Të gjithë ata që janë në moshën time e kujtojnë se si pushimi i madh në shkollën fillore përcaktohej shpesh herë nga dëshirat e një fëmije. Zakonisht të atij që ishte, jo domosdoshmërisht më i forti, por të atij që sillte me vete në shkollë një top. I zoti i topit asnjëherë nuk luante në portë, por gjithnjë në sulm. Penalltinë e gjuante ai dhe, të tjerët nuk kishin aspak zë, në rast se ai thoshte se nuk kishte faull në lojë. “Topi është i imi!” ishte jo vetëm protesta e tij, por edhe shantazhi arrogant kundrejt të tjerëve.
Zgjedhjet, natyrisht, nuk janë një lojë fëmijësh. Por sjellja brenda mazhorancës dhe një pjese të opozitës, edhe pse në pamje të parë, janë rikthyer në tryezën e dialogut për Reformën Zgjedhore, për hartimin e një drafti final për ndryshimet në Kodin Zgjedhor sidomos pas apelit ndërkombëtar për të adresuar rekomandimet e OSBE /ODIHR, në mënyrë që zgjedhjet e vitit të ardhshëm ta gjejnë Shqipërinë me një kuadër të ri ligjor, më sjellin në mendje kujtime fëmijërore.
I tyre është, për momentin, topi, të tyret, thonë, janë edhe rregullat!
Sot kushtet në Shqipëri kanë ndryshuar dhe sfidat janë të tjera. Megjithatë, për fat të keq, distancimi politik dhe maturia nuk duken në horizont. Reforma ekzistuese zgjedhore u miratua nga Rama- Berisha në vitin 2008, natyrisht një reformë, e cila u vinte për shtat atyre.
Tani, lind nevoja të ndryshojë përsëri.
Fillimisht ka qenë kryeu i PD, z. Lulzim Basha, i cili në 21 shtator ka prezantuar propozimet për reformën zgjedhore në vend, “si një mundësi për të trajtuar problemet e bëra mullar nga zgjedhjet e kontestuara, por edhe si një mundësi për të shtrirë horizontin drejt në Kushtetute të re.” Në propozimet e tij qenë: listat e hapura, vettingun për politikanët, barazia e votës, vota e diasporës, presidenti nga populli dhe asnjë imunitet për qeveritarët dhe deputetët që hetohen nga SPAK. Në nëntor Partia Demokratike depozitoi në Komisionin për Reformën Zgjedhore propozimet për: Listat e hapura; Shqipëria 1 zonë zgjedhore; votën e diasporës.
Në muajin mars PS ka prezantuar propozimet për ndryshimin e ligjit zgjedhor. PS propozon depolitizim të Komisioneve Zgjedhore, votë me postë për emigrantëve dhe transparentë të fondeve. PS kërkon që trupa e komisionerëve zgjedhorë të krijohet nga përzgjedhja mes radhëve të administratës shtetërore që kanë statusin e nëpunësit civil, punonjësit e arsimit, dhoma e avokatëve, dhoma e noterisë, si dhe çdo shtetas tjetër që përmbush kriteret arsimore dhe të pastërtisë. Një pikë e rëndësishme e propozimeve të PS janë dhe ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit. Ato kërkojnë që të shfuqizojnë nenet, që nuk lejojnë të kandidojnë personat që nuk kanë një vendim të formës së prerë.
Nga ana tjetër, PS propozon që të jetë vetëm 30 ditëshi i fushatës elektorale periudha e ndalimit të çdo veprimtarie publike, pavarësisht nëse ka qenë planifikuar ose jo me fonde te buxhetit të shtetit. Pjesë të propozimeve të tyre kanë përfshirë edhe votën e emigrantëve. “Shtetasit shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë bëjnë regjistrimin e adresës së banimit të tyre jashtë vendit në përputhje me ligj nr. 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Kodi Zgjedhor të ndryshohet duke përcaktuar afat kohor brenda të cilit KQZ duhet të miratojë aktet përkatëse nënligjore për votimin e shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit (psh jo më vonë se 6 muaj nga fillimi i periudhës zgjedhore të vitit 2025). Kodi Zgjedhor të përcaktojë kohën se kur KQZ fillon procedurën e regjistrimit të shtetasve me banim jashtë vendit dhe që kanë shprehur vullnetin për të votuar në zgjedhjet parlamentare.(p.sh jo më vonë se 90 ditë nga dita e zgjedhjeve). Vota e shtetasve me banim jashtë vendit do të llogaritet dhe tabulohet në tabelën e rezultateve të qarkut më të fundit ku ka pasur vendbanimin në Shqipëri votuesi. Votimi nga jashtë vendit të bëhet nëpërmjet postës dhe zarfi me fletën e votimit duhet të ketë mbërritur në KQZ jo më vonë se ditën e votimit…”,- thuhet në propozim.
Ndërkohë PD (Rithemelimi) duket se është e kënaqur me “njohjen” nga mazhoranca, krijimin e dy komisioneve hetimore dhe ende nuk ka paraqitur ende asnjë propozim për reformën zgjedhore, ç’ka paralajmëron surpriza të pakëndshme, sikundër shprehen analistët dhe politologët. Ndërkombëtarët me tone të përmbajtura kanë përshëndetur rikthimin e Kuvendit në normalitet dhe funksional në të mirë të shqiptarëve.
Për Bashën, marrëveshja PS- Rithemelim, do të vrasë reformën zgjedhore, e përballë alternativës së PD për të hapur listat, do t’i mbyllë ato, duke mbajtur në sistem kastën e vjetër të politikës. “Por diku tjetër fle lepuri, te marrëveshja famëkeqe e kushtetutës 2008-ës për të mbajtur monopolin për kandidatët për deputetë, për të kontrolluar sistemin politik siç u ka lënë trashëgimi Ramiz Alia. Edhe pse kjo në këtë formë mund të vijë me një çmim shumë të lartë jo thjesht për demokratët, por për të gjithë Shqipërinë, për të gjithë Kombin me çmimin e lartë të konsolidimit të pushtetit të Edi Ramës dhe rrënimit të opozitës shqiptare “.
Përballë grupimit të Rithemelimit e PS, që thotë se janë bërë bashkë në kurriz të interesave të qytetarëve, Basha paralajmëron lëvizjen për një koalicion opozitar që do të ketë 3 shtylla: Reformë zgjedhore, partneritet me SHBA dhe mbështetje për SPAK. Por marrëveshja duket se ka ngjallur reagime edhe brenda vetë opozitës.
Koha për Bardhin dhe deputetët që e ndjekin nuk premton shumë. Me gjasë ata do të heqin dorë dhe nga ndryshimet e qenësishme në ligjin për Reformën Zgjedhore, për shkak se komisionit të posaçëm i përfundon mandati dhe faktit që së bashku me socialistët kanë rënë dakord që afati i tij të mos shtyhet. Me një lider nën arrest, me deputetë të përçarë, dhe me një bazë të nëpërkëmbur nga vitet e gjata në opozitë, a po shkon opozita drejt një tjetër humbje në zgjedhjet e vitit të ardhshëm? Të gjitha gjasat thonë që po!
Kryeministri Edi Rama me një postim ka bërë ka deklaruar se në rast se nuk do arrihet dakordësia, atëherë socialistët janë të kënaqur me këtë Kod Zgjedhor, e ndërsa ka hedhur edhe idenë për mos ngritjen e Komisioneve për Reformat të rëndësishme, por të kalojnë përmes Kuvendit. Në rast se lexohet midis rreshtave deklarata e Ramës mund të përkthehet: “Nuk e kam në mend ndryshimin e ligjit zgjedhor, por mendoj stabilitetin qeverisës!” Shto këtu edhe klimën toksike politike, atëherë shkojmë drejt “stabilitetit”! Pra, fajin e ka “klima”, nuk është e butë, ka stuhi të forta, borë në male dhe stuhi në det. Fajin e ka edhe “helmi”, që natyrisht buron nga opozita, e cila është vërtet pa busull. Pikërisht për këtë arsye opozita ishte e dënuar që mos bënte pazar të tipit: na jepni këtë që tu falim këtë tjetrën. Ajo ishte e dënuar të kishte tre vija të kuqe, të panegociueshme: njohjen si palë në reformën zgjedhore, ngritjen e të teta komisioneve hetimore dhe funksionimin e tyre sipas ligjit të pandryshuar. Dhe çfarë fitoi? Rama, “mendoi” për të mirën e vendit dhe “stabilitetit”. Stabilitet i përdorur për të përshkruar orwellianisht një situatë, që në praktikë nënkupton një tkurrje të demokracisë. Dhe këtu më vjen ndër mendje ai “fëmija me top” në krye të shkrimit. Dhe kur opozita ankohet, argumenti “Nga çfarë keni frikë, nga fakti se do të humbni?”- është gati.
Pyetja, megjithatë, nuk është se kush fiton dhe kush do të humbasë. Çështja e vetme, themelore dhe e përhershme këtu, është të mos tjetërsohet rezultati elektoral, të mos tjetërsohet vullneti i votuesve, të mos humbasë asnjë votë dhe të mos formohet asnjë mazhorancë fiktive qeveritare. Nëse proporcionaliteti i thjeshtë nuk çon drejtpërsëdrejti në formimin e një qeverie, kjo nuk do të thotë të presësh shumë demokraci, do të thotë që forcat që morën besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar ata, të gjejnë një zgjidhje dhe të gjykohen për të. Këto, konsultimi, dialogu, respekti për atë që duan qytetarët, janë “problemet” dhe vlera e Demokracisë. Autoritarizmi dhe totalitarizmi i zgjidhin çështje të tilla ndryshe.
E dyta, çështja e veçantë, ka të bëjë me autoritarizmin, por edhe me stilin dhe moralin e pushtetit. Përbuzja që tregojnë të gjitha këto skenare, ndaj rregullave institucionale demokratike është problematike. Por kjo është ajo që ndodh kur pushteti trajtohet si një fëmijë i llastuar që luan me top në shkollën fillore.
Demokracia është vlerë, nuk është vetëm sistem politik dhe që të funksionojë ka nevojë për rregulla, që nuk imponohen me forcë, por me pëlqim, dialog dhe vullnet të lirë. Prandaj demokracia kërkon një nivel të lartë përgjegjësie, pjekurie dhe përgjegjshmërie.
Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, realizuar nga ISP, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta përmes programit MATRA.