Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë një test i rëndësishëm për jetësimin në standarde të larta të kritereve të dekriminalizimit, integritetit dhe politikës së pastër. Në kohën kur SPAK dhe GJKKO kanë nisur çështje të rëndësishme hetimore ndaj zyrtarëve dhe politikanëve të lartë partitë kanë rastin të dëshmojnë vullnet politik për jetësimin e reformës në drejtësi, duke iniciuar dhe propozuar kandidatë me integritet, që nuk janë subjekt të masave penale nga drejtësia, që nuk janë nën hetim ose nën akuzë dhe që nuk janë pjesë e skandaleve të njohura korruptive. Pavarësisht se parimi i pafajësisë merret gjithnjë i mirëqenë, partitë kanë përgjegjësi dhe mundësi të kryejnë verifikimeve paraprake dhe të ofrojnë kandidatë sa më cilësorë, sa më profesionale dhe sa më përfaqësues. Ky është edhe premtimi i tyre publik.
Për të testuar perceptimin publik dhe rolin e sjelljen e partive politike ISP u angazhua gjatë vitit 2024-2025 në monitorimin e standardeve të integritetit te partitë politike. Duke vlerësuar se integriteti i kandidatëve është një elementi kyç i integritetit të zgjedhjeve dhe një pjesë e rëndësishme e normave elektorale që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pranohet edhe se cilësia e kandidatëve paralajmëron edhe nivelin dhe cilësinë e parlamentarizmit gjatë legjislaturës së ardhshme. Kapaciteti për të pasqyruar vullnetin e popullit pa ndërhyrje dhe keqformime të votës është baza e zgjedhjeve demokratike, duke siguruar një proces transparent dhe të besueshëm. Kandidatët janë institucioni që ndërlidh votën qytetare me përfaqësimin politik katër vjeçar në Parlament.
Gjetjet kryesore nga anketimi publik
I. Besim i ulët në procesin zgjedhor: Pavarësisht përpjekjeve, ende ka një nivel relativisht të ulët besimi në procesin zgjedhor dhe transparencën e tij, duke treguar nevojë për përmirësime në procesin zgjedhor dhe aktorët e përfshirë në të.
II. Dëshira për zgjedhje të pastra dhe demokratike: Shqiptarët kërkojnë zgjedhje të pastra, të drejta dhe pa ndikime negative, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve dhe procesit demokratik.
III. Zgjedhje për të ushtruar të drejtën e votës, pavarësisht ndërhyrjeve të paligjshme: Edhe në praninë e ndërhyrjeve nga jashtë nga individë të inkriminuar ose të fortë, ka një nivel të konsiderueshëm reagimi dhe besimi në procesin zgjedhor duke mos u vetë-përjashtuar nga ushtrimi i të drejtës së votës.
IV. Mbështetje për praktikat e duhura nga partitë politike për një proces konkurrues dhe me integritet: Rezultatet tregohet mbështetje të lartë për disa praktika të caktuara si verifikimin e kandidatëve për deputetë, shpallja paraprakisht e listave, kërkimi i verifikimeve në prokurori, aplikimi i zgjedhjeve të brendshme (primare) dhe formave të tyre të përzgjedhjes. Shenja që tregojnë kërkesë për zgjedhje parlamentare demokratike dhe me integritet.
V. Financimi i zgjedhjeve të 11 maj 2025 nga burime informale: Ka vlerësim të moderuar për masat që mund të ndërmerren për parandalimin e fenomenit të financimit të zgjedhjeve nga të ardhura kriminale, në përpjekjet për të luftuar ndërhyrjet nga praktikat informale dhe cenimit të pastërtisë së integritetit të zgjedhjeve.
VI. Ndikimi i individëve me rekorde kriminale ose “të fortë” në votën e diasporës: Ka një perceptim të lartë për mundësinë e ndërhyrjes (krahasuar me mosndërhyrjen) në votën e diasporës. Sinjalizues i kërkesës për rritje të nivelit të informacionit dhe besimit në institucionet që merren me çështjet e votimit të diasporës, si p.sh. KQZ-ja.
VII. Ndikimi punonjësve të ambasadave dhe konsullatave shqiptare në votën e diasporës: Pothuajse gjysma e të pyeturve beson se do të ketë mundësi ndikimi në votën e diasporës nga punonjësit e ambasadave dhe konsullatave në vendet ku jetojnë shqiptarët, duke cenuar integritetin e votës.
VIII. Ndikimi i familjarëve shqiptarë në votën e diasporës: Ka mungesë të besimi që vota e diasporës nuk do të ndikohet nga familjarët e tyre të cilët jetojnë në Shqipëri. Fakti i cili kërkon që institucionet e përfshira në procesin zgjedhore të rrisin nivelin e informacionit, të transparencës dhe edukimit të qytetarëve.
IX. Institucionet publike mbeten të cenueshme nga individët me rekorde kriminale: Kryetarët e Bashkive, Drejtuesit e Policisë dhe Drejtuesit e Prokurorisë, perceptohen si më të prekshëm në aspekt të shfrytëzimit dhe të ndikimit nga personat me rekorde kriminale në zgjedhjet e 11 Maj 2025
X. Ndikimi i familjarëve ose deputetë me lidhje me personat me rekorde kriminale në zgjedhjet e 11 Maj 2025: Mbi gjysma e përgjithshme e rezultateve tregon se ka perceptim se ndikimi i personave me rekorde kriminale mund të jetë po aq i lartë ose më shumë se në zgjedhjet e shkuara nëpërmjet lidhjeve të tyre familjare ose me deputetët e legjislaturës.
XI. Pastërtia e figurës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 Maj 2025:
a. Për dy partitë e mëdha PS dhe PD, perceptohen që do t’i japin rëndësi përfshirjes së kandidatëve me figurë të pastër në zgjedhje.
b. Për partitë e treta PL dhe PSD, perceptohen se më tepër nuk do t’i kushtojnë rëndësi përfshirjes së kandidatëve me figurë të pastër në zgjedhje (ky faktor mund
i. të lidhet me figurat e vetë kryetarëve të partive).
c. Për Partitë e reja politike, perceptohen që do t’i japin shumë rëndësi përfshirjes së kandidatëve me figurë të pastër në zgjedhje (ky faktor mund të lidhet me ofertën publike të partive të reja për rinovim të politikës)
XII. Ndikimi i individëve me rekorde kriminale te komisionerët e votimit/numërimit: Ka një perceptim të konsiderueshëm që individët me rekorde kriminale ose “të fortë” do të ndikojnë te komisionerët e votimit / numërimit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025. Nivelet e perceptuara të ndikimit janë më tepër të ngjashme me zgjedhjet e mëparshme.
XIII. Ndikimi i individëve me rekorde kriminale në stafet elektorale dhe ato të partive politike: Ka një perceptim të konsiderueshëm që individët me rekorde kriminale ose “të fortë” do të ndikojnë te stafet elektorale dhe ato të partive gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025. Nivelet e perceptuara të ndikimit janë më tepër të ngjashme me zgjedhjet e mëparshme.
XIV. Nevoja për ndërhyje në sistem për të rritur transparencën dhe pastrimin e procesit zgjedhor nga ndërhyrje joligjore: Rezultatet theksojnë problemin e ndikimit të personave me rekorde kriminale në aspekte me rëndësi të procesit zgjedhor krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore si: përdorimi i lidhjeve të kandidatëve individë me precedentë kriminalë për të fituar mbështetje nga votuesit, investimi, financimi ose blerja e votës për të bërë fushatë për kandidatë ose parti të caktuara nga personat me rekorde kriminale, si edhe në rastet kur përzgjedhja e kandidatëve për deputetë është bërë në mënyrë që këta të zgjedhur të përdoren në të ardhmen për të përfituar nga fondet shtetërore kryesisht në favor të bizneseve të personave me rekorde kriminale.
XV. Besimi i qytetarëve në veprimet e institucioneve shqiptare për integritetin zgjedhor: Qytetarët, pavarësisht problematikave aktuale zgjedhore, shprehin besueshmëri të vazhdueshme në institucionet shqiptare për trajtimin e tyre, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria, Ambasadat (SHBA, BE, UK), shoqëria civile dhe media.
Mendimet e ekspertëve për integritetin e kandidatëve dhe procesit zgjedhor:
I. Përmirësime të integriteti të procesit zgjedhor: Pavarësisht vështirësive, zbatimi i ligjit ka reflektuar përmirësime të dukshme në nivelin e përkujdesjes së partive politike për verifikimin e kandidatëve, ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe angazhimin e institucioneve. Gjithashtu ka pasur përpjekje të vazhdueshme për garantimi e integritetit zgjedhor dhe politik nga ana e institucioneve të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit si SPAK dhe Prokurori.
II. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimi në sfidë të vazhdueshme: Situata aktuale e integritetit dhe dekriminalizimit rezulton të ketë ende sfida në zbatimin e saj efektiv dhe të plotë. Këto sfida përfshijnë praktikat e emërimeve të fshehura dhe politike, ndikimin e partive politike në procesin e emërimeve, sinjalet e vazhdueshme të korrupsionit dhe përfitimeve të administratës, forma të ndikimit të drejtpërdrejtë në qytetet e vogla, si dhe forma të ndikimit të fshehur në zgjedhje, ku krimi mund të zhvendoset në prapaskenë.
III. Ndikimi i personave me rekorde kriminale në procesin zgjedhor të 11 Maj 2025: Ndikimi i personave me rekorde kriminale dhe grupeve të krimit të organizuar në procesin zgjedhor të 11 Maj 2025 mbetet ende shqetësues. Ndikimi mund të shfaqet në raste si roli i tyre në pozita kyçe të partive politike, përdorimi i ndikimit për përfitime ekonomike dhe financim fushate, forcimi i ndikimit në votë në zonat e tyre të influencës dhe manipulimi i fushatave në rrjetet sociale.
IV. Ndikimi i individëve me rekorde kriminale në votën e diasporës: Personat me rekorde kriminale ose grupet e organizuara mund të ndikojnë në votën e diasporës nëpërmjet financimit të fushatave, mobilizimit të votuesve, shantazheve, intimidimit dhe blerjes së votës, përdorimit të lidhjeve familjare dhe politike, si edhe manipulimit të procesit të regjistrimit të votuesve.
V. Hapat për një proces zgjedhor të sigurt nga abuzimet elektorale në 11 Maj 2025: Për të siguruar zbatimin efektiv të ligjit të dekriminalizimit dhe për të parandaluar abuzimet në procesin zgjedhor të 11 Maj 2025, ekspertët sugjerojnë disa praktika kyçe: krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe të specializuar për kontrollin e kandidatëve, aplikimin e filtrave në procesin zgjedhor, përdorimin e teknologjisë në përmirësimin e sistemit, rritjen e transparencës për kandidat nga partitë politike, auditimin e pavarur të financave të partive politike dhe fushatave zgjedhore, kufizimin e donacioneve të dyshimta dhe burimeve të paqarta të financimit zgjedhor, përfshirjen aktive të medias, shoqërisë civile dhe ndërkombëtarëve, si edhe garantimin e pavarësi faktike të institucioneve kyçe zgjedhore, si KQZ, Prokurori, dhe Gjykatë dhe Polici.
VI. Shfrytëzimi i pozitave publike për avantazhe politike në periudhën zgjedhore: Funksionarët publik mund të shfrytëzojnë pozitat e tyre për të ndihmuar fushatat zgjedhore, duke përdorur burimet publike, burimet njerëzore, emërimet dhe promovimet në administratë, ndikimet në vendimmarrje për të mbështetur një parti politike dhe duke ndikuar edhe në listat e kandidatëve në listat zgjedhore.
VII. Mbrojtja e posteve të larta publike nga ndikimi informal në periudhën zgjedhore: Vlerësohet që postet e larta publike mund të jenë të ndikueshme nga persona me rekorde kriminale në periudhën zgjedhore, pasi mekanizmat ekzistues për zbatimin e ligjit shpesh janë të dobët ose të paplotë si dhe mbetet sfidë mundësia e ndikimeve të lidhjeve personale ose familjare me funksionarët e lartë publik. Për këtë arsye, sugjerohet ndër të tjera një mënyrë për zbutjen e problematikës nëpërmjet komisioneve të posaçme me përbërje diverse duke përfshirë edhe botën akademike dhe shoqërinë civile.
VIII. Emërime e drejtuesve të rinj në poste publike pak para zgjedhjeve: Ndryshimet e drejtuesve në periudhën parazgjedhore, vlerësohen si emërime të cilat mund të kenë për qëllim ndikimi te qytetarët apo nëpunës të tjerë për interesa zgjedhorë, të pasjes së kontrollit më të madh në procesin elektoral , për ndikim të mundshëm në procedurat zgjedhore, si edhe intimidim të votuesve dhe manipulim apo krim zgjedhor.
IX. Në konkluzion rezultatet reflektojnë një dëshirë për një politikë të pastër dhe një proces zgjedhor të pa ndikuar nga veprimtari joligjore si dhe njëkohësisht nevojën për ndërhyje të sistemit për të rritur transparencën dhe pastrimin e procesit zgjedhor nga ndërhyrje informale, të cilat e cenojnë zhvillimin e një demokracisë funksionale.
Raporti i plotë mund të lexohet ketu:
Integriteti zgjedhor 2025 – Gjetje dhe vleresime nga perceptimi qytetar