ISP iu bashkua 31 organizatave të shoqërisë civile për të adresuar shqetësimet lidhur me draftin për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit të RSH. Thelbi? Lidhur me procedura e përshpejtuar në procesin legjislativ dhe standardet e munguara te transparencës
Procedura e përshpejtuar në procesin legjislativ? Në mungesë të garancisë për transparencë e konsultim, ekziston rreziku që procedura e përshpejtuar të kthehet në mënyrën standarde të miratimit të një numri gjithnjë e më të madh ligjesh — shumë prej të cilave janë teknikisht komplekse dhe me ndikim të rëndësishëm institucional dhe shoqëror. Drafti gjithashtu nuk parashikon afat minimal për shqyrtim në komisione dhe nuk ka mekanizëm rikthimi në procedurë të zakonshme kur kompleksiteti kërkon shqyrtim më të thelluar.
Standardi i transparencës? Vërehet me shqetësim se edhe në procedurën e zakonshme të miratimit të ligjeve që konsiderohen pjesë e piketave të ndërmjetme të integrimit europian, klima e konsultimit shpesh mbetet formale. Një shembull i fundit është procesi i ndryshimeve në Kodin Penal në dhjetor 2024, ku organizatat që kontribuuan në konsultim nuk panë reflektim të rekomandimeve të tyre në propozimin përfundimtar.
Përvoja e vendeve që kanë kaluar procesin e negociatave për anëtarësim tregon se ritmi i përafrimit të legjislacionit duhet të shoqërohet me standarde të forta të transparencës, konsultimit publik dhe shqyrtimit parlamentar. Këto elemente nuk janë pengesë për efikasitetin e procesit legjislativ, por garanci për cilësinë, zbatueshmërinë dhe legjitimitetin demokratik të reformave të lidhura me procesin e integrimit europian.
Deklarata e plotë mund të lexohet këtu:
Deklarata shqip: Deklarata e Organizatave të Shoqërisë Civile për ProjektVendimin e Rregullores së Kuvendit 13 Mars 2026
Deklarata anglisht: Statement_Civil_Society_New_Regulation_Parliament_13March2026


