Si mund të bëhet demokracia më e besueshme dhe më funksionale? Si mund të rritet besimi tek institucionet dhe shteti të së drejtës? Si mund ti bëjmë vendimmarrësit më transparentë dhe më llogaridhënës? A mund të kemi reforma më efektive dhe ndryshime cilësore në treguesit e integritetit në politikë? A mund të kemi politikë të pastër dhe zyrtarë të pastër? A mund të krijojmë një mjedis për përfshirës për të rinjë dhe qytetarët aktivë? A mund të kemi përfaqësues individë të aftë, me vizion, me rekorde pozitive në karrierë dhe cilësi integriteti?
10 vjet pas miratimit të paketës së dekriminalizimit ende ideja e vetingut në politikë ka mbështetje të gjerë.
Në angazhimin e tij mbi promovimin e llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur ekipi i ekspertëve të Institutit të Studimeve Politike (ISP) ndaloi në Lushnje, në një bashkëbisedim me të rinj, – një gjeneratë e lindur e rritur në tranzicion dhe që ka edhe pritshmëri më të larta për standardet e mirëqeverisjes, reformat demokratike dhe bashkimin me BE-në. Në kohën kur mjedisi publik e politik është dominuar nga mentalitete dhe forma veprimi të vjetra, si dhe kur vendi përballet me sfida të mëdha, gjenerata e re ka përgjegjësinë dhe mundësinë të ndikojë për të nxitur dialog, debat cilësor, pjesëmarrje aktive dhe vendimmarrje të maturuar, të bazuar në aftësinë, meritokracinë, alternativën, integritetin dhe modelet e politikës së pastër.
Aktiviteti ishte në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, të cilin Instituti i Studimeve Politike (ISP) po e jetëson mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy). Pikëpamjet e shprehura në këtë material janë përgjegjësi e ISP-së



