Raportimet e ndryshme të medias janë objekt debati lidhur me rivalitetin e të drejtës për informim dhe përgjegjësisë për standarde etike.
ISP ka evituar tri raste tipike, në të cilat strukturat institucionale (SPAK, AMA, Prokuroria) ndërhynë me deklarime publike, masa ligjore ose vendimmarrje, për të penguar publikimin në media të një dosje hetimore që lidhej me sigurinë kombëtare, një dosje hetimore lidhur me krimin e përdhunimit dhe një dosje hetimore që lidhet me dëshmitë e një të penduari të drejtësisë. Autoritetet reaguan pa konsultim me median dhe pa ofruar qasje alternative informimi, ndërkohë që media të veçanta abuzuan duke injoruar standardet etike dhe të drejtat e njeriut.
Media ka mision e përgjegjësi informimin me integritet e profesionalizëm, institucionet kanë detyrimin të ofrojnë transparencë dhe standarde ligjore që garantojnë të drejtat e njeriut dhe nuk censurojnë median.
* * *
Gjatë vitit 2021-2022 u publikuan në media database me të dhëna personale të qytetarëve, përfshirë ato mbi bindjet politike, punësimin, të dhënat e banimit, pagat dhe pronësinë private.
Skandali i publikimeve i të dhënave masive nxori në pah dobësinë e sistemit dhe përgjegjësinë e institucioneve. Disa portale online i përdorën në vazhdimësi të dhënat personale si mjet shantazhi apo dokument referimi. Debati midis organeve ligjzbatuese dhe vetë medias nuk ofroi zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Institucionet përgjegjëse, komisionerët dhe organet ligjzbatuese, organet administrative dhe ato të shërbimeve elektronike, kanë përgjegjësi e detyrë të mbrojnë të dhënat personale dhe të denoncojnë çdo rast të abuzimit me to. Mediat mund të luajnë rol pozitiv në promovimin e praktikave të mira, nxjerrjen e përgjegjësive dhe nxitjen e standardeve ligjore e profesionale për parandalimin në të ardhmen të skandaleve të tilla.
Media është një institucion thelbësor për një demokraci të besueshme dhe funksionale.
* * *
Disa media dhe portale online vazhdimisht publikojnë lista anonime spekuluese dhe denigruese ndaj individëve publikë, të tilla si lista të mundshme të bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit të Shtetit, lista të mbështetësve të kompanive e individëve me influencë të supozuar negativë në Shqipëri, lista përfituesish nga lidhjet politike dhe oligarkët, etj. Publikime të tilla pa autor, pa verifikim, pa burime referimi dhe me qëllime të dukshme denigrimi dhe të shkeljes së të drejtave të njeriut, përbëjnë një prej rasteve të dukshme negative të abuzimit me median online.
Ndonëse publikimet nuk përbëjnë krim penal dhe as nuk mund të trajtohen gjithnjë nga sistemi gjyqësor, komuniteti i medias ka nevojë të ketë reagim të qartë profesional mbi etikën, integritetin dhe standardet e mediave online. Gjithashtu institucionet mbrojtëse dhe promovuese të të drejtave të njeriut kanë rol në forcimin e kulturës ligjore, standardeve etike, transparencës dhe llogaridhënës.
Vetëm media etike dhe profesionale mund të sigurojë gazetari të besueshme, informim dhe formim.
* * *
Monitorimi i kryer nga ISP dëshmon se mediat online kanë shënuar disa raste pozitive të raportimit profesional dhe mbi baza etike. Ja dy prej tyre:
Rastet kur media hetoi dhe publikoi të dhëna kritike lidhur me lajmet propaganduese dhe të pasakta të institucioneve për situatën e COVID -19, si dhe lajmet fake news të mediave lidhur me pandeminë. Në të dy situatat, gazetarët konfirmuan presionin për të imponuar lajme zyrtare dhe abuzimet me lirinë e medias nga individë dhe grupe spekulative.
Mediat serioze publikuan komente kritike pas përfundimeve se portale të caktuara kanë sjellje seksiste dhe diskriminuese ndaj grave politikane. Ka një numër të madh të rasteve të tilla, ndërkohë që mungon një mekanizëm rregullues.
Media ka rol thelbësor për jetësimin e demokracisë funksionale, transparencës dhe llogaridhënies.
ISP po realizon projektin “Median online dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri” mbështetur financiarisht nga MPJ e Republikës së Çekisë, programi TRANSITION.