Ishte 21 shtator i vitit 2000. Ndoshta vëmendja më e madhe për garën e bashkisë së Tiranës. Socialistët donin me ngulm të fitonin kryeqytetin për herë të parë teksa qeverisnin edhe vendin që pas ardhjes në pushtet në vitin 1997. Dy emrat thoshin shumë. Edi Rama që linte karrigen e Ministrit të Kulturës dhe garonte për PS. Në anën tjetër ishte diplomati dhe shkrimtari Besnik Mustafaj për PD. Edhe pse në një kohë me mungesë të kulturës së debatit mes palëve politike, klimës së acaruar mes tyre, gjuhës së ashpër (aq sa kundërshtari ishte armik), Rama dhe Mustafaj vendosën një standard. Ata realizuan përballjen e parë televizive në emisionin “Opinion” në TV Klan, studio e të cilit u zhvendos në skenën e Teatrit Kombëtar të kohës në Tiranë. Pavarësisht se si u shoqërua debati atë kohë mes tyre (më shumë u mbajt mend show dhe çështjet personale se sa programi i tyre për kryeqytetin) u duk se u vendos një kulturë e re në zgjedhjet lokale.
Por pas 4 vitesh, pas 4 të tjerëve, edhe pas 4 të tilla, kur garonte sërish për Tiranën përballë Spartak Ngjelës, Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës, Edi Rama nuk u përball me asnjërin prej tyre. Nga kryebashkiak, Kryetar i Partisë Socialiste dhe kryeministër në mandatin e tretë sot, Rama ka drejtuar disa beteja elektorale lokale. Më e paprecedent ishte ajo e 2019-ës kur socialistët nuk kishin kundërshtarë pas bojkotit të opozitës dhe fituan ‘në tavolinë’ 61 bashki duke pasur luksin jo vetëm të mos replikonin me askënd por as edhe të debatonin.
Për 14 majin e këtij viti, për debat dhe përballje kandidatësh kemi një kthim pas, edhe para vitit 2000. Deri më sot nuk ka asnjë përballje direkte mes kandidatëve për këto zgjedhje. Dhe nuk do të ketë. Opozitarët në pjesën më të madhe janë të gatshëm, ndërsa socialistët jo. Këta të fundit japin vetëm intervista të shkurtra dhe në rastin më të mirë për ta, të regjistruara dhe jo live në studiot televizive. Ndjekin vertikalisht orientimin e liderit të tyre i cili i quan “të Non Gratës” kandidatët opozitarë të koalicionit Meta-Berisha. Sa për ata të paktë të PD-së zyrtare nuk përmenden askund. Një politikë kinse e orientuar nga qendra, duke shmangur përgjegjësitë direkte, sa kohë që socialistet kanë qeverisur lokalet për katër vjet dhe llogaritë në fund të fundit duhet t’i bëjnë me punën e tyre.
I vetmi rast që bën përjashtim është Shkodra e qeverisur nga demokratët, aty ku edhe Rama sa herë flet për qeverisjen vendore fokusohet aty. Jo pa qëllim, ai nuk përmend asnjë prej bashkive të tjera që janë të administruara nga PS. Ka më shumë retorikë politike ngjashëm si në kohë zgjedhjesh parlamentare sesa ato lokale. Mungesa e opozitës në zgjedhjet e 2019 ka sjellë një tjetër deformim politik.
Në këtë fushatë mungojnë programet e kandidatëve. Në mënyrë të veçantë të atyre të Partisë Socialiste. PS ka rikandiduar 44 nga kryebashkiakët aktualë që e shikojnë 14 majin si vijimësi të punëve të nisura në këtë 4 vjeçar që po lenë pas. Flasin për ‘bilancet’, të shkruara në letër pa fakte konkrete, duke na bërë konfuz se pse duhen votuar për katër vite të tjera dhe çfarë i dallon ata nga kandidati kundërshtar.
Kandidatët e opozitës në anën tjetër ndihen më komodë, por luajnë me të njëjtën logjikë, si kundërshtari. Premtime shumë, rezultate pak, sa kohe që nuk shoqërohen me ekspertizë konkrete e fatura financiare dhe pyetja kryesore se ku do t’i gjejnë paratë. Aktualisht janë disa bashki në prag falimentimi dhe 1/3 e tyre (në rang vendi) në vështirësi financiare.
Mungon gjithashtu protagonizmi i kandidatëve. Edi Rama në njërën anë, dhe Sali Berisha e Ilir Meta në anën tjetër. Rama që ka mbushur Shqipërinë me banderola me figurën e tij, dhe Berisha e Meta që flasin vetëm për të në takime. Askund fokusi tek programi i kandidatit për qytetin. Njëri me ritëm tallavaje, duke deformuar haptazi vullnetin e qytetarëve se nëse mbështesin kandidatët e opozitës nuk ka para për zonat e tyre, e tjetri akuza se përballë kemi qametin për afera, korrupsion, nga kryebashkiakë, deputetë, ministra e deri për kryeministrin. Shumë akuza dhe pak padi konkrete në SPAK.
Në finale, zgjedhësit po shikojnë një “spektakël” të mëdhenjsh dhe jo një përballje programesh, idesh dhe alternativash për lagjen dhe qytetin e tyre. Akoma është kryefjalë e shqetësimeve lokale uji i pijshëm, akoma është rruga dhe asfalti, shkolla dhe çerdhja, qendra shëndetësore dhe transporti. Askush nuk jep llogari pse kemi ende problematika të njëjta prej dekadash. Përgjigja që mbetet gjithnjë në memorien politike është se, “fajin e ka kundërshtari”.
Faktoje.al në një analizë të gjatë të premtimeve parazgjedhore ka arritur në përfundimin se vetëm 10% e premtimeve elektorale janë realizuar këto katër vjet. Atëherë në cilën stad jemi të llogaridhënies dhe të drejtës për të kërkuar sërish votën?
Standardet e zgjedhjeve lidhen me përmbajtjen dhe jo vetëm me anën procedurale dhe programi/kontrata është pjesë thelbësore e përmbajtjes/llogaridhënies. Kjo nuk po ndodh në 14 maj. Llogaridhënie si nga ata që kanë drejtuar këto vite, ashtu edhe nga ata që e lanë fushatën e lirë në 2019-ën dhe bojkotuan zgjedhjet.
Artikulli bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.