Shqipëria është republikë parlamentare dhe parlamenti luan rolin kryesor në zhvillimin e debatit politik dhe ushtrimin e vendimmarrjes politike. Parlamenti legjitimohet nga zgjedhjet, të cilat me 11 maj konfirmuan Partia Socialiste si fituese, duke siguruar vijimin e qeverisjes në mandatin e katërt radhazi, praktikë që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Në kuadër të angazhimit të ISP në monitorimin e procesit zgjedhor është hartuar një raport i detajuar jopublik mbi të dhënat e deputetëve të rinj, pritshmëritë politike dhe parlamentare dhe problematikat që lidhen me zhvillimet e ardhshme politike në vend.
Disa konsiderata të përgjithshme që kanë edhe vlerë publike janë si më poshtë:
- Parlamenti i ri do të nisë punën në shtator 2025, kur zhvillohet seanca e parë inauguruese, betohen deputetët dhe nis procedura për zgjedhjen më pas edhe të qeverisë. Midis periudhës maj 2025-shtator 2025 vijojnë të ushtrojnë funksionet parlamenti aktual (i vjetër) dhe qeveria aktuale. I vetmi kufizim kushtetues është detyrimi që parlamenti aktual të mos miratojë ligje 60 ditë përpara përfundimit të mandatit kushtetues, datë e cila në kushtet aktuale është 10 korrik 2025. Pra, parlamenti në detyrë mund të miratojë ligje deri me 10 korrik.
- Një nga prioritetet e agjendës së parlamentit tani është detyrimi të ushtrojë funksionin kontrollues dhe mbikëqyrës në raportimin e rreth 24 institucioneve të pavarura, përfshirë SPAK, Prokurori i Përgjithshëm, ILD, KLGJ, KLP, KLSH, ILDKPKI, etj. Bazuar në praktikat e më mëparshme dhe për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion, si dhe mungesës së interesit (më shumë se gjysma e deputetëve nuk janë rizgjedhur), procesi i raportimeve pritet të zhvendoset në kohë ose nëse përfshihet, të kalojë pa shqyrtim dhe konsultim të thelluar, kryesisht formal dhe me theks vetëm në shqetësime që lidhen me debatin zgjedhor.
- Kushtetuta e RSH parashikon se mazhoranca e nevojshme për krijimin e një qeverie është 71 mandate parlamentare. PS ka 83 mandate direkte dhe +3 mandate nga PSD, si vota mbështetëse. Me këtë numër mandatesh miratimi i qeverisë bëhet formalitet, duke forcuar pozitën e kryeministrit në raport me parlamentin. Dobësimi i parlamentit vjen në kontrast me rekomandimet e raportit të progresit të BE për Shqipërinë, sipas të cilave parlamenti duhet të ushtrojë funksionet kushtetuese përfshirë forcimin e kontrollit ndaj qeverisë.
- Parlamenti i ri ka një mazhorancë solide më e madhja prej vitit 1997. PS ka pasur 66 mandate (2013), 74 mandate (2017) dhe 74 mandate (2021). Në legjislaturën e re do të ketë 83 mandate, 9 më shumë sesa në dy legjislaturat e fundit. Ka ndryshime në përbërjen parlamentare, – në total 73 deputetë ose 52% e përbërjes së parlamentit janë deputetët e rinj që zgjidhen për herë të parë. Në PS 64% e grupit është ndryshuar (53 nga 83 deputetë), në PD 27% e grupit, në PSD dhe PL 50% e grupit dhe partitë e reja përfaqësohen me prurje të reja.
- Komisionet parlamentare janë struktura të rëndësishme të aktivitetit dhe vendimmarrjes parlamentare. Disa prej komisioneve, si Komisioni i Ligjeve, i ekonomisë dhe ai i jashtëm janë komisione edhe më të rëndësishme, sepse kanë role specifike në procesin ligjvënës, si dhe edhe në mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura, miratimin e rezolutave vjetore për institucionet, si dhe lidhur me procesin e anëtarësimit në BE. Nga të dhënat e parlamentit të ri rezulton se 65% e deputetëve drejtues në komisionet aktuale parlamentare (kryetar, zv/kryetar dhe sekretar) nuk janë rizgjedhur deputetë në legjislaturën e re. Në Komisionin kryesor, Komisionin e Ligjeve nuk janë rizgjedhur deputetë asnjë nga kryesia e komisionit, në komisionin e ekonomisë vetëm një nga katër anëtarët e kryesisë, shifër e njëjtë edhe për komisionin e veprimtarive prodhuese, komisionin e sigurisë kombëtare apo komisionin e çështjeve të integrimit.
- Rregullorja e Kuvendit parashikon krijimin e grupeve parlamentare. Numri minimal për grup është 7 deputetë. Aktualisht vetëm PS dhe PD kanë deputetë të mjaftueshëm për grupe parlamentare. Ndërkohë “Partia e Lirisë” me 4 mandate mund të krijojë aleanca me parti më të vogla ose me deputetë “të dhuruar” nga PD për të krijuar një grup të tretë parlamentar. Partitë e vogla (Mundësia, Shqipëria Bëhet dhe Bashkë) kanë vetëm 4 deputetë dhe nuk mund të krijojnë grup. PSD me 3 deputetë gjithashtu nuk mund të krijojë grup. Kështu që parlamenti i ri pritet të ketë 3 grupe parlamentare, dy prej të cilave efektive (PS dhe PD) dhe një të mbështetur nga PD (LSI/PL).
- Nga të dhënat e 140 deputetëve rezulton se 29 deputetë janë diplomuar për drejtësi, ndjekur nga 50% më pak në mjekësi. Fakti se parlamenti do të ketë kaq shumë juristë nuk do të thotë se kemi të bëjmë me prurje cilësore juristësh. Nga të dhënat e detajuara rezulton se ka deputetë që kanë mbaruar studimet juridike në universitete të njohura për mungesë cilësie dhe të mbyllura me akuzën se nuk plotësonin standardet minimale universitare. “Dyndja” e mjekëve drejt parlamentit vjen në kontrast me rëndësinë që ka mjekësia në agjendat parlamentare dhe mungesën e ndjeshme për mjekë në sistemin tonë spitalor. Ekonomistët përbëjnë kategorinë e tretë, por rreth 2.8 herë më pak sesa juristët, është rritur numri i deputetëve që janë diplomuar në shkenca politike (8) dhe ka vetëm një deputet që është diplomuar me profesione të fushës së agronomisë, ndonëse bujqësia zë vend qendror në zhvillimin tonë ekonomik. Në fushën e arteve kemi vetëm dy deputetë, njëri prej të cilëve është kryeministri aktual.
- Të dhënat e diplomimit në studimet bachelor për deputetët dëshmojnë se Universiteti i Tiranës mban rekordin me 61 deputetë që kanë mbaruar studimet aty, ndjekur nga universiteti i Mjekësisë me 10 deputetë. Në vendin e tretë dhe të katërt vijnë deputetët që janë diplomuar në Itali ose Britaninë e Madhe. Në listën e universiteteve që kanë diplomuar deputetët gjenden edhe universitete që tashmë janë mbyllur për shkak të informalitetit të tyre të lartë, si dhe universiteti privat i Strugës dhe ai i Tetovës.
Raporti i plotë mbetet konfidencial dhe nuk mund të publikohet.
Ky raport bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA. Përmbajtja e dokumentit është përgjegjësi vetëm e autorit dhe e Institutit të Studimeve Politike.