Prej vitit 2017 Instituti i Studimeve Politike (ISP) vijon të bëjë monitorimin aktiv të Kuvendit të Shqipërisë dhe të veprimtarisë parlamentare të deputetëve. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta dhe paraqet nismën e vetme të monitorimit integral dhe profesional të jetës parlamentare në Shqipëri. ISP ka publikuar rregullisht raporte monitorimi pas çdo sesioni parlamentar. Ky është raporti i pestë dhe përmbledh periudhën shtator – dhjetor 2019. Në funksion të monitorimit, transparencës dhe llogaridhënies publike ISP ka krijuar edhe platformën online të monitorimit, www.deputetim.al. Monitorimi do të vijojë edhe gjatë sesioneve të tjera deri në shtator 2020.
Çdo raport monitorues sjell risi të reja. Raporti aktual bën për herë të parë korrelacionin midis të ardhurave financiare të deputetëve në aktivitetin e tyre parlamentar me nivelin e efektivitetit të tyre, duke krijuar një pasqyrë domethënëse midis privilegjeve dhe përgjegjësive që kanë deputetët. Po ashtu, në këtë raport janë analizuar edhe zhvillime të reja në parlament në kuadër të ndryshimeve që kanë ndodhur në Rregulloren e Kuvendit në korrik 2019, përfshirë seancat plenare të posaçme dedikuar zgjedhësve dhe zonave elektorale.
ISP ka krijuar tashmë një sistem klasifikimi të nivelit të efektivitetit të deputetëve, sistem që bën vlerësimin e përdorimit e të gjithë mekanizmave e mjeteve parlamentare nga ana e deputetëve, nivelin profesional si dhe të angazhimit të deputetëve në të gjitha format e aktivitetit parlamentar. Bazë e vlerësimit janë të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve, përfshirë nismat ligjore, amendamentet ligjore, nismat për interpelancë e seancë pyetjesh, kërkesat adresuar institucioneve, angazhimi me prezencë e debat në mbledhjet e komisioneve dhe në seancat plenare, pjesëmarrje në debatet publike dhe niveli i angazhimit në zonat elektorale. Raporti bën edhe monitorimin e të gjithë strukturës së Kuvendit, sidomos të programit të transparencës lidhur me aktivitetin parlamentar, si dhe verifikimin e zbatimit të Rregullores, të Kodit të Sjelljes dhe të akteve të tjera ligjore në aktivitetin parlamentar.
GJETJET KRYESORE (shtator-dhjetor 2019)
1- Periudha shtator – dhjetor 2019 është karakterizuar nga aktiviteti formal parlamentar dhe kapërcimi i debatit mbi legjitimitetin. Aktiviteti parlamentar nuk ka pasur protesta apo pengesa të tjera në ushtrimin e funksioneve. Normaliteti është tregues pozitiv, por i pamjaftueshëm për pritshmëritë publike ndaj Kuvendit. Kuvendi pati vështirësi për të luajtur rolin e organit kryesor vendimmarrës dhe për të promovuar pluralizmin në përbërjen dhe vendimet e tij.
2- Në vlerësimin e ISP, Kuvendi i përmbushi përgjegjësitë e tij në funksionin legjislativ, duke shqyrtuar e miratuar ligje dhe akte të tjera me rëndësi në vendimmarrjen parlamentare. Numri i akteve ligjore është më i vogël sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar (76 akte të miratuara më 2018 dhe 62 më 2019) dhe vetëm 5 ligje të reja u votuan në katër muaj.
3- Parlamenti e përmbushi pjesërisht edhe funksionin e tij të dytë, atë zgjedhor. Ai zgjodhi disa prej funksionarëve të lartë në përgjegjësi të tij, përfshirë dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Vlerësimi i “pjesshëm” lidhet me faktin se parlamenti nuk arriti të marrë vendim për disa vende vakante në përgjegjësi të tij, sidomos në KD të RTSH, AIDSSH, etj. Ai gjithashtu nuk bëri përpjekje për zgjidhjen e krizës për zgjedhjen e kryetarit të KLSH. Po ashtu Kuvendi shkarkoi një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të BSH dhe bëri disa emërime në institucione të pavarura, shumica e të cilave përmes një procedure formale dhe të paracaktuar.
4- Në ushtrimin e funksionit të tij të tretë, funksionin kontrollues, parlamenti nuk arriti ta përmbushë atë. Në tërësinë e tij Kuvendi lejoi të imponohet në aktivitetin e vendimmarrjen e tij nga pushteti ekzekutiv. Gjatë sesionit nuk pati asnjë mocion, komision hetimor dhe as seancë pyetjesh ndaj kryeministrit dhe qeverisë së tij, nuk pati ndjekje të nivelit të zbatimit të ligjeve që miratohen në parlament dhe se në disa nisma të qeverisë. Parlamenti veproi më shumë si noter institucional i saj, sesa si institucioni kryesor i përfaqësimit dhe ushtrimit të sovranitetit qytetar në Shqipëri.
5- Dy nismat më të rëndësishme të kalendarit sesional të Kuvendit, Komisioni Hetimor lidhur me Presidentin e Republikës dhe Komisioni për Reformën Zgjedhore, e shtynë mandatin e tyre, duke mos arritur të kenë produkt brenda sesionit parlamentar. Nisma të tjera paralele, përfshirë paketa e ndryshimeve në legjislacionin mbi median e komunikimet elektronike apo nisma për investimet strategjike, etj, zunë vend prioritar në axhendën parlamentare dhe u votuan përmes kritikave publike vendase dhe të huaja për mungesë të mjaftueshme konsultimi dhe transparencë.
6- Ky ishte sesioni i parë i zhvilluar mbi bazën e Rregullores së re të Kuvendit të ndryshuar në korrik 2019, e cila shton elementët dhe instrumentet e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Java elektorale u aplikua në dy raste, por shumica e deputetëve nuk morën pjesë në debatin për problemet e zgjedhësve të tyre. Vetëm 31% u angazhuan për zgjedhësit, një zhvillim gjithsesi pozitiv nga praktikat e të kaluarës.
7 – Sesioni parlamentar shënoi një numër të lartë të akteve normative (8) në raport me vetëm 2 në të njëjtën periudhë të vitit 2018 dhe një në të njëjtën periudhë të vitit 2017. Një pjesë e akteve normative u imponuan nga situata e emergjencës e krijuar pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019, megjithatë të gjitha u ndërmorën ndërkohë që parlamenti ishte i mbledhur.
8 – Sesioni shtator-dhjetor shënoi edhe rënie të numrit të akteve të iniciuara nga Këshilli i Ministrave në raport me të njëjtin sesion më 2018 (52 më 2018 dhe 47 më 2019), por të njëjtin numër nismash ligjore të iniciuara nga deputetët (11 më 2018, 11 më 2019). Kuvendi miratoi tri rezoluta politike dhe zhvilloi dy interpelanca.
9 – Të dhënat e monitorimit treguan se rreth 60% e deputetëve të ardhur në parlament gjatë 2019 në emër të opozitës ishin votues të rregullt “pro” akteve të mazhorancës dhe nismave të qeverisë. Ky është një tregues i ndryshimit të raporteve politike në parlament dhe dobësimit të përfaqësimit opozitar. Mazhoranca fitoi mbështetjen e rregullt e 10-16 deputetëve të rinj në Kuvend, duke dobësuar përfaqësimin dhe duke krijuar mazhorancë absolute për çdo vendimmarrje në interes politik të saj. Për pasojë, është rritur numri i deputetëve që nuk merr pjesë rregullisht në votimet e akteve në Kuvend dhe që ankohen se zëri i tyre nuk po dëgjohet.
10- Kuvendi vijon të jetë institucioni i vetëm shtetëror që publikon online të ardhurat financiare të zyrtarëve të saj përbërës (deputetëve), një praktikë pozitive, megjithatë mungojnë ende të dhënat e përditësuara mbi stafin, raportet e vlerësimit të brendshëm, raportet vjetore, shpenzimet për aktivitetet publike, etj.
11- Rreth 40% e procesverbaleve të komisioneve parlamentare nuk janë publikuar, procedurat drejt miratimit të akteve ligjore shpesh kanë mangësi në dokumentacion dhe programi i transparencës vijon të mos jetë i plotë e funksional.
12- Në klasifikimin e deputetëve sipas nivelit të efikasitetit në aktivitetin parlamentar rezultoi se deputetët Taulant Balla (PS) dhe Rudina Hajdari (DEM) janë deputetët më të kuotuar. Gjatë këtij sesioni pati rritje të ndjeshme të aktivitetit të deputetëve të rinj në përpjekje për të krijuar një identitet e bilanc publik të aktivitetit të tyre parlamentar. Pjesa më e madhe e prurjeve nga biznesi vijoi të jetë jo aktive në aktivitetet parlamentare.
13- Stafi i ISP paraqet në këtë raport për herë të parë korrelacionin midis deputetëve me më shumë përfitime financiare dhe nivelit të efektivitetit të tyre në parlament. Krahasimi tregoi se në tërësi, deputetët më të “mirë-paguar” në parlament kanë nivele kritike të efikasitetit dhe produktit parlamentar. Vetëm 3 deputetë (2 të PS dhe 1 nga opozita) kanë përputhshmëri midis dy komponentëve.
14- Komisionet e Përhershme dhe të Posaçme përballen me riskun e aktivitetit formal në funksionimin e tyre. Më pak se një e treta e deputetëve është aktive në debatet në komisione. Drejtimi i tyre shpesh është i personalizuar dhe vendimmarrja e paracaktuar.
15- Gratë deputete rezultuan shumë më efektive në aktivitetin parlamentar sesa deputetët meshkuj. Në total gratë deputete patën mesatarisht 2% më shumë nivel vlerësimi gjatë sesionit parlamentar. Ato ishin më aktive në ushtrimin e përgjegjësive parlamentare, në fjalime dhe në debatet në komisione.
16- Ligjërimi politik ka ndryshuar pozitivisht në aspektin formal. Çështjet dominuese në fjalimet e deputetëve ishin ato mbi buxhetin e paketën fiskale, reformën në drejtësi dhe rininë, procesin e integrimit dhe problematikat zonale. Në aspektin e brendësisë deputetët shfaqin nevojën e trajnimeve të vazhdueshme, asistimit nga ekspertët dhe përgatitjes më të mirë për debatet në parlament dhe të gjithë procesin ligjvënës. ISP ka vlerësuar edhe me parë nevojën për më shumë staf mbështetës në parlament për deputetët e grupet, sidomos për teknikën legjislative.
17- Në total vetëm 6 deputetë të PS patën votë ndryshe nga grupi dhe vetëm dy prej tyre (D. Bushati dhe F. Xhafaj) e shprehën opinionin publikisht. Tri grupet parlamentare nuk kanë miratuar ende Rregulloret e tyre të brendshme si detyrim nga Rregullorja e Kuvendit.
18- Gjatë sesionit pati ministra, të cilët nuk patën asnjë “shqetësim” në parlament, nuk u pyetën, nuk patën nisma ligjore dhe as adresim shqetësimesh, dhe vetë ata nuk morën pjesë në debatet parlamentare.
Analiza e plotë dhe e detajuar, të dhënat specifike, klasifikimi i detajuar për çdo kategori të monitoruar, etj, si dhe gjetjet e rekomandimet prioritare mund të lexohen & shkarkohen këtu:
ISP – RAPORTI I MONITORIMI TE KUVENDIT (Shtator-Dhjetor 2019)