Dekriminalizimi 2015-2025: 10 vjet pas. Shqipëria mbylli procesin zgjedhor dhe zgjodhi parlamentin e ri, qeverinë e re dhe prej 2023 ka edhe qeverisje të re lokale. Drejtësia, institucionet kryesore kushtetuese dhe nivelet e larta të institucioneve publike kanë gjithashtu drejtues të rinj të zgjedhur apo emëruar vite pas 2015 kur ligji 138/2015 premtoi të ishte “mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, Forcave të Armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare dhe çdo institucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jo përfundimtar për kryerjen e krimeve”.
Bazuar në të dhënat statistikore të zyrtarëve të verifikuar dhe të penalizuar për shkak të ligjit, një dekadë më pas mund të vlerësohet se në tërësinë e tij procesi i dekriminalizimit ka funksionuar. Deputetë, kryetarë bashkish dhe zyrtarë të lartë kanë humbur mandatin, disa qindra këshilltarë dhe zyrtarë të nivelit të mesëm gjithashtu janë penalizuar, ndërkohë që Shqipëria ka tashmë disa zyrtarë të lartë të dënuar ose në masë sigurie të akuzuar për korrupsion.Problematikat në jetësimin e ligjit, përfshirë mungesa e efektit të tyre në verifikimet e zgjedhjeve brenda partive politike (strukturave drejtuese), debati mbi standardet dhe afatet, diferencat midis formularit për deklarim dhe kërkesave të ligjit, etj, janë një aspekt procedural që duhej të merret në shqyrtim nga organi ligjvënës. Nga ana tjetër, monitorimet tregojnë se ndikimet informale/kriminale mbi të zgjedhurit dhe të emëruarit, përfshirë deputetët, vijojnë të jenë shqetësim dhe në kontrast me standardet e integritetit në politikë, si dhe vetë subjektet e penalizuara nga dekriminalizimi vijojnë të kenë ndikim në jetën politike. Gjithashtu individë të akuzuar për korrupsion dhe të përfshirë në skandale, vijojnë të jenë aktiv dhe të rikonfirmuar në politikë. Zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin një dëshmi tjetër për këtë.
“Dekriminalizimi dhe integriteti: mësime e sfida: në nisje të legjislaturës së re parlamentare dhe mandatimit të qeverisë së re” ishte tryeza e radhës e diskutimit të organizuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) në kuadër të angazhimit në projektin “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy). Pjesëmarrës, ekspertë të njohur të ligjit dhe të medias (A2 CNN, Newsbomb, Faktoje, BIRN) partnerë nga shoqëria civile (IDM, ASP, ACGG, SHKD, KSHH, etj), nga OSBE e NDI, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga KQZ, si dhe stafi i angazhuar në monitorim e vlerësim nga ISP. Ekspertët Altin Gjeta dhe Roland Lami prezantuan gjetje ne moderimin e tryezës nga eksperti i medias Lufti Dervishi.
Fokusi i debatit lidhej me gjetjet nga monitorimet dhe analizat si dhe diskutimi i tyre në kontekstin aktual dhe perspektiv me tri pyetje thelbësore:
- A është koha që dekriminalizimi të hyjë në një fazë të re në formë e koncept, për një politikë të pastër dhe me integritet, për veting pasurie dhe reformim të legjislacionit mbi partitë, për hetime mbi burimet e financimit politik dhe lidhjet informale kriminale?
- A mund të jetë dekriminalizimi “nga lart” zgjidhje afatgjatë dhe funksionale apo duhet shoqëruar me reforma horizontale në përfaqësim dhe emërim/zgjedhje?
- A duhet të jetë dekriminalizimi proces i përkohshëm apo i përhershëm dhe cilat janë standardet për të vlerësuar cilësitë e elitës së re politike/qeverisëse/administrative në kushtet e një vendi në proces bisedimesh për anëtarësim në BE?
Gjetjet kryesore dhe rekomnandimet e evidentuara do të adresohen në Kuvend në komisionin e ri të pritshëm për reformën zgjedhore, në strukturat e Kuvendit, të KQZ, ILDKPKI, PP, DAP, SPAK, partive politike parlamentare, etj.
ISP do të vijojë monitorimin e dekriminalizimit, si dhe legjislacionin mbi përfaqësimin, mbi partitë politike, mbi financat elektorale, si dhe mbi integritetin e institucioneve edhe gjatë viteve 2025-2027.