Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri po monitoron Kuvendin dhe aktivitetin parlamentar në Shqipëri. Qëllimi i monitorimit është njohja, evidentimi dhe promovimi i bilancit parlamentar, ekspozimi i rolit të Kuvendit në procesin ligjvënës, në kontrollin dhe monitorimin e ekzekutivit dhe institucioneve të tjera kushtetues, respektimin e standardeve të transparencës dhe të llogaridhënies, të përfaqësimit dhe të funksionit kushtetues të institucionit.
GJETJET KRYESORE TË RAPORTIT
1. Gjatë sesionit parlamentar janar – korrik 2022 Kuvendi iu rikthye normalitetit formal, me pjesëmarrje aktive të të gjitha prurjeve politike, përfshirë opozitën, e cila në sesionin e kaluar më shumë u investua në debatet e brendshme politike, sesa në përfaqësimin parlamentar. Temat kryesore në ligjërimin dhe nismat parlamentare mbeten vetingu në politikë, reforma në drejtësi, lidhjet e politikës me krimin, korrupsioni, rritja e kostos së jetesës dhe skandale si ai i inceneratorëve, për të cilin dy deputetë të zgjedhur më 2021 janë në burg.
2. Retorika parlamentare u bazua kryesisht në sulme të personalizuara dhe akuza të ndërsjellta, me gjuhë denigruese dhe mungesë të respektit ndaj mendimeve të Tjetrit, sjellje partizane dhe imponim të votave të shumicës për vendimmarrjet politike. Megjithë praktikën e seancave dedikuar zgjedhësve, në tërësi diskutimet parlamentare lanë në hije problematikat e tyre duke u fokusuar në debatet politike të ditës.
3. Tri aktet më të rëndësishme të parlamentit gjatë sesionit janar – korrik 2022 ishin: zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, ndryshimi i kushtetutës lidhur me mandatet e organeve të vetingut, dhe funksionimi i komisionit hetimor për inceneratorët.
4. Gjatë sesionit nuk pati mocion besimi dhe as mosbesimi, nuk pati seancë të posaçme pyetjesh për kryeministrin, dhe megjithëse u shënuan 19 interpelanca, në tërësi, Kuvendi nuk arriti të bëjë progres në jetësimin e funksionit kushtetues të kontrollit të pushtetit ekzekutiv.
5. Klima e tensionit, arroganca e shumicës parlamentare dhe sjellja agresive e opozitës dobësuan cilësinë e debatit parlamentar dhe vështirësuan moderimin e punimeve të Kuvendit. Megjithëse drejtimi aktual i parlamentit, në dallim nga disa legjislatura të kaluara, nuk provokon incidente dhe konflikte parlamentare, deputetët nuk e konsiderojnë këtë si një mundësi pozitive për sjellje më konstruktive. Drejtuesit e grupeve parlamentare nuk kanë arritur të ndikojnë në moderimin e debatit parlamentar dhe roli i ministrit për parlamentin shënoi regres të dukshëm në raport me përgjegjësitë kushtetuese dhe pritshmëritë publike.
6. Zgjatja e mandatit të organeve të vetingut është një hap pozitiv për vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi, por votimi në Kuvend pa një raport analitik të problemeve të shfaqura tregon edhe njëherë se mungon tradita e shqyrtimit post-legjislativ. Komisionet e posaçme, zgjedhore dhe ai i reformës territorial u ngritën me vonesë dhe nuk kanë bërë progres të dukshëm në agjendën e tyre. Zgjatja e mandateve kohore vijon të jetë shqetësim kritik ndërkohë që parlamenti nuk ka një sistem efektiv të respektimit të afateve dhe vendimeve të tij.
7. Nisma kushtetuese për veting në politikë vijon të jetë në agjendë, megjithëse gjerësisht konsiderohet si nismë për konsum politik, sesa për të forcuar luftën ndaj korrupsionit, sistemin e transparencës dhe të llogaridhënies. Megjithatë, deri në fund të sesionit parlamenti nuk arriti të marrë një vendim shterues lidhur me këtë nismë.
8. Kuvendi miratoi një numër të madh aktesh ligjore (sipas database 61 ligje, 29 rezoluta dhe 64 vendime), por shumica e tyre ishin akte procedurale apo amendime ligjore. Asnjë ligj i rëndësishëm që lidhet me reformat nuk ishte pjesë e agjendës. Qeveria vijon të ketë monopolin e nismave ligjore, duke vijuar traditën sipas të cilës, Kuvendi mbetet pasiv në procesin legjislativ. Midis nismave parlamentare të deputetëve, ato më konstruktivet u refuzuan, një sinjal dekurajues për ushtrimin më të madh të të drejtës ligjvënëse, sidomos të atyre që nuk bëjnë pjesë në grupin politik të shumicës.
9. Arritja më e rëndësishme e këtij sesioni në aspektin e komisioneve hetimore ishte komisioni për inceneratorët. Komisioni ka zhvilluar 19 seanca dëgjimore dhe mori në pyetje një numër të madh zyrtarësh të lartë, përfshirë kryeministrin dhe disa kryetarë bashkish. Punimet e komisionit u pasqyruan gjerësisht nga media, publiku tregoi interes të madh, dëshmitë sollën të dhëna me interes hetimor nga SPAK dhe, pavarësisht se nuk pati dakordësi në raportin e Komisionit, praktika e tij mbetet një arritje domethënëse dhe një ilustrim se si ushtrohet hetimi dhe kontrolli parlamentar nga pakica politike.
10. Kriza në PD ka pasur ndikim në të gjithë aktivitetin, performancën dhe jetën parlamentarë, sidomos në agjendën e opozitës dhe të deputetëve në mënyrë individuale. Kuvendi nuk ka një sistem efektiv që bën verifikimin e legjitimitetit të grupeve parlamentare dhe mazhoranca krijoi përshtypjen se dëshiron të përdor shumicën e saj për të diktuar opozitën. Ajo refuzoi nisma serioze të ardhura nga deputetë të tjerë, të cilët sipas saj, nuk përfaqësojnë opozitën ligjore, megjithëse sipas Kushtetutës, çdo deputet është i barabartë në të drejtën për nisma ligjore dhe se të gjithë deputetët kanë të njëjtin burim legjitimiteti nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
11. Kriza në përfaqësimin e opozitës i harxhoi asaj energji të shumta dhe krijoi perceptimin se deputetët votojnë dhe mbajnë qëndrime më shumë nga dëshirat e tyre, sesa nga një platformë politike kolektive. Përfaqësimi i saj në organet parlamentare, përfshirë drejtimi në komisione, me përjashtim të komisionit hetimor, ishte cilësisht i dobët, duke ndikuar në dobësimin e rolit dhe funksionit kushtetues të parlamentit.
12. Partia Socialiste siguroi në vijueshmëri votat e PSD, duke krijuar perceptimin se janë e njëjta parti, ndërkohë që disa deputetë me përvojë parlamentare në PS u bënë zëra kritikë në nisma ligjore, debate e akte parlamentare me rëndësi publike, një vlerë pozitive e legjislaturës aktuale parlamentare. Një deputet i PS u arrestua për korrupsion, duke dhënë dorëheqjen, disa deputetë të tjerë janë ende në procese hetimore.
13. Kuvendi zgjodhi Presidentin e Republikës, por procesi ishte thuajse formal: tre raunde nuk pati votim dhe as kandidat, në votimin e katërt votimi u kthye më shumë në konfirmim emërimi. Mazhoranca e dobësoi parlamentin kur vendosi të votojë në grupin e saj parlamentar kandidatët e mundshëm për President, kurse opozita e dobësoi procesin kur refuzoi të drejtën kushtetuese të propozimit të kandidatëve për President.
14. Kuvendi nuk respektoi afatet ligjore për rotacionet në institucionet që dalin nga Kuvendi dhe në tërësi, në rastet zgjedhore pati vetëm një kandidat në garë. Procedurat e konkurrimit dhe të meritokracisë u zbehën nga vendimmarrja paraprake politike dhe se procesi i raportimit vjetor të institucioneve në Kuvend reflektoi preferencat politike. Në seancat dëgjimore nuk pati adresim të shqetësimeve të shoqërisë civile dhe as ftesë pjesëmarrje për to. Sistemi online i platformës institucionale nuk ishte funksional dhe me gjithë premtimet se do të ishte risi në procesin e transparencës dhe llogaridhënies Kuvendi dështoi ta jetësojë atë.
15. Respektimi i Kodit të Etikës, sidomos në ligjërimin parlamentar dhe në deklarimin e konfliktit të interesit dhe të sistemit të dhuratave apo deklarimeve në veprimtari të të tretëve, në tërësi nuk u respektua. Gjatë sesionit pati raste të shumta të gjuhës fyese e denigruese ndaj Tjetrit, shkelje të etikës në komunikim, vetëm 6 deklarime të konfliktit të interesit ndërkohë që një proces vlerësimi ndaj ministres së jashtme vijon të jetë në procedurë parlamentare, si dhe asnjë deklarim për pjesëmarrje të deputetëve në veprimtari të organizuara nga të tretët.
16. Kuvendi ka bërë progres minimal në drejtim të rritjes së transparencës në veprimtarinë e vet, kryesisht përmes zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve online me akses për publikun, si dhe në publikimin e të dhënave të detajuara lidhur me seancat plenare. Kategori të tjera, si thirrjet për vende vakante, gara midis tyre, të dhënat e kandidatëve, formularët e dekriminalizimit, si dhe publikimi në kohë i procesverbaleve dhe të dhënave financiare, vijojnë të jenë larg standardeve të “open parlament”. Gjatë gjithë sesionit faqja online e Kuvendit vijoi të ishte nën logon “në ndërtim e sipër”, duke krijuar idenë e gabuar se çdo shqetësim e problematikë është e justifikueshme.
17. Në vlerësimin e efikasitetit gjatë sesionit parlamentar deputetët me nivelin më të lartë u konfirmuan Jorida Tabaku (PD) dhe Erion Braçe (PS), dy deputetë me vlerësim maksimal edhe në sesionet e kaluara parlamentare. Disa nga deputetët e rinj patën rritje të vizibilitetit dhe aktivitetit parlamentar, ndërkohë që së paku 17 deputetë nuk arritën dot të mbajnë një fjalim në parlament. Gratë deputete ishin shumë më aktive, sesa deputetët burra (35 vs 33 nga 100 pikë në nivel krahasues në parlament me deputetët meshkuj). Në nivel grupesh, deputetët e LSI patën koefiçientin më të lartë të efikasitetit (37 nga 100 pikë), ndjekur nga deputetët e PD (35 nga 100 pikë) dhe PS (34 nga 100 pikë). Grupi i deputetëve të PSD me vetëm 19 nga 100 pikë kanë pasur aktivitet minimal, duke mos pasur asnjë diskutim në komisione dhe as në seanca plenare, si dhe duke mos përdorur asnjë prej mekanizmave ligjvënës e përfaqësues që ofron Kuvendi.
18. Kuvendi u investua edhe gjatë këtij sesioni në aktivitetin e Institutit Parlamentar, i cili gjithsesi, përveç raportimeve mbi aktivitete sensibilizues, informuese apo kërkimore, nuk ka të dhëna dhe as produkte online të verifikueshme. Revista “Kuvendi” vijon publikimin, megjithëse prurjet studimore nga deputetët janë minimale, një shqetësim për nivelin profesional dhe njohuritë parlamentare të vetë deputetëve.
REKOMANDIMET KRYESORE
1. Kuvendi mund të ndërtojë një agjendë afatgjate reformash, agjendë ligjvënëse dhe kontrolli kushtetues, që të mundësojë një rol më aktiv dhe thelbësor të tij në ushtrimin e funksioneve kushtetuese. Praktika e agjendave afatshkurtra të diktuara nga emergjenca dhe detyrime procedurale e dobëson rolin e parlamentit, besimin institucional dhe sistemin përfaqësues politik në vend.
2. Kuvendi duhet të krijojë standarde transparence dhe llogaridhënie të krahasueshme jo me legjislaturat e kaluara, por me standardet e vendeve të BE-së. Përmes programit PACEP është duke u punuar për të adresuar këtë çështje, duke përfshirë standarde të transparencës bazuar në praktikat ndërkombëtare. Hapja e bisedimeve për anëtarësim duhet të reflektohet në një qasje të re institucionale të parlamentit, standarde të reja dhe një sens më të madh përgjegjësie në përfaqësim, në funksionim, në vendimmarrje dhe në raport me publikun.
3. Kuvendi duhet t’i jap fund praktikës së vonesave të funksionimit të komisioneve të posaçme, si dhe të krijojë mekanizma funksionale për këto komisione, sidomos për komisionin e reformës zgjedhore dhe atë të reformës territoriale, të cilat kanë impakt me rëndësi për zgjedhjet e ardhshme lokale. Rishikimi i legjislacionit për komisionet e posaçme dhe ato hetimore, për ti bërë ato më funksionale dhe më efikase, do të duhet të jetë pjesë e prioriteteve strategjike të Kuvendit.
4. Kuvendi duhet të bëjë përpjekje serioze për të zëvendësuar retorikat politike ditore në akte parlamentare, për të respektuar mendimin kritik dhe pakicën parlamentare, për të jetësuar një sistem sa më konsensual vendimmarrës për ligje e vendime që lidhen me interesat publike dhe reformat e rëndësishme, si dhe për të ushtruar funksionin thelbësor kushtetues, kontrollin e pushtetit ekzekutiv.
5. Kuvendi duhet të reformojë rregullat e veta funksionale dhe ligjin mbi statutin e deputetit, për t’i bërë ato më bashkëkohore dhe funksionale dhe në funksion të transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë politike e publike.
6. Kuvendi duhet të investohet në forcimin e rolit të vet në procesin ligjvënës. Deputetët sugjerohet të jenë më proaktivë dhe të ndërmarrin nisma ligjore, të bëjnë amendamente dhe propozojnë akte parlamentare, si dhe Kuvendi të ofrojë asistencë më cilësore ligjore dhe institucionale për ta. Deputetët sugjerohet të ndërmarrin më shumë nisma për komisione hetimore dhe të nxiten për përfundime konsensuale, për t’i bërë instrumentet parlamentare më të besueshëm dhe më funksionalë.
7. Lidhur me funksionin zgjedhor, Kuvendi duhet të jetë institucion model për respektimin e afateve ligjore, të sistemit të meritokracisë, të transparencës për kandidatët dhe procesin konkurrues, si dhe të synojë shndërrimin e këtij procesi në konkurrencë të hapur larg votimeve formale të paravendosura.
8. Kuvendi duhet të reformojë platformën institucionale dhe mekanizmin e raportimeve vjetore të institucioneve, për të siguruar më shumë konsultime dhe llogaridhënie, si dhe elementë ndërveprimi që korrektojnë institucionet, Kuvendin dhe hendekun midis vlerësimit të institucioneve për vetveten dhe vlerësimin që vjen nga publiku.
9. Kuvendi duhet të nxisë, të monitorojë dhe të imponojë respektimin integral të Kodit të Sjelljes në të gjithë elementët e tij, të promovojë etikën institucionale dhe të hetojë rastet e konfliktit të interesit dhe pjesëmarrjen në lobingje apo aktiviteteve të të tretëve.
10. Në funksion të rritjes së transparencës, Kuvendi duhet të përditësojë rregullisht faqen e Kuvendit, të publikojë në kohë procesverbalet e mbledhjes së komisioneve parlamentare, deklaratat e pasurisë dhe formularët e dekriminalizimit, CV e kandidatëve dhe çdo akt tjetër që lidhet me aktivitetin parlamentar. Transparenca dhe llogaridhënia është në interes të publikut, procesit ligjvënës dhe rritjes së besimit publik tek Kuvendi.
11. Kuvendi duhet të ofrojë trajnime të vazhdueshme të deputetëve mbi rregulloren e Kuvendit, instrumentet e kontrollit parlamentar, legjislacionin dhe procesin e mbikëqyrjes parlamentare dhe post legjislative. Kuvendi mund të konsiderojë rritjen e asistencës teknike dhe financiare për deputetët në aktivitetin e tyre parlamentar, të forcojë komponentin e angazhimit të deputetëve në zonat elektorale, si dhe të sigurojë plotësimin në kohë e cilësi të të gjitha kërkesave të deputetëve që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese dhe legjislative.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:
ISP – Aktiviteti parlamentar dhe cilesia e perfaqesimit – raport II 2022
Një përmbledhje anglisht të raportit mund ta lexoni këtu:
IPS – Summary report on findings and Recommendations II – 2022