Në njoftimin e datës 1.6.2025 Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka vendosur midis të tjerash “shfuqizimin e vendimit nr. 78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025””, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Pa hyrë në aspektin e natyrës politike të kërkesës apo të drejtës së palëve për qëndrime politike në parlament, ISP është fokuar tek integriteti i jetës parlamentare dhe detyrimet që Kuvendi të jetë llogaridhënës, përfaqësues, funksional dhe i besueshëm. Një nga mekanizmat e prekshëm testues janë rastet e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese mbi Kuvendin. Vendimi i marrë rreth 7-8 muaj pas refuzimit nga Kuvendi rikthen edhe njëherë debatin rreth natyrës së vendimeve parlamentare dhe aftësisë së Kuvendit për të krijuar, zbatuar dhe mbështetur praktika të mira, në përputhje me normat e Kushtetutës së RSH.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) vazhdimisht ka adresuar me shqetësim vendimmarrje apriori partiake të Kuvendit, pa konsultimet e duhura të ekspertizës dhe në devijim nga standardet e parlamenteve në vendet e demokracisë funksionale, si dhe ka apeluar Kuvendin të reflektojë nga vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe opinionet e ofruara nga Komisioni i Venecias.
Me këtë rast ISP u rikujton 81 deputetëve, sidomos relatorëve të cështjes dhe Komisionit të Ligjeve, që si zyrtarët kryesorë përgjegjës për refuzimin e kërkesës, e cila rezultoi antikushtetuese, se vendime të tilla kërkojnë marrje përgjegjësish dhe reflektim, për evitimin e tyre në të ardhmen.
ISP apelon kryetarin e Kuvendit ta trajtojë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese në strukturat drejtuese të Kuvendit dhe të angazhohet për një parlament që respekton parimet kushtetuese dhe standardet e një vendi të denjë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Link i vendimit te GJK: https://www.gjykatakushtetuese.gov.al/njoftim-vendimmarrjeje-10/



