Standardi i konsultimit publik është kriter thelbësor për shtetin e së drejtës (Cluster One), i cituar në mënyrë kritike edhe në raportin e fundit të progresit të BE. 10 vjet pas miratimit të ligjit mbi konsultimin publik dhe të drejtës së informimit progresi është ende i brishtë, konsultimet janë kryesisht formale dhe sfidat janë të shumta.
Tryeza “Standardet e jetësimit të procesit të konsultimit publik në Shqipëri: gjetje dhe rekomandime”, në moderimin e Lufti Dervishit, mbodhi së bashku Kuvendin, qeverinë, shoqërinë civile, si dhe institucione vendore dhe ndërkombëtare. Përvoja dhe gjetje konkrete u sollën në tryezë nga ekspertë të ISP (lidhur me Kuvendin dhe procesin në tërësi) dhe OSBE (praktika e ligjit 25/2022 dhe vlerësimi i procesit).
Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka analizuar bilancin dhe problematikat aktuale të procesit konsultues, duke ofruar modele referuese nga 12 vende të ndryshme dhe 7 rekomandime prioritare, përfshirë nevoja e reformimit të kuadrit rregullator në Kuvend, qeveri dhe institucionet e përfshira.
Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulta Reinout Vos dhe drejtues i zyrës së OSBE ambasadori Michel Tarran theksuan rëndësinë e procesit efektiv konsultues dhe të rolit aktiv të shoqërisë civile, duke u ndalur në specifika që lidhen me Cluster One dhe praktikat e mira të OSBE.
Ministri për Marrëdhëniet me Kuvendin Taulant Balla, kryetarët e komisioneve parlamentare Jorida Tabaku, Zheni Gjergji dhe Ina Zhupa, zv/ministri i drejtësisë Tedi Dobi, ekspertët Migena Kondo (OSBE), Gjergj Vrumo (IDM) dhe Klodiana Kapo (Faktoje) diskutuan në mënyrë konstruktive mbi problematikat aktuale dhe rrugëzgjidhjet për të ardhmen, duke ofruar mbështetje për rekomandimet konkrete dhe nevojën jetike për vullnet politik e institucional për një qasje të re mbi standardet e transparencës dhe llogaridhënies në Kuvend dhe në procesin tërësor të konsultimit publik.
Raportet me gjetje dhe rekomandime gjenden në faqen onnline të ISP www.isp.com.al.
Aktiviteti u bë në kuadër të projektit “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien në përmbushje të kritereve të Grupit të Parë të Kapitujve Negociues”, që Instituti i Studimeve Politike (ISP) po realizon në bashkëpunim me Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) dhe Komitetin e Helsinkit (KSHH), mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, si dhe në bashkëpunim me zyrën e OSBE në Shqipëri.