa të tilla si verifikimi i zyrtarëve nga autoritetet dhe ndëshkimi i atyre me rekorde kriminale. Ata janë të gatshëm të mbështesin reforma që nxisin më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri.
- Personat e inkriminuar ose të fortë do të vijojnë të ndikojnë në zgjedhjen ose emërimin e personave në postet publike deri në vitin 2030: 76.3% e respondetëve kanë perceptim negativ për vazhdimin e ndikimit nga individë të inkriminuar ose të fortë në emërimin e zyrtarëve publikë gjatë periudhës 2025-2030. Ky rezultat pasqyron një pikëpamje pesimiste, me shqetësime të thella se vështirësitë në parandalimin e ndikimit të individëve të tillë në proceset e zgjedhjeve dhe emërimeve do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim.
- Nivel tepër i ulët i denoncimeve nga ana e qytetarëve: Vetëm 16% e qytetarëve janë angazhuar në denoncime ose kërkesa për informacion lidhur me integritetin e zyrtarëve, duke treguar një pasiguri dhe mungesë besimi për të ndërmarrë hapa konkrete. Pavarësisht që qytetarët janë të shqetësuar për integritetin e zyrtarëve, rezultati tregon një pasiguri të thellë në ndërmarrjen e veprimeve konkrete, gjë mund t’i japin mundësi korrupsionit dhe abuzimeve të qëndrojnë pa u adresuar.
Raporti i plotë mund të lexohet këtu:
ISP – Dekriminalizimi i zyrtarëve publikë – gjetje nga sondazhi 2025