Bashkia Kavajë përbën një rast specifik në qeverisjen lokale në kuadër të reformës së re territoriale, – zgjedhjet dhe rotacionin në mesin e mandatit, si dhe marrjen e një pjese të rëndësishme të territorit nga bashkitë fqinje. Kavaja është një territor në zhvillim dhe për pasojë, edhe kërkesat e komunitetit ndaj bashkisë dhe dy niveleve të qeverisjes janë më të mëdha e të gjithanshme.
Për të debatuar mbi rolin e pushtetit vendor, problematikat e raporteve midis këshillit bashkiak dhe komunitetit qytetar, grupeve të interesit dhe atyre civile, qeverisë lokale e qendrore si dhe koncepteve të llogaridhënies, transparencës dhe pjesëmarrjes qytetare, Instituti i Studimeve Politike (ISP) zhvilloi një takim fokus grup në sallën aktuale të mbledhjeve të këshillit bashkiak në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”. Pjesëmarrës ishin tre drejtuesit kryesore të këshillit bashkiak Kavajë, drejtuesit e sektorëve kryesorë në bashkinë Kavajë, përfaqësues nga komuniteti kulturor, sportiv dhe biznesi në qytet, përfaqësues nga grupe komunitare, përfshirë fondacione sociale dhe media, etj. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” jetësuar përmes mbështetjes nga Lëviz Albania (LA).
Pjesëmarrësit në takim diskutuan për problematika konkrete të bashkëpunimit, për raportet midis të zgjedhurve e zgjedhësve, çështje që kanë të bëjnë me shqetësime prioritare, etj. Pjesa e komunitetit vlerësoi si thelbësore nevojën e një standardi të ri llogaridhënës dhe konsultimi publik në vendimmarrjet më të rëndësishme që lidhen me bashkinë në gjithë territorin e saj, ndërsa pjesa përfaqësuese vlerësoi si thelbësore nevojën për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në mekanizmat e konsultimit publik. Dy palët sollën praktika pozitive dhe kritike të transparencës, bashkëpunimit dhe rolit qytetar në qeverisjen vendore.
Faleminderit këshilltarëve, pjesëmarrësve nga njësitë, bashkia, komuniteti lokal dhe OJF-të, si dhe eksperteve tanë, Afrim Krasniqi dhe Migena Kola, si koordinatorit lokal Arben Meta.