35 vjet më parë ne nisëm pluralizmin politik duke krijua partitë e para politike përballë PPSH. parulla jonë ishte “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “liri demokraci”. Ata që erdhën të rinj në politikë premtuan se nuk do të lejojnë kurrë më që shteti të njësohet me partinë dhe as që partitë të kthehen si PPSH, organizata që kontrollojnë shoqërinë, humbin lirinë individuale, mbysin fjalën e lirë dhe me aktet e tyre e etjen për pushtet penalizojnë vendin.
Ku jemi pas 35 vitesh? Një demokraci e brishtë që ecën, por me shumë probleme në funksionim, përfshirë edhe thelbin e pluralizmit, gjendjen e partive politike. Ata që premtuan liri e demokracisë apo Shqipëria si Europa, kanë hequr dorë prej kohësh nga këto premtime dhe i kanë kthyer partitë e tyre në struktura mbështetëse personale, pa identitet, pa transparencë, pa meritokraci, pa garë politike, pa program dhe pa llogaridhënie. Thënia se partitë e sotme mendojnë vetëm për pushtetin dhe identifikohen vetëm me kryetarët e tyre është popullore dhe e besueshme. Shoqëria ka ndryshuar, shteti ka ndryshuar, mjedisi ynë i përbashkët ku jetojmë ka ndryshuar, media ka ndryshuar, shoqëria civile ka ndryshuar, universiteti ka ndryshuar, – të gjithë për më mirë, por të vetmet që nuk kanë ndryshuar dhe aq më tepër për mirë, janë partitë politike. Mjafton të shohim ditët e fundit, javët e fundit, muajt e fundit apo vitet e fundit, – cilido që mendon ndryshe denigrohet dhe diskriminohet, cilido që vendos në diskutim autoritetin e kryetarit penalizohet me fundin e karrierës politike, cilido që bindet e shërben pa kushte promovohet në deputetë, ministër, kryetar bashkie, këshilltar apo drejtor. Partitë e sotme janë larg, shumë larg modelit që premtuan në dhjetor 1990 dhe që duhet të kishte një vend kandidat real për të qenë anëtar në Bashkimin Europian.
Në këto rrethana sa herë kritikojmë na thuhet, mjaft me konstatime, duhet zgjidhje. Dhe kërkohet rrugëzgjidhje. Në demokraci ekzistojnë gjithnjë mundësi për zgjidhje, por duhet vullnet politik, reflektim dhe vendimmarrje me integritet për ta arritur aty. Edhe për partitë dhe rënien e madhe të besimit ndaj tyre ka rrugëzgjidhje. Ja p.sh., një biznesi dhe një OJF-ve, një universiteti apo një federate, i kërkohet nga shteti e ligji deklarim të rregullt vjetor të çdo ndryshimi, të zgjedhjeve periodike, të burimeve të financimit, të të punësuarve, etj, etj. Përse nuk kërkohen të njëjtat standarde edhe për partitë? Përse ato nuk detyrohen me ligj të tregojnë strukturat e tyre drejtuese, CV-të e drejtuesve dhe kandidatëve, të bëjnë zgjedhje dhe të kenë rregulla demokratike mes tyre, të kenë burime financimi publike dhe transparente, të kenë zyrë, adresë dhe identifikim të qartë, të kenë program dhe raport publik mbi aktivitetin e tyre vjetor? Ne e kemi me Kushtetutë detyrimin që partitë të bëjnë publike burimet e financimit dhe të kenë demokraci të brendshme? Kur Kushtetuta flet, ligji duhet të mundësojë respektimin e Kushtetutës. Ka raste e modele pozitive që mund të merren si model edhe për ne. Ja p.sh., Instituti i Studimeve Politike që merret prej vitesh me monitorimin e partive ka rekomanduar rastin e Kosovës, ku partitë kanë një regjistër publik për aktivitetin dhe strukturat e tyre, ku kongreset zgjedhore janë të detyrueshme dhe të dokumentuara, ku ka pluralizëm më konkurrues dhe kandidatë më cilësor sesa në rastin e Shqipërisë, ku ata që ndryshojnë në mënyrë demokratike liderit politikë dhe ku partitë penalizohen ashpër nëse nuk respektojnë ligjin dhe ku partitë në pushtet nuk fajësohen si në Shqipëri për keqpërdorim të shtetit dhe burimeve shtetërore në fushatë. ISP ka informuar se gjoba në Kosovë për partitë politike që shkelin ligjin në zgjedhje ishte mbi 600 mijë euro, në Shqipëri është 0. Asnjë penalizim, asnjë masë, asnjë hetim.
Shqipëria bën pjesë në listën e shteteve ku shumica e partive politike nuk fitojnë vota as sa numri themelues i tyre. Në dy zgjedhjet e fundit, sipas ISP, mbi 200 kandidatë morën 0 ose vetëm 1 votë, mbi 70% e partive politike morën nën 3 mijë vota sa është pragu minimal (3 mijë anëtarë) për krijimin e një partie politike. Një parti që nuk merr vota sa themelues ka ose kandidatë që nuk votojnë as për veten e tyre janë tregues i fiktivitetit, formalitetit dhe nevojës urgjente për reformimin e legjislacionit mbi partitë politike.
Në Tiranë dhe në qendrat e qarqeve partitë kanë seli luksoze. Ua jep ligji që kanë bërë vetë. Seli luksoze ku bëjnë pritje, mitingje, ceremoni, etj, etj, dhe paguhen nga taksat tona. Partitë më të vogla kanë seli falas, shumica e tyre i kanë bërë zyra për kryetarët ose i kanë dhënë me qera bizneseve kur nuk ka zgjedhje. Si mundet që Shqipëria me 1000 probleme tu japë partive para falas nga buxheti i shtetit, para falas për fushatën dhe seli falas nga pronat publike? Me paratë që marrin le të gjejnë selinë që duan dhe të paguajnë për të. Kështu ndodh në shumicën e vendeve të BE-së, ne vazhdojmë traditën e vendeve sovjetike ku selitë e partive i kemi në qendër dhe në ndërtesa luksoze.
Duke iu rikthyer 1990-1991 partitë premtonin demokraci e debate brenda tyre. Të gjithë e mbajmë mend KPD-në e famshme në PS të vitit 2012-2002, lëvizja ndryshe në PS 2009-2010 apo foltoret në PD 2020-2021. Partitë kanë nevojë për debat, por për këtë edhe për garanci debati, pra për legalizimin e të drejtës për të menduar ndryshe, për fraksione, për zgjedhje të brendshme dhe për meritokraci. I kanë me ligj të gjitha vendet e BE-së, Shqipëria duhet t’i vendos gjithashtu në ligj. Vetëm partitë që janë demokratike nga brenda mund të prodhojnë demokraci jashtë tyre, për shtetin, për qytetarët, për ata që votojnë pro apo kundër tyre. Reforma e re duhet ta zgjidhë këtë problematikë, siç duhet të rregullojë edhe aktivitetin e partive në diasporë, si krijohen degët, si financohen ato, si deklarohen të ardhurat, si aplikohet votimi atje dhe si zgjidhen kandidatët për deputetë.
Së fundi, ne e shohim se çdo vendim i rëndësishëm, reformë ose jo zgjedhje institucionesh ose jo, financim ose jo, buxhet ose jo, vendoset nga partitë dhe shpesh negociohet midis tyre. Edhe reforma e re krijoi një sistem bipartizan ku partitë duhet të bëjnë reformë për veten e tyre! Kjo duhet të ndryshojë. Demokracia, liria dhe standardet nuk janë pronë e dy bashkëkryetarëve dhe as e një partie, as e dy partive as e një komisioni. Ato janë interes publik. BE dhe OSBE e thonë qartë e shqip, gjithëpërfshirje dhe konsultim, transparencë dhe dialog publik. Qytetarët duhet të pyetën. Qytetarët duhet të flasin. Ne media gjithashtu. Sepse jemi votues, sepse monitorojmë politikën, sepse raportojmë dhe analizojmë atë, por edhe sepse e paguajmë atë me taksat tona.
Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Përmirësimi i kuadrit ligjor për partitë politike përmes Ligjit për Partitë Politike dhe/ose Kodit Zgjedhor”, i cili realizohet nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.



